-S’është punë vaniteti! Mos fol si në libra. Është punë lëkure. Nevojë për t’u djegur!
Gruaja, që rrinte përballë, nuk ishte e një mendjeje! Kishte mbetur me gojë hapur nga gjithë ai rrëfim, ku përziheshin histori seksuale e dashurie nga më të larmishmet. Një lloj përroi i vrullshëm, mbushur me diej e fërkime, me yje të hutuar e rrezatime të rrezikshme. Po aq edhe me zhgënjime, përqurravitje sentimentale. Burri dukej i qetë. Thua se po fliste për një roman të lexuar herët, personazhet e të cilit kishin filluar të zbeheshin e duheshin thirrur me qetësi që të guxonin të shfaqeshin në rrëfimin e tij. Kishin mbi katër orë që bisedonin. Ajo i ndërhynte rrallë. Ai kishte vendosur t’ia tregonte të gjitha. Ajo vet ia kishte kërkuar. Kishin pasur një lidhje të beftë, plot zjarr, pastaj ajo po aq befas qe tërhequr. Nuk i besonte më atij burri. I dukej një teknicien i mirë, përdorues i suksesshëm i fjalëve përvëluese, fjalëve ndjellëse, atyre që drogojnë arsyen e vendosin motorin e saj në “Off”. Në të njëjtën kohë, ato fjalë ndezin fitilat e një bombardimi të brendshëm emocional, nga ata që shpërthejnë pa zhurmë, njëri pas tjetrit, deri sa hedhin në erë çdo mur mbrojtës e sjellin atë harlisje fishekzjarrësh emocionalë që ngazëllen dhe e shndërron një njeri në një qenie të ajërt, si muzg i përflakur mbi det.
Kështu i kishte ndodhur edhe asaj. Pastaj, befas, një zile alarmi e kishte përmendur! E kishte shuar si të qe zhytur në ujërat e akullta në kapje të kryqit. Dukej si një cung gjysmë i djegur, në pritje të ridaljes së filizave, për ta mbuluar plagën e shkaktuar. Ja, po rrinte aty me atë burrë, që pothuajse e kishte detyruar të rrëfehej. Dhe ai çuditërisht ishte bindur.
Po i fliste për një koreano-jugore:
– E kanë të çarën jo pingul, por horizontalisht! – qeshën të dy.
Asaj i duhej të besonte edhe këto “mrekulli” anatomike. Kurrë s’kishte parë një koreano-jugore lakuriq. Tjetri i gëzohej budallallëqeve të tij dhe qeshjes së saj. Ashtu, në atë lojë ku përziheshin emocionet e një dashurie të sapohumbur, me kënaqësinë e të qenit pranë saj, filli i rrëfimit dukej i pafund. Ushqehej nga një shpresë e vagët se ajo zbrazje e dhjetëra të vërtetave të jetës së tij, të mbështjella me grimcëza të pafundme të pavërtetash, do ta mbante marrëdhënien e tyre akoma në jetë, në mos me shkëlqimin e fillimit, të paktën në gjendje sporale. Ai ëndërronte një mbyllje të përkohshme, një si valë të ftohti, që i detyron pyjet të reduktohen, të ruajnë me kujdes sythet e një shpërthimi të ardhshëm. Ja pse i fliste për gra ekzotike, për seminare luksoze nëpër hotele, për puthje nëpër avionë, për shampanjë buzë liqenesh, për mbrëmje të ngrohta në net dimri pranë vatrave të ndezura nëpër shtëpitë malore zvicerane. Këto ngjanin të gjitha me një lloj letërsie sentimentale të shekullit të XIX. Ai i zgjidhte me kujdes historitë. Asnjë ngjashmëri me të përditshmen e tij, të tyren. Kështu shpresonte t’i krijonte asaj një gjendje limontie, një dobësim të beftë të atyre mureve, që ajo, me një shkathtësi marramendëse, i kishte ngritur pikërisht për t’u mbrojtur prej tij. Po i gëzohej fort vëmendjes së saj dhe po sintetizonte në tru themelet e një historie tjetër me një afrikane të takuar në Londër. Një afrikane në lagjen e bankave. Një tigreshë në botën e financave.
– Ngjante pak me Mishel Obamën! – nisi t’i thoshte.
– Mjaft! Mashtruesi im! Kam mbetur shtatzënë me gënjeshtrat e tua, që më bëjnë të vjell! – tha gruaja dhe u nis drejt tualetit, duke i dhënë një të lëmuar flokëve të verdha. Ai buzëqeshi pak hidhur. Por i pëlqeu ideja që e kishte lënë shtatzënë, të paktën me gënjeshtra! Nuk vdes kurrë ëndrra e një burri për të lënë shtatzënë një grua. Pasuri gjenetike – si ëndrra e njëqelizorëve të parë: të shumoheshin.
Pas pesë minutash ishin prapë ballë për ballë.
Të tjera nga ky autor:
- Supet
- Ujk i vetmuar
- Loja, shembja e qiellit
- Zarfi misterioz
- Plaga
- Llambë në dritare
- Verë e pasur
- Dashuri jetëshkurtër tek “Ora e ligë”
- Alpenperle (Pjesa e dytë)
- Alpenperle (Pjesa e parë)
- “Casa-Casino”-roman si një lirikë dashurie
- Arbër AHMETAJ: Në romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”, shkrimi është festa e lexuesit
- Arbër AHMETAJ: Drita e Lavinias
- Arbër AHMETAJ: Muzikaliteti i mitit të Kasandrës nëpërmjet përkthimit
- Arbër AHMETAJ: Mbijetesa e një personazhi të vdekur
- Arbër AHMETAJ: Shenjti Valentin
- Arbër AHMETAJ: Burrë i puthur (cikël poetik)
- Arbër AHMETAJ: Refleksione mbi romanin “Biri”
- Arbër AHMETAJ: Guri
- Arbër AHMETAJ: Ora e dashurisë
Be First to Comment