Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik nga Zbignjev Herbert dhe jetëshkrimi i tij

Zbignjev Herbert (1924-1998)

Libri i parë poetik i Zbignjev Herbertit doli në Varshavë më 1956-n. Kishte rrafshuar asokohe 32 vjet. Për shumë vite priti kohën e tij dhe shkroi për sirtar. Prandaj dhe libri i tij i parë u vlerësua shumë lart. Pas një viti doli vëllimi i dytë, fill pas tij i treti e mandej edhe libri me ese, i shkruar pas udhëtimit nëpër Itali, Greqi, Francë, që e vizitoi për herë të parë më 1958-n.
Viteve të udhëtimeve u paraprinë vitet e studimit. Fill pas Luftës së Dytë, Herberti studioi për pak kohë në “Akademinë e Arteve” në Krakov, mbaroi po atje “Akademinë Tregtare”, me diplomën e ekonomistit, fakultetin juridik në universitetin e Torunit, si dhe studioi në Torun dhe Varshavë edhe filozofinë. Por para gjithë këtyre diplomimeve, mori pjesë në kurset ilegale gjatë viteve të okupimit, shkollën e fshehtë të rezistencës, si atestimim të pjekurisë. Pjesëmarrja në Rezistencën polake mbeti përjetimi kryesor i jetës së tij.
Herberti, në katër librat e tij të parë, është poet historik; përfshihet aty Lufta e Dytë Botërore, sikur dhe gjithë historia e përbotshme, por, më së shumti, antikiteti. Mësuesit e tij janë historianët antikë: Herodoti, Tuqiditi, Taciti. Të gjithë ata kanë shkruar për bashkëkohësinë, ende gjakderdhëse, dramatike; ata rrëfejnë për luftërat dhe despotizmin, meditojnë për problemet e pushtetit dhe personalitetit, lirisë dhe dhunimit.
Në fillim të viteve ‘70-të, Herberti u kanonizua edhe në Poloni, edhe në Europë. Poezitë e tij janë botuar në njëzetë gjuhë. Ai është tashmë një klasik i gjallë. Poeti më “antik” nga gjithë poetët bashkëkohorë të Europës. Por më i papritur ka qenë libri i tij, “Pan Коgito” (1974). Ky është një roman origjinal intelektual në vargje. Zbulim artistik i rrallë është vetë figura e Pan Kogitos, një intelektuali të zakonshëm të botës bashkëkohore. Herberti i vesh zotit Kogito tipare të veçanta të biografisë personale, prirjet e tij dhe rrethin e interesave vetiake. Nganjëherë, ai është pothuaj ‘alter ego’ e autorit. Vëllimi pati një sukses të bujshëm nëpër të dyja anët e oqeanit. Në njërin prej qyteteve universitare të SHВA-së ka zgjatur përgjatë shtatë vjetëve një revistë me titull “Mr. Cogito”, kushtuar Herbertit dhe “traditës humaniste që përfaqëson ai”. Në shqip, libri “Zoti Коgitо” është publikuar në Kosovë nga shtëpia botuese “Dukagjini”, përkthyer nga Masllum Saneja.
Herberti qe lidhur me “pothuajse dytësin e tij”, pasi edhe në librat e mëpasmë, duzina poezish janë të lidhura me Pan Kogiton.
