Press "Enter" to skip to content

Ilir KADIA: Droga e mikut të vjetër

Nga të gjithë miqtë e vjetër të gjimnazit, kur i lamë shumë vite pas, vetëm me të nuk isha parë. Ah, harrova, kaluam edhe një vit bashkë në Fierzë, ku ishim bërë burra, fill pas vitit të katërt. Pyesja herë pas here miqtë e tjerë, por as ata nuk e kishin parë. Dhe ja, krejt papritur, bie zilja dhe ai më pyet në telefon nëse mund të pinim një kafe.
– Nga ke qenë, o njeri?! – e pyeta, sa u ndamë nga përqafimi.
– Gjithandej… edhe në burg! Në Gjermani!
– Në buuuurg?! Aksident?!
– Po çfarë aksidenti! Drogë… shpërndarje… Por nuk më mbajtën shumë, pata fat!
U ulëm në kafe dhe më tregoi për jetën e tij. Ishte martuar “i madh”, se kish dashur të rregullohej më parë. Ishte bërë me djalë, që e kish lënë në Tiranë, dhe vetë në Gjermani, sa të rregullohej…
– Si të kapën? – e pyeta i paduruar për të mësuar pak nga një realitet që e njihja vetëm nga filmat.
Ai qeshi.
– Si të gjithë! Erdhi një blerës, që ish polic i fshehur. Unë nxora drogën, ai paret… kaq! E hëngra.
– Pastaj?!
– Pastaj në gjyq. Avokati ish goxha burrë. Më tha se duhej të thosha që nuk di mirë gjermanisht dhe drogën ia afrova për bujari, se e kisha timen, se isha përdorues droge…
– Por ti nuk ishe, apo jo?!
– Po si nuk isha! Që nga koha e vitit të tretë, kur pinim duhan në banjë tek “Samiu”, e mban mend?
– Duhani është tjetër gjë!
– Me atë fillon, por nejse…
– Dhe?!
– Dhe më morën një qime floku për analizë. Dhe droga sa një derr! Por ajo më shpëtoi! Nga burgu në shkollë edukimi. Na çonin në teatër…
– Po në stadium?
– Edhe në stadium. Por në rresht për dy!
Unë qesha.
– Ti e kishe aq inat rreshtin në gjimnaz. Do e kesh patur vështirë!
– Vështirë?! Shkollë, ore, shkollë. Ajo më bëri njeri! Qava kur më thanë pas dy vjetësh se isha mirë, i detoksifikuar dhe duhej të kthehesha në Shqipëri. Dhe… të mos kthehesha kurrë më në Gjermani.
– Dhe ti erdhe në Tiranë e nuk u ktheve më kurrë?!
Ai thithi cigaren fort. Pastaj më pa drejt në sy e më pyeti:
– Si thua ti?!
S’dija si t’i përgjigjesha. Mendova se ai e kish provuar prapë me siguri, por…
– Të takova të më japësh një mendje për djalin. Ka mbaruar shkëlqyeshëm këtu dhe dua ta çoj në Gjermani. Ai ka qejf për juridik, por unë kam dëshirë të bëhet doktor. Si thua ti?!
U ngrita në këmbë dhe e përqafova i përmalluar mikun tim. Ai kish mbetur… njeri i mirë.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento