Press "Enter" to skip to content

Elida RUSTA: Këmishë malli

Fryn erë e ftoftë,
ngrin rrezja e diellit.
Unë qaj me synin tand mallin tem.
Eh, sa kujtime m’enden livadheve t’shpirtit!
Të vrafsha shpirt, që m’len me dhimb’ në çdo ikje!
Çka t’báj me vedin?
E rrzueme dyfish pá librin amë,
bosh n’udhëkryq.

Përditë asht e martë,
e martë edhe sot.
Eci n’majë gishtash,
mos me t’çue prej gjumi.

Me sy n’qiellzanë,
lexoj pergamenën tánde t’fundit shkruejtun me dritë.
Mbrrini si gjethe e lshueme,
zverdhë prej má të egrës stuhi.
Shtatë palë ethe m’shkuen shtatit.
Theva qelqet skutave t’shpirtit,
lidha nyje brinjët,
me pajtue vikamën n’gji.
Vshtirë!
Si me mbjellë lule krype n’bjeshkë.

Më duhen zogj,
pak qiell e ajër me fol me ty.
Plasa me t’thanë nji fjalë!
A po ke ftoftë jashtë ksaj dashnie,
atyne gjyqeve t’mdha,
a po mërzitesh se harroj që je dekë njimend?
Ma ke ndrrue qiellin,
o burrë,
edhe andrrat i shoh shkretë,
ujë e dhé.
Floktë i shkula shekullin e shkuem,
pata veç tuat
m’u kapë për to.

Ah, bre bab’!
Ma kalle ktë trohë shpirt,
si n’majin e vitit dymijë,
se maj ish bre kur u shemba s’pari,
e lotë gjaku u ranë bjeshkëve n’krahnor.

N’i pshtofsha kësaj stuhie,
ka me t’marrë malli për çikën tjetër.
Kam ndryshue shumë!
As grueja me sjellje t’amël,
as amazona s’ban ma punë te unë.
Xixëlloja kozmike puthet me hije t’ftofta.

Flej, fjetsh me flutura!
Ke datëlindjen sot.
Lulet po t’i bie n’varreza…

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!