Porse kuptimi i librit të ri, “Raport prej qytetit të rrethuar”, përkufizohet si objekti kryesor epigrafik. Libri është shkruar nën mbresat e ngjarjeve në Poloninë e viteteve 1980-1982, por u botua në Paris, më 1983-shin. Në Poloni, një libër i tillë mund të qarkullonte asokohe veçse në samizdat dhe, menjëmend, samizdati polak riprodhonte shpesh botimet pariziane (ndërsa një libërth që përmbante gjysmën e poezive, tetëmbëdhjetë prej tridhjetë e pesë, doli në samizdat që më 1982-shin). Formula “qyteti i rrethuar” u bë për polakët e viteve 1980 simbol i rezistencës morale.
“Raport nga qyteti i rrethuar” është gjëja më polake që ka shkruar Herbert. Por dhe këtu ai mbetet poet mbarënjerëzor, universal. “Qyteti i rrethuar” nuk është medoemos qytet. Ai mund të jetë edhe mal, edhe greminë, edhe grykë; ajo është temë rrethimi, sikundër “Kështjella” e Kadaresë – temë për ata që luftojnë për të drejtën e të qenit vetvetja, sikundërse “mbrojtësit e Dalaj Lamës, kurdët, malësorët afganë”. (Grykën afgane të Panshirit, Herberti do ta kujtojë mandej në poezinë “Metamorfozat e Tit Livit”) Megjithqë mund të jetë dhe qyteti. Roma, e rrethuar prej gotëve. Apo dhe më thellë në lashtësi – Vetiluja e rrethuar nga Oloferni.
Fjala nuk është domosdo për polakët. Sidoqë, më së pari, për polakët.
“Rrethimi vazhdon aq gjatë…”. Këtu kemi edhe rrethimin e luftëtarëve polakë në Ebarazh, më 1649-n nga hordhitë kazako-tatare, nën udhëheqjen e Hmelnickit, dhe rrethimi i manastirit të Jasnogurskit, më 1655-n, prej suedezëve. Mund të jetë dhe rrethimi i Varshavës më 1794-n, 1831-shin. Dhe rebelimi i Varshavës më 1944-n, ku çdo lagje e çdo shtëpi qe shndërruar fortesë për kryengritësit. Së mbrami, është Polonia e viteve 1980-1981, e cila priste e tendosur intervenimin e të huajve, Polonia e gjendjes së luftës, e cila gjithaq ishte “rrethim”, sprovë e qëndresës shpirtërore nacionale e çdocilit polak. Lexuesit pleq të viteve 1980 nënkuptonin tek Herberti më së pari këtë shtresë të mbrame të “arketipit” shumështresor të qytetit të rrethuar.
Pikërisht kjo shtesë e fundit historike nënkuptohet para së gjithash edhe në një poezi tjetër të Herbertit, “Metamorfozat e Tit Livit”, që hap librin e tij “Elegji në largim” (Paris, 1980). Poezia, kushtuar kujtimeve gjimnaziste mbi Romën perandorake, mbaron me profecinë: “shembet perandoria”. U shemb perandoria dhe ra më 1991-shin. Si dikur, pas të shtënës në Sarajevë, më 1914-n, u shemb e ra një tjetër perandori, Austro-Hungaria.
Në Galicinë austro-hungareze jetonin babai dhe gjyshi i Herbertit. Në Galici pati ardhur dikur stërgjyshi i Herbertit, pinjoll i dinastisë së vjetër angleze të Herbertëve, që ka dhuruar që në shekullin XVI dhe XVII jo vetëm kontër, por poetë e filozofë të dëgjuar. I ati i Herbertit qe patriot polak dhe në Luftën e Parë Botërore luftoi në legjionet e Pilzudskit. Imazhin e t’et, Herberti e krijon në poezinë “Fotografia”. Babai e lidh të birin me nocionin antik të detyrës, për domosdoshmërinë e vetësakrifikimit. Gjeografia është stilizuar sipas Herodotit: Bugu i Jugut emërtohet Hipanius.
Imazhin e Lvovit, qytetit të lindjes së Herbertit, lexuesi i vëmendshëm do ta gjejë në poezinë “Nëna”:

