Press "Enter" to skip to content

Azgan BERBATI: Cikël poetik

 

Ndjekje të thinjura

Ti do të ikësh,
si një mërzi e pashprehur,
duke ma trembur nga krahët lumturinë,
siç trembet shpirti i një zogu në duart e fëmijës.

Ti do të bëhesh vjeshtë,
që unë të vij fill pas teje,
e të bëhem dimër,
të ngrij ikjet e tua,
dhe kur të bëhemi bashkë,
t’i ndjellim plakjen njëri-tjetrit,
me pleq prej bore.

Ti do të bëhesh vjeshtë,
që unë të thinjem pas teje.

Kënga që s’u këndua

Rrëzohet perëndimi nën qiell,
tërë shikimet rrëzohen mbas tij,
si një vjeshtë e papritur,
si një shpirt i trazuar.
Dhe unë këndoj pa zë shpeshherë,
për një shpirt, se mos ringjallet.
(A ka bota shpirt, vdekje a ka!?)
Edhe shirat këndojnë balada,
këngë e vjetër kthimesh…

O perëndim, më vjen të këndoj,
por, zëri im s’po del…

 

Fëmijëria

Nuk janë shira të reja këto,
i kam parë diku;
një ditë të hershme,
i ndieja si sot.

Kështu më vjen shpeshherë,
e vogla ime prej shiu,
dhe ikën nëpër dekada,
si troku i kalit të bardhë,
me frikën që s’kthehet më!

Unë e di;
E vogla ime prej shiu do të vijë sërish,
mbi trokun e kalit të bardhë,
përtej xhamit, përlotur me të mirën time;
fëmijërinë.

 

Mall

Tani që dita u zgjat,
ikëm nga shkurti i dimërt;
I dimërt dhe pa dëborë.

Rrugët e vendlindjes më ngjajnë,
si pleq të kërrusur malli,
që kërkojnë një fëmijë të humbur dikur,
të rritur para kohe.

Tërë mallet e botës kalojnë andej,
për një dëborë të vjetër,
për një pranverë të bardhë,
për një fëmijëri të shkuar!

Tërë mallet e botës,
mbi rrugët plot moshë,
enden pa u shuar…!

Përgjërim

Në verërat e mia plot bjeshkë,
luajnë fëmijët me mall,
kujtimet…

Tërë kafshët e egra më kujtohen,
madje edhe njerëzit,
kur vrisnin veten në syrin e tyre,
(dhe mendonin që kafshën vranë!)
por amanet faleni,
përshpirtjen e kaprollit për besën tuaj!
Dhe veten keni falur,
në emrin e pafajësisë së tij!

…përgjërohet nga larg një fëmijë gjahtari.

Sekonda i lindi të gjithë
(edhe kohën)

Dhe sekonda aq e vogël,
lindi shekuj të tërë,
andrra sa dy herë vetja,
dhimbje, tragjedi, vdekje,
njerëz që e mendojnë veten:
“oh, sa t’mëdhenj”.

Edhe dashuritë, lumturitë e t’mirat sekonda i lind, i rrit
krejt jetën,
sekonda,
e para dhe e fundit n’gjithçka.

 

Azgan Berbati lindi në Tropojë, më 15.03.1998. Është autor i librit me poezi “Britma e Heshtjes”, i cili u botua në maj të 2019-s, ndërkohë që është në proces botimi libri i tij i dytë me poezi.

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!