Press "Enter" to skip to content

Ilir KADIA: Kollarja

Dielli shkëlqente fort, por nuk ngrohte fare. Madje mua më dukej se dielli kish dhëmbë. Po rrija para morgut. Shoqëroja një mik, gruaja e të cilit kish vrarë veten. Bëja shoferin. Ish mars i vitit 1997, kur Shqipëria u çmend përnjimend! Po tymosja cigaren e parë në jetë. Befas nga dera e morgut doli një djalë i ri tek të 20-at dhe erdhi tek unë.
– O xhaxhi, di të lidhësh kollare?
Hodha cigaren dhe e shkela me këmbë. Hyra brenda. Në sallën akull të ftohtë, djali më tregoi shokun e vet, të cilit i kish veshur kostum të zi dhe një këmishë të bardhë. Më dha një kollare të re në dorë dhe po më shihte. Mblodha veten dhe bëra se dija si lidhej. Nuk kisha lidhur ndonjëherë më parë. Në garderobë që nga dasma mbaja një kollare të lidhur, që vetëm e shtrëngoja dhe e liroja, por nuk e zgjidhja se s’dija ta bëja prapë.
– E vranë tek hyrja e shkallës,- tha djaloshi.
Unë nuk e pyeta si e qysh. Ato ditë vrasjet ishin aq të shpeshta kudo. Por nga mjekra që dridhej ndjeva të më këputej loti i nxehtë, që më dogji gishtat. E sajova kollaren pa nyje dhe ja futa poshtë xhaketës. Atje, në gjoks i kish vrimat e plumbave me siguri, por unë nuk i pashë.
Djali që ma kërkoi këtë nder deshi të më paguajë. Ia zura dorën dhe ia mbajta shtrënguar sikur në grusht të kisha trurin e çakërdisur të Shqipërisë.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!