Duart e shtrira shndrisin në terr si një qytet i lashtë

Ky është edhe qyteti i vjetër Lvov dhe Qyteti i Vjetër – qendra historike e Lvovit, Tregu i tij, Ratusha, Renesanca dhe Baroku i shtëpive dhe kishave katolike. Herberti u rrit midis këtyre shtëpive, shumë prej të cilave janë ndërtuar nga arkitektë italianë. Poezitë italiane të Herbertin shfaqen në librin e tij të fundit “Rovigo”, sipas një qytetëthi të vockël italian. Tanimë libri botohet jo më në Paris, por në Poloni, më 1992-shin, njëkohësisht me ribotimin polak të “Elegji në largim”. Të dy librat janë botuar nga po e njëjta shtëpi botuese vrocllavase, me kopertina të njëtrajtshme, me po të njëjtin tirazh, gjigant për Poloninë, 50 mijë ekzemplarë dhe u bënë “bestsellera” të dyfishtë. Suksesi i shtëpisë botuese – dhe kjo nën kushtet e tregut – qe aq bindës, saqë ajo rrezikoi me të tillë kopertinë dhe me të tillë tirazh, të ribotojë menjëherë dhe vëllimin “Pan Kogito”, që pati dalë njëzet vjet më parë, si dhe vëllimin e parë të Herbertit “Telat e dritës”.
Tema e dy librave të fundit të Herbertit është “ikja”: ikin miqtë, ikën i ati, nëna, mësonjësit. Jo, nuk ikin – largohen, përlargohen, ende të shqueshëm nga Herberti. Dhe ai nxiton, gjersa s’është vonë, t’i fiksojë imazhet e tyre. Miqësorja, farefisnorja, shtëpiakja zënë vendin qendror në poezitë e fundit të Herbertit. Thjeshtësia dhe mirëbesimi i intonacionit të Herbertit u përplotësuan me sinqeritetin e drejtëpërdrejtë.
Por dhe në këto libra, poezitë intime të Herbertit për miqtë, farefisin dhe të afërmit shfaqen si poezi mbipersonale, historike.
Poezinë “Komçat”, Herberti e publikoi me përkushtim kujtimit të xhaxhait, oficerit polak, që u vra si qindra oficerë të tjerë polakë në Katyni. Por edhe ky është një mbishkrim në përmendoren e gjithë të vrarëve atje. Jo rastësisht poezia është shkruar me jamb të skalitur, masë metrike së cilës Herberti nuk i qe kthyer (më të rrallë në librin e parë) për tridhjetë vjet.
Njëkohë me kthimin e poezisë së tij në Poloni, kthehet edhe vetë Herberti.

Zbignjev Herbert

Raport nga qyteti i rrethuar

jam tepër plak që të ngjesh pushkën dhe të luftoj si të tjerët –

më ngarkuan për mëshirë rolin modest të kronikanit
shënoj – një zot e di për kë – historinë e rrethimit

lypset me qenë i saktë por nuk di kur nisi sulmi
dyqind vjet më parë në dhjetor shtator
a ndoshta mbrëmë ndaj të gdhirë
këtu të gjithë janë të sëmurë me humbjen e ndjenjës së kohës
mbetur na ka sall vendi i lidhjes me vendin
ende s’i kemi lëshuar rrënojat e tempujve fantazmat e kopshtijeve e shtëpive
nëse i humbim rrënojat asgjë nuk na mbetet
shkruaj si mundem në ritmin e javëve pa të sosur
e hënë: depot janë bosh njësi e këmbimit u bë miu
e martë: burgomistrin e vranë dofarë të panjohurish
e mërkurë: flitet për pajtime kundërshtari internoi ambasadorët
nuk i dimë vendndodhjet e tyre d.m.th. vendet e ekzekutimit
e enjte: pas një mbledhje të furtunshme me shumicë votash hodhën poshtë
propozimin e tregtarëve të manifakturave për kapitullim pa kushte
e premte: fillimi i murtajës e shtunë: i dha fund me vetëvrasje
N.N. një mbrojtës i palëkundshëm e diel: s’ka ujë thyem
sulmin e portave lindore të quajtura Portat e Testamentit

këto të gjitha i kuptoj njëtrajtshëm askënd s’e shqetëson
u shmangem komentarëve përmbaj emocionet shkruaj për faktet
më duket se vetëm ato vlerësojnë në tregjet jashtë shtetit
por me një krenari të madhe qejfi ma kish t’i rrëfej botës
se falë luftës kemi edukuar një varietet të ri fëmijësh
fëmijët tanë nuk i duan përrallat luajnë veçse në vrasje
në ëndërr dhe zhgjëndërr ëndërrojnë për supë bukë dhe kocka
krejt si qentë dhe macet

