Press "Enter" to skip to content

Miranda Shehu-XHILAGA: Gjellë e pambuluar

Epo si nuk e merr dreqi, të vish në shtëpi e të zësh hundët me dorë, turfulloi ai duke përplasur derën: prapë peshk!… po, po, peshk, peshk e bizele të ziera, sepse kolesteroli po të zë nga fyti, enët e gjakut të janë bërë dru, hekur më mirë të them, shfryu ajo – e kujt i kishte shkuar në mend se kalcifikohej indi njerëzor, por ja që ndodh e tani sa herë hante turshi, ndonjë copë mish qingji të majmë, ndonjë qafë pate ose lyente një copë bukë me gjalpë i bëhej se ndërtonte barrikada brenda kraharorit e ngushtonte udhëkalimin e gjakut e ky i fundit, që donte të kalonte patjetër, sepse pompa punonte akoma, i ngjitej në tru e sakaq vetëm duke menduar i hipte një i nxehtë dhe kujtohej menjëherë se mund t’i binte edhe të fikët e shkonte të merrte një aspirinë nga ato që shkrihen në ujë dhe e pinte me fund… uf, të paktën jam i ndërgjegjësuar, mendonte… po vërja atë dreq kapaku atij kavanozi, mjaft me atë kripë, i shkrehej ajo, sepse një ditë do të të gjej në mes të kuzhinës ashtu të mbaruar, çka e bënte të mendonte se ajo në të vërtetë e dëshironte një gjë të tillë dhe menjëherë i kujtohej ai dreq amanet i fundit dhe për të njëmiliontën herë i tha vetes se do ta shkruante atë të shkretë testament, ku do të emëronte muzikën e preferuar që do të luhej në funeral, tek e fundit le t’ia merrnin edhe një valleje, sepse mort e gaz janë motër e vëlla… dhe ajo do të dukej kaq e bukur me fustanin e vetëm që mbante për raste, që i rrinte pas trupit dhe i përqafonte vithet e do të qante duke cikur pak cepat e syve me atë shaminë me dantellë që e ruante në sirtarin e parë së bashku me të vetmin komplet të brendshmesh të shtrenjtë që kishte dhe dikush sigurisht do t’i vinte dorën në sup duke i thënë se nuk e imagjinonte dot dhimbjen e saj, por se ai ishte vetëm një telefon larg dhe për çfarëdo që të kishte nevojë… nevojë hë, e çfarë nevoje na qenkësh kjo medemek, që kur na u bënë kaq të dashur këta njerëz, që as për vit të ri nuk i shohim më, por, kështu e ka kjo punë, bëjnë sikur të duan dhe fillojnë e të vizitojnë ca si shpesh, se helbete grua e ve e ka nevojë për shoqëri, të heqë ca mërzinë apo jo… u më të bëfsha e të kthefsha, shau nëpër dhëmbë të katër a pesë fytyrat e pisanjos-zuzarëve që iu shfaqën me duar rreth belit të saj, gjë që e bëri ta hiqte menjëherë kavanozin e turshive nga goja… apo nuk është si një faqekuqe e kolme nga ato të Rubensit dhe për inat të atyre fytyrave të shpifura, që tani nuk i hiqeshin nga sytë, mori një grusht hudhra dhe i futi me turr në gojë, sepse kripa e ngre, por hudhra e ul atë të shkretë… pastaj “ajo e Rubensit” i ishte vënë nga pas nëpër oborr me okllai në dorë dhe refrenin “vdeksh inshallah, vdeksh e mos u ngritsh nesër, që qelbe dynjanë, qelbe”… dhe ja ku ishte tani me këmbën e thyer në tri vende dhe atë “më rëntë pika, më rëntë”, që mërmëriste pa pushim ajo në anë të shtratit, ndërsa infermierja i vinte përpara peshk të gatuar në avull e bizele të ziera…
Melbourne, 1 qershor

Similar Posts:

Be First to Comment