Press "Enter" to skip to content

Ilir KADIA: E humbëm shtëpinë!

Kur ikëm nga shtëpia në fshat qamë! Edhe unë edhe gruaja. Na dhëmbi! Kaluam një jetë aty. Rritëm fëmijët dhe e pajisëm me mundim me të gjithë orenditë, si një shtëpi Tirane! Por djemtë nga Amerika na dërguan paratë dhe na thanë të blinim një shtëpi të re në kryeqytet. “Atje jetohet”, thanë. “Kur të vijmë me fëmijët në Shqipëri atje t’ju gjejmë, jo në fshat”. Dhe ne ashtu bëmë. E blemë një vilë me tri kate. Kati i parë dhe kopshti janë tanët. Katet e tjera për djemtë, kur të vijnë të na shohin.
Në Tiranë po të kesh para jetohet mirë. Djemtë na i dërgojnë rregullisht. Dy javë më parë na dërguan lajm se me të mbaruar kjo kohë e mallkuar virusi, që edhe atje ua ka nxirë jetën, kur të hapet Shqipëria dhe Amerika pra, do nisen me aeroplanin e parë. I thashë gruas se me siguri do t’i ketë marrë malli edhe për shtëpinë e fshatit. U rritën atje. Të shkojmë t’ia heqim pluhurat e ta ajrosim!
Ashtu bëmë. I hipëm benzit dhe për katër orë mbërritëm në shtëpinë tonë në Devoll. Ishte natë pa hënë. U ngjita nëpër shkallë të ngrija automatin. Shkallët kërcitën. Gruaja tha se nuk i pëlqente ajo kërcitje. Me të ndezur dritat, një tufë minjsh u shpërndanë gjithandej. Të dy vumë duart në kokë! Jorganët, librat, dyshekët, kolltuqet, qilimat, xhaketat, karriget, televizori, frigoriferi e gjithçka tjetër ishin bërë çika-çika e mbuluar me kakërdhi minjsh.
“Ikim”, tha gruaja. “Nuk është shtëpia jonë! Fiki dritat!”.
Ishte shtëpia e minjve!

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!