mbrëmjeve ma ka ënda të bares kufijve të Qytetit
përgjatë sinorëve të pasigurt të lirisë sonë
së larti sodis si një fole gjigante thneglash ushtarët dhe zjarrthet e tyre
dëgjoj gjëmimet e daulleve vigmën e barbarëve
dhe vërtet s’e kuptoj qysh ende mbahet Qyteti

rrethimi vazhdon aq gjatë armiqtë si duket ndërrohen
asgjë të përbashkët nuk kanë përpos babëzisë për vdekjen tonë
gotët tatarët suedezët ushtarët e Perandorit
divizionet e Shndërrimit të Perëndisë
s’kanë të numëruar
ngjyra e flamujve të tyre ndërrohet si pylli në horizont –
verdhëzi delikate zogthi n’prag pranvere
jeshilishte purpurake llurbe dimërake

ndajnatë çliruar prej faktesh mund të vras mendjen
për punë të ra të qëkurit për shembull për aleatët tanë
përtej detit e di sinqerisht na kanë pikë në zemër
na çojnë miell e thasë rrumbull me dhjamë dhe këshilla të urta
madje as nuk e dinë që ne na tradhtuan etërit e tyre
aleatët tanë të kohës së Apokalipsit të dytë
bijtë e tyre s’janë fajtorë meritojnë mirënjohje
dhe u jemi mirënjohës
ata s’e kanë përjetuar rrethimin e gjatë sa përjetësia
ata që i ka pllakosur kobi janë prore të vetmuar
mbrojtësit e Dalaj Lamës kurdët malësorët afganë

njitash kur po shkruaj këto radhë ithtarët e kompromisit
morën capak të përpjetë mbi partinë e të patundurëve
paqëndrueshmëria e rëndomtë e gjendjes shpirtërore zgjidhet ende prej fatit

gjithë e më tepër varre mbrojtës gjithë e më pakë
por barrikada s’është shembur dhe gjer në fund do qëndrojmë
dhe nëse Qyteti bie dhe dikush do shpëtojë
ai do ta bart në vetvete Qytetin udhëve të syrgjynit
ai do të jetë Qyteti

e shohim në fytyrë zjarrin dhe urinë dhe vdekjen
dhe atë mynxyrën e mynxyrave – fytyrën e tradhtisë

Dhe sall ëndrrat tona janë të pamorta

Nëna

Ra ai prej gjunjëve të saj si lëmsh peri.
Ngutazi hodhi shtat dhe qorthi mori arratinë.
Ajo mbajti zanafillën e jetës, duke e përsjellë qark gishtit,
si një myhyr të hollë. Deshi ta mbrojë.
E ai u rrokullis prej rrëpire dhe u kap për mal.
Dhe vinte te ajo, firifiu, dhe heshtëte.
Tash s’ka për t’u kthyer kurrë më në fronin e ëmbël t’atyre gjunjëve.

Duart e zgjatura shndrijnë në terr si një qytet
i lashtë.

Fotografia

me këtë vogëlush të palëvizshëm si shigjeta e Eleatit
vogëlushin në barëra të larta njëlloj sikur unë
përveç datës së lindjes dhe linjave papilare

u nis im atë në vigjilje të luftës së dytë persiane
gjykuar pas gjetheve dhe reve ka qenë mbase gusht
zogjtë gjinkallat kumbonin erëmimin e begatë të drithit

rridhte lumi teposhtë ai që në hartat romake quhet Gipanis
gjeratorja dhe afërsia e stuhisë priren të fshihen te grekët
kolonitë e tyre bregdetare nuk ishin fort larg

buzagazi i vogëlushit është i padhunë i pangrysur një grimë
ai njeh sall hijen e kapelës prej kashte hijen e pishave hijen e shpive
e nëse mugëtirën – atëherë mugëtirën e mbrëmjes

vogëlushi im, Isaku im, përkule qafëzën
gjithqysh sa hap e mshel sytë – dhimba e, mandej, do të jesh
gjithë çfarë ta ka ënda – linjë dallëndysheje fusharake

më duhet të derdh gjakun tënd vogëlushi im
që të mbetesh i pamëkatë nën blic fotografimi,
i shpëtuar përjetë si miza në qelibar
i bukur si fieri që gjalloi në qymyr

