Press "Enter" to skip to content

Dimitris DIMITRIADIS: Vdes siç vdes një vend

E urrej këtë vend. Më hëngri rropullitë. Të shkruaj ty, pasi bashkë dëshiruam që t’i bëjmë pjellore dhe ky zjarr na bashkoi me net të tëra; dhe me orë të tëra të ditës, kur papritur ndodhte një mrekulli dhe na bënte të harronim tmerrin që rridhte rrugëve nga damarët tanë… edicionet e shpifura të lajmeve që na pengonin madje dhe të vështroheshim… të thëna nga spikera të shkarë nga trutë… çirrmat e tyre, që arrinin të mbulonin madje dhe sirenat e ambulancave. Nuk e mendoja kurrë se zëri njerëzor mund të arrijë në lartësi të tilla…të jetë kaq i pafund…të shkaktojë një turbullirë të tillë me madhështinë e tij sunduese… Nejse, nuk arrita ndonjëherë të mësohem me njerëzit, por ky është një tjetër huq i imi. Ngutem tani t’ju them ca gjëra dhe këto do jenë dhe fjalët e mia të fundit. E urrej këtë vend. Më hëngri rropullitë. M’i hëngri. E urrej. Po, e urrej, e urrej. Nuk mund një grua të jetojë me rropulli të tilla brenda saj. Sa më tepër e mendoj, aq më shumë më vjen për të vjellë nga vetja. Ndihem si një e vjellë. Mund edhe të jem. Një grua… nuk është si një vend, i cili shfrytëzon rrënojat e tij, varret e tij… që shet gjithçka për ta bërë monedhë vendi… duke jetuar nga këto. Unë nuk dua të jem vend. Nuk jam vend. Nuk dua të jem ky vend. Ky vend është nekrofil, gerontofil, fekalofil, sodomist, putanë, kodosh dhe vrasës. Unë dua të jem jeta, dua të jetoj, do desha të jetoj, do desha të mundesha të jetoj, do isha e lumtur tani nëse do desha të jetoj… por ky vend nuk më lë të dua, nuk më lë të jem jetë, të jap jetë. Ka ngrënë si kancer sisët e mia, trutë e mia, zorrët e mia, ka zbritur gjithë gurët në veshka dhe m’i ka rrënuar, ka molepsur gjithë burimet nga do rridhte qumështi im, ka mbledhur gjithë dheun në damarët e mi dhe më ka kalbur gjakun, ka qëndruar i tëri mbi zemrën time dhe e ka rreckosur me infarktet dhe trombozat, çdo institucion i tij është dhe një infrakt, çdo ligj i tij një trombozë; dërdëllitjet e tij moralizuese më kanë shkatërruar mushkëritë, historia e tij më bën të dridhem e tëra, thua se vuaj nga Parkinson, qytetërimi i tij më ka shkalafitur, më ka nxjerrë shkumën, nuk vazhdohet më kështu; pozicioni i tij gjeografik është astma ime, e gjithë forma e tij shtrihet mbi trupin tim si një herpes gjigant dhe më çmend; herë merr formën e grabujës që futet në sytë e mi, herë të gjilpërës gjigante që më shpon kafkën e herë të shkëmbit masiv që varet nga majat e flokëve dhe më zvarrit drejt një deti lotësh të hidhur… dhe ndiej gjithë kohës zgjedhën e tij të më rëndojë qafën e mitrës, të më lidhë gjuhën belbëzimi i tij gagaç, të më shkaktojë djersë të ftohta vulgariteti i tij… fiksimi i tij pas fantazmave të tij, devijimet e tij, kopjimet, trutë e bllokuara, kufomat, qivuret, krimet e tij…

Ky vend është makthi ynë… Do na vdesë, do na zhbëjë. Si do shpëtojmë? Na pi gjakun, na e pi. Nuk më lë më as të fle, më ka vjedhur gjumin. Si do jetoj pa gjumë? Nuk do jetojmë… gjithë sperma e burrave të botës nuk do mundte të ngjallte atë të çarëzën e trupit nga nis jeta njerëzore… Ke zbrazur gjithë jetën tënde brenda meje, por më ke lënë pa jetë… Dhe ti nuk mundesh. Më ke mbjellë si farë, por fara jote nuk do zërë asnjëherë… nuk mundet të zërë më fara juaj… nuk do mbijë më kurrë jetë brenda nesh. Palo grua! Sikur të të kisha para meje, do të therja me duart e mia. Ah Zoti im, të mundesha ta vrisja! Arritën vrasësit e saj të mbërrijnë deri në mitrat tona dhe t’i mihin si varre, derrat, derrat, janë te gjithë derra, nga ta zë e nga ta lë, janë të gjithë vrasës, të gjithë. Me shtyjnë drejt një krimi të llahtarshëm, drejt një therorie të pafundmë, therorie të pafundmë… ah, si durojmë këtu brenda, si s’na ka çmendur akoma palo bushtra, kjo garotë, kjo laringspërdredhur, një komb i vërtetë në fyt. Me thikarët e kollarisur, që mbajnë fjalime zyrtare para thikarëve të tjerë të kollarisur. Çdo pore e saj është një çetë, çdo qoshe e saj një biçak, çdo centimetër i saj një grackë, mbushur plot me kurthe morti dhe thika të mprehta burrash vrasës, mashtruesish e idiotësh, vend qirësish burracakë dhe trafikantësh njerëzish, që na zhyt kokën në jashtëqitjet e saj, na jep shqelma të harbuara në bole, që na tret moj, na spërdredh, na rrënon, na përçan, na mbyt, na dënon, na vdes, na vdes, bundër, e shitur, e molepsur, morracake, helmonjëse, nënë-gjarpër, ujkonjë, gabele, inçestare, që gjithë kohës bën si majmune dhe dërdëllit si papagalle, këmbëters, ogurzezë, nursëze, nuk të duroj dot, nuk e duroj dot… vrasësen, fëmijëvrasësen, mëngjarashen, lepracaken, shtrëmbaluqen, qorren, shapkën, plakaruqen, plakaruqen që e pastë fatin e keq, nuk duroj më asgjë të sajën, asgjë, asgjë, e urrej, e urrej, ah, ah, të urrej, të urrej, të urrej, të urrej, do vdes përbindësh dhe do vazhdoj të të urrej, po… urrejtja vlon brenda meje, dua të shkruaj për së mbrapthi himnet e shkruara deri tani për të, fjalë për fjalë dua ta pushkatoj dhe ta mbys si qen me duart e mia…

Nuk jam më grua… As ti nuk je më burrë… Gjithçka na e mori ajo… Çfarë do i ngelet asaj pa ne? Çfarë do jetë ajo kur mos t’i ngelet asgjë nga ne? Dheu i saj ka marrë formën time… Trupi im ka tashmë përmasat e saj… Kam brenda meje fatin e saj… Vdes siç vdes një vend!

(Fragment)

Përktheu: Eleana Zhako

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!