Press "Enter" to skip to content

Mimoza KUCHLY: Përsiatje mbi librin “Dëfrim heshtnaje” të Valentina Saraçinit

Koha ka sy, ka veshë, ka duar, ka zemër, koha ecën…
“Dëfrim heshtnaje”

Me Valentina Saraçinin u takova në Prishtinë, fundvitin e 2019-s. Librin “Dëfrim heshtnaje”, publikuar nga shtëpia botuese “Buzuku”, e kam kujtim nga vetë autorja, që nga prezantimi i tij në sallonin e librit në Paris. Valentina është poete, gazetare dhe aktiviste. Ajo njohu nga afër etapa të rëndësishme të zhvillimit të historisë në Kosovë e rajon.
Kopertina e librit, me një dyzim ngjyrash jeshile e gri dhe një copëz bote, gravuar me një portret njerëzor, transmeton pak a shumë çka lexuesi do të gjejë në këtë vëllim poetik.
Shpresa, paqja, natyra, mirënjohja, ndërthurur me dhimbjen dhe mallin, janë mesazhe njerëzore që autorja i ka vendosur në ekuilibër me ndjenjat që kanë përshkruar jetën e saj si poete, gazetare, bijë, motër, qytetare e një grimce të vogël në botën e madhe.
Dëfrimi në heshtje lidhet dukshëm me përjetimet e saj personale, sikundër dhe jashtë këtij kuadrati. Nga një varg në tjetrin, nga një poezi në tjetrën, lexuesi shfleton faqet e një arkivi kohor, ku gjithkund ndihet firma e emocioneve të saj. Një libër që ti e lexon duke dëshiruar të gjesh ç’ka e lidh dëfrimin në heshtjen e poetes, ku është zhurma e përjetimit.
Vëllimi i ndarë në katër kapituj (nëse mund t’i quaj kështu) nga “Ora e parë”, “Përtej mitikës”, “Kumte krahënderë”, deri te “Si dunë”, përcaktojnë shtegun e rrugëtimit të penës së saj shpirtërore.
Libri i kushtohet motrës, Lirikës, me hidhërim, breng, mall e paraqitet si një rrëfim poetik, të cilin Valentina kërkon ta nxjerrë nga vetja:

Shkëmbi një ditë u mallëngjye/duke parë mundimet e tyre/theu veten.

Ndihet shqetësimi, trishtimi, vlerësimi, dashuria kur vargëzon për nënën, vëllanë apo miqtë, të cilët u larguan, duke lënë gjurmë në formimin e saj.

Cilin shteg të ri/të besoj se prapë jam gjallë/s’jam vetëm një e mbijetuar

Duket se autorja nuk ndihet e mposhtur nga dhembja; ajo ecën përherë në kërkim të jetës, duke “gërmuar” në gjurmët e miteve dhe legjendave të më guximtarëve. Autores nuk i ka humbur forca për të jetuar; gjen frymëzim në rrugët e brengave, labirinte pritjeje, kështjella heshtjeje, fate mitike. E ndiejmë përballë figurave të mëdha, si: Ali Podrimja, Bekim Fehmiu, Azem Shkreli e në dialogjet e heshtura, transmeton emocione dhe respekt për atë ç’ka ata lanë pas: vlerat dhe pasurinë e kohës së tyre, vullnetin dhe mirësinë, dashurinë dhe paqen.
Mendimi herë i qartë, herë metaforik, veshur nga figura të ndryshme letrare, bën të kuptosh se gjuha është një mjet i mirëpërdorur prej saj, një objekt i brishtë, i kamufluar, po aq i njohur në çlirimin poetik.
“Koha ka sy, ka veshë, ka duar, ka zemër, koha ecën, koha e mbijetuara e vetme hetuese dhe dëshmitare dhe ne jemi fije të treshme”, duket se harton shtegun e jetës poetja.
Vargjet e lira, çuditërisht, kanë një ritëm që nuk e humbasin askund, gjejnë vetveten dhe transmetojnë atë ç’ka lexuesi pret që kur sheh kopertinën, atë amalgamë ndjenjash dhembjeje, malli, shprese dhe forcën e dashurisë për të jetuar, jo vetëm në botën e lirisë së poezisë që ajo dëshiron.
“Dëfrim heshtnaje”, një libër që ngacmon ndjenjat më të thella njerëzore, që e mbysin shpirtin nëse nuk shpërthejnë.
Valentina Saraçini bëri që së bashku ta shijojmë heshtnajën në dëfrim!

Paris 2020

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento