Press "Enter" to skip to content

Andreas DUSHI: Harresa e E.

(Emri s’të fillon me “E”,
me çka, s’do ta them.)

Kur të të harroj,
malet e dhimbjes do kthehen në fusha që presin,
kodra do ngrihen mbi eshtrat e tyre,
por, kurrë male… Dhimbja e kujtimit tënd s’mund të ketë shoqe.

Ndër varrë, varret e mendjes do mbyllen.
E shkuara e trishtë më në fund do kallet.
Gjak i shurdhër si damar do bjerë në zemrën e tokës.

Hapësira e hapur do mbyllet jashtë grisë,
aty, bota mund të sillet rreth diellit të ikur, që tash do kthehet,
rrezet e tij s’do jenë më dëborë…
ku i dihet, mund edhe të ngrohin.

Djajtë e mi do t’i mundin engjëjt që më le,
e kuqja epshore do fitojë mbi të kuqen e turpit.
Me krahë zjarri do fluturoj nën tokë.

Zgavra e mallit në shpirt do boshatiset,
vendin e saj do ta zërë tjetër nevojë…
Kushedi ç’varësi do varet në portmantonë që mërdhinë pa mantel.

Harresa dhe kujtesa janë vesi e virtyti;
veçse cila është njëra e cila tjetra,
s’di të them!


Andreas Dushi ka lindur në Shkodër. Është vetëm 20 vjeç dhe ka shkruar novelën “Kur vdekja të na bashkojë”, romanet “Marrja e gjakut” (“Onufri”) dhe “Pragu i braktisjes” (“Albas”), si dhe është pjesë e disa antologjive me tregime, brenda e jashtë vendit. Romani “Marrja e gjakut” është përzgjedhur nga Ministria e Kulturës si një ndër tre më të mirët e vitit 2018.

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

Be First to Comment

    Komento