Press "Enter" to skip to content

Ornela MUSABELLIU: Merrmë, të lutem!

Litarë shiu varen trarëve të vjetër
Në këtë shtëpi ku veç aroma jote
Përzihet me zjarrin e fikur mbrëmjeve
Nuk ke më as mace të kotet hirit të shuar të oxhakut
Nuk ka më lëmshenj rrotull
As fije për të thurrur triko dimri
Të vegjlit u rritën
Shkëlqimit të dritave në vitrinat e botës nuk i thanë dot jo
E në krahë të plumbtë aeroplanësh
Rënduar veç nga lotët e brengat e tua
Mbërritën atëbotë, me joshje farfurinash
Ti, veç macen kishe
Dhe atë e varrose në dheun e lagur
Rrëzë ullirit po aq plak sa ty
Qave bashkë me shiun
Për macen
Për të vdekurit
E për të gjallët e harruar
Tani, edhe çatia pikon bashkë me shpirtin tënd
Shamia e bardhë kresë
Sterros njëlloj si hiri prej prushit të ndezur dikur
Duart ngroh me vetminë veshtullore
E sytë të mbyllen ngadalë
Me pëshpërima në buzë:
Merrmë, të lutem!
U ftoh oda
E një mace lëviz tjegullat në terr

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento