Press "Enter" to skip to content

Elida RUSTA: M’zhbane!

M’zhbane!
M’zhbane krejt,
me gjithë shpirt e me gjithë koca,
me gjithë gzime,
me gjithë vujtje.
M’ngatërrove!
Më bane trazinë t’shëmtueme gjanash
që s’duen njëna-tjetrën, po tana bashkë të deshtën veç ty.
Flokët e mi kanë hala
shejat e gishtave tu nëpër to
e s’më lan me rrejt,
me thanë se ti asnjiherë s’ma ke prekë shpirtin.
Varrosun ndër thoj asht lkura jote e mbetun prej sekondave
kur m’futshe në gji
a prej kohëve kur nëpër terrin që m’le
zgjatsha duert fort tuj t’tërhek
mos me t’lanë me shkue.
Harrohem,
ashtu si harrohet vedi i dikurshëm,
personi që asiherë s’ke admiru,
por veç ai ke mujt me kenë.
Sa pak për nji grue t’shitueme prej dashnisë!
Po unë jam grue tjetër, ti mos kjofsh!
Dashunoj me pasion,
vetmohim,
ashtu m’çohet shpirti prej deke.
Pa dashni buza nuk m’puth kurrë.
Nuk ban jo,
nuk ban me dashtë ndryshe,
as me vujtë e me dekë,
e dekës veç andrra me i kallzue.
Jam Evë që s’ma vret kpuca themrën,
atij kopshti që çelet veç për mue,
nji mollë mkati
tjetër me kafshue.

Të tjera nga ky autor:

One Comment

  1. Ori 21/06/2020

    Poezi shumë e bukur. Bravo!

Komento

Këtë e pëlqejnë %d blogues: