Press "Enter" to skip to content

Letërkëmbimi i dashurisë së George Sand dhe Alfred de Musset

Në datën e lindjes së Georg Sand, po sjellim më poshtë një pjesë të letërkëmbimit të saj me Alfred de Musset, me të cilin përjetoi një nga historitë më të fuqishme e pasionante të dashurisë, si dhe një rrëfim të shkurtër mbi jetën e saj.

Georg Sand by Alfred de Musset

George Sand:

Mes drithërimash ju them se
pikasa fort mirë herën e shkuar
dëshirën e ethshme
që kishit të vallëzoja. Nuk rresht së kujtuari
e përqafimi juaj do të doja
të ishte vërtet prova e dashurisë për mua.
Jam gati t’ju shfaq ndjesinë time të çiltër,
aspak tinëzare. E nëse ju, në vegimin tuaj,
dëshironi të më shihni,
pa dredhë, shpirtin krejt
të zhveshur, e gjitha, jakë të puqemi,
të kuvendojmë dhe si një mike
do t’ju provoj që jam grua
e sinqertë, e gatshme,
që di t’ju falë kënaqësinë më të thellë,
si miqësia më e çiltër,
pra, me një fjalë: gruaja më e ndjeshme,
që ju do ta ëndërronit.
Përderisa shpirti juaj është i lirë,
mendoni vetminë time, brengën e rëndë, ku
ndihem e padurueshme, ndaj derdhuni tek unë
sa më shpejt e më bëni ta harroj.
Dëshiroj t’ju jepem thellësisht.
Kukullëza juaj

Përgjigjja e Alfred de Musset:

Kur para jush me shpirt gjunjëzohem
Dëshironi ju që një moment të shndërohem?
Ju ndjenjat e kësaj zemre keni robëruar
për ju, adhurueshëm është krijuar
Unë ju çmoj, e dashur, dhe pena ime marroi
Të harlisem në ato çka t’ju them, nuk guxoj,
Me kujdes vargjet e mia, lexoni, e atëherë
Ju  do ta ndieni, si mund të më shëroni.

Përgjigjja e George Sand:

Këtë dëshirë që zemra juaj kërkon,
Natë ringjalljeje e quaj, kur shpirti e dëshiron.


George Sand ka lindur më 1 korrik 1804, në Paris, por emri i saj i vërtetë është Amantinë Aurorë Dupin. Pseudonimin e përdori për herë të parë në vitin 1831, kur filloi të shkruante. Kjo ishte liria e saj – dhe pse ka luftuar për të drejtat e gruas, ajo ishte nën mantelin dhe emrin e një burri. Romanin e parë e shkroi “me katër duar”, së bashku me të dashurin e asaj kohe, G.S, gjë që e frymëzoi të shkruante më pas romanet e saj. Pena nuk ishte veçse zjarri i saj përvëlues, patosi luftarak, paraqitur me një elegancë dhe romantizmë, të cilin, ato kohë, ia falte Parisi, qyteti të cilin e ndante me shtëpinë e saj, vatrën e mikpritjes së shkrimtarëve, kompozitorëve e personalitete të tjera politike të asaj kohe, si: Balzak, Delakrua, List, Flobert, Duma, Chopin. Ky i fundit ishte dhe i dashuri i saj prej nëntë vjetësh. Chopin ka kompozuar rreth njëzet e katër prelude frymëzuar prej saj, një prej të cilave është “Pika e ujit”.

Por historia e saj më e fuqishme, më pasionante, më romantike ka qenë ajo me Alfred de Musset, më 1835-n, kur ishte në procedurë divorci me bashkëshortin. Atë kohë, një gjë e tillë ishte tepër e vështirë. Prej letërkëmbimeve, historia e tyre cilësohet si një nga lidhjet e shekullit. Aq të dashuruar, të pandarë dhe aq shkatërrues për njëri-tjetrin, një lidhje vetëvrasjeje. “Ju dua si një fëmijë”, do t’i shkruante Sand, në një nga letrat e saj të para. Instikti i saj mëmësor, që i kishte munguar gjithë jetën prej nënës së saj, e udhëhoqi jo vetëm në këtë lidhje, por në të gjitha marrëdhëniet, ku dëshironte gjithmonë që të ishte një nënë për të dashurit e saj. “Ajo është një ngrënëse burrash, por, në vend që t’i flakë kur ndahet prej tyre, i bën personazhe të librave të saj”. Kur u nda prej Musset, ajo preu flokët dhe ia dërgoi si kujtim.

Balzak e Flober, të cilët jetuan për ca kohë në shtëpinë e saj, shpesh gjenin idetë aty dhe e kanë përshkruar këtë gjë edhe në veprat e tyre. Flober i drejtohej Sand gjithmonë me fjalët “I dashur Mjeshtër”. “Si ka mundësi që ty idetë të rrjedhin lum, ndërsa për mua janë rrëke uji, për të cilat duhet të bëj një punë kolosale që t’i kthej në ujëvarë?”, i shkruan në letrat e tij.

Me vdekjen e George Sand, më 1876-n, Viktor Hygo shkruajti:

“Vajtoj një të vdekshme dhe përshëndes një të pavdekshme!”. Ndërsa Flober “qau si viç” dhe aprovoi fjalimin e bukur të Hygoit.

Përgatiti: Mimoza Kuchly

 

 

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

Komento