Metamorfozat e Tit Livit

Si e kanë kuptuar Livin gjyshi e stërgjyshi im
se në gjimnazin klasik sigurisht e kanë lexuar
në një kohë jo fort të përshtatshme
kur tej dritaresh gështenjat lulonin qirinj të zjarrtë
ndërsa gjithë mendimet e gjyshit dhe stërgjyshit turreshin frymëmekur drejt
Mizesë
që këndonte në kopsht duke demonstruar dekoltenë
me këmbkat hyjnore gjer mbi gjunjë
ose drejt Habës prej operës vjeneze në krela si kerubin
Hаba me hundëçipin kuqëlor dhe me Moxartin në grykë
apo tekembramja drejt Juzës ngushëllimtares së brengaxhinjëve
pa bukuri pa talent dhe pa kapriço t’veçanta
e mbetet lexuar ta kenë Livin – gjatë kohës së lulimit –
nën kutërbim melankolie shkumësi nafte me të cilën lanin dyshemenë
përposh portretit të perandorit
se ka pas atëbotë perandor
dhe perandoria si gjithë perandoritë
dukej e përjetshme

Duke lexuar historinë e Qytetit ata i jepeshin iluzionit
thua se janë romakë a pasardhës romakësh
këta bij të nënshtruarish vetë të skllavëruar
sigurisht këtu bënte pjesë dhe profesori i tyre latinist
me gradë këshilltar oborri
koleksionist virtytesh antike përnën bluzën e zbërdhylët
ai u ngjallte gjimnazistëve për Livin përbuzjen lumpenit
kryengritja popullore – res tam foeda – atyre u kallte krupë
ndërkaq që pushtimet u dukeshin legjitime
shënjonin thjesht ngadhënjimin e asaj çka është më e mirë e më fortë
prandaj dhe i tërbonte disfata ndanë liqenit Trazimen
i mbushnin me krenari herizmat e Scipionusit
vdekjen e Hanibali e përjetonin me një lehtësim të sinqertë
kallaj tepër kollaj ata orientoheshin
përmes shanseve të fjalive ndajshtimore
konstrukteve lesheli me të cilat udhëheq pjesorja
lumejtë e stërfryrë të retorikës
pusitë e sintaksës
– në betejën
e kotnasikotit

sall im atë dhe unë pas tij
e kemi lexuar Livin kundërpërkundër me Livin
duke u thelluar në atë çka fshihet përnën afresk
neve s’na ngjallnin simpatira as gjesti teatral i Skevolës
as sokëllima triumfale e prijësve të centurioneve
më sak ne na përqethin difatat
e samnitëve galëve dhe etruskëve
në numëronim popujt që Roma i zhbiu në pluhur
pa shartet e varrimit ata që për Livin
nuk vlenin as edhe një rrudhë të stilit
ata hirpinë apulë lukanë uzentinë
e po aq banorët e Tarentit Metapontit Lokrit

Im atë e dinte për bukuri dhe unë e di po aq
se herëdokur pa asfare shenjë qiellore
në periferitë e largëta
në Panoni Sarajevë apo dhe në Trapezuntus
në qytetin që lartohet mbi detin e ftohtë
apo në lugajën e Panshirit
flauri do përpushet flaka lokale

dhe perandoria do të shembet

Komçat

Në kujtim të kapitenit
Eduard Herbert

Vetëm komçat shpëtuan prore
kaluan përmes vdekjes në paqe
dëshmi për veprën mizore
dolën gjallë në sipërfaqe

të jetës Hyu i vrasjes bilancon
dhe mëshiron mbi to është Ai
por si ta ringjallë kurmin mëton
sall n’u bëftë argjilë përsëri

herë reja pluskon herë zogu ajrive
gjethja bie filizi jetë merr
dhe heshtje heshtje lartësive
dhe pyll’ i smolenskit tymos terr

Vetëm komçat shpëtuan prore
korr’ i të vdekurve fërtele
vetëm komçat shpëtuan prore
ndër uniforma dhe mantele

Përktheu: Agron TUFA

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!