Press "Enter" to skip to content

Ilir KADIA: Besëpreri

Ai e kish pyetur babanë, që dukej se kish nisur rrugën pa kthim, se cilin nga shpirtrat do donte të takonte të parin dhe çfarë do i thoshte. Të atit i kishte rrjedhur një pikë lot, kish mbledhur veten me një frymëmarrje të thellë dhe ishte rrëfyer:
“Qentë lehën fort në mesnatë dhe unë dola të shoh kush ishte. Shtrirë në pragun e shtëpisë ish një djalë i ri. E kapa prej shpatullash dhe e shkunda. Ai mërmëriti shqip: “bukë-bukë”! E ngrita dhe e futa brenda. E mori veten shpejt pas qumështit të ngrohtë. Më tha se ishte arratisur nga Shqipëria, se atje populli po vuante shumë e se tek ne në Jugosllavi “kish bukë të bardhë, femra të bukura, rrok… jetë!”. Unë i tregova të vërtetën për jetën këtu. I tregova për axhën që u kalb në burg se ish shqiptar, për torturat e zhdukjen e shokëve dhe miqve të mi. I thashë se “yti mishin ta ha, por kockën ta ruan”, se ish nxituar që kish lënë atdheun, por se Atdheu është i gjerë e t’ia falte. I premtova se do ta ndihmoja me komandantin e postës, që fshehurazi e takoja dhe e kisha mik, që të mos pësonte asgjë, se besa për shqiptarin ishte vetë jeta. Ai më besoi! E vesha me rrobat e djalit të madh dhe të nesërmen në mëngjes, në shtigje që vetëm unë i dija, e përcolla përtej kufirit në tokë shqiptare, ku miku im, komandanti i postës, nxirrte njerëzit e tij për ndonjë mesazh nga unë. Ai erdhi vetë atë mëngjes. Dhe unë ia dorëzova në besë djalin e ri syshkruar nga Tirana. Nuk kisha bërë pak metra në tokë jugosllave kur dëgjova një breshërimë të gjatë…! Ma vranë atë djalë që mori me vete atëbotë mendimin se besëpreri isha unë, ndërsa komandanti i postës u ngrit në detyrë në Tiranë.”.
– Ta tha emrin e komandantit të postës babai atëherë? – e pyeta mikun tim gjakovar.
– Po, – m’u përgjigj. – Është një nga më pasurit e Shqipërisë.
Qëkur ma tregoi këtë histori dy vjet më parë, më bëhet se shoh “një nga më të pasurit tanë” mbushur krahët me kocka djemsh të rinj, të vrarë në kufi.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento