Press "Enter" to skip to content

Ilir KADIA: Gështenjat e majit

Kur shkova për herë të parë në azil, të shihja xhaxhanë, tek dera, një grua në moshë, me valixhe të madhe në dorë, më ndali e më pyeti:
– I pe ata? Sot do vinë të më marrin me domosdo! Do më çojnë në shtëpi e do më pjekin gështenja! Ah, sa i hanin gështenjat zogjtë e nënës!
– O sa mirë! – i thashë unë, – Do kënaqeni me gështenja!
Ajo kish veshur çorape leshi të palyera dhe mbante shapka llastiku burrash. Mbi fustanin fanellate, një triko leshi me kopsa të zeza të një xhakete burri. Jetova me gëzimin e saj. I qeshnin sytë si fëmijë dy vjeç. Nxora nga çanta dhe i dhashë një copë të mirë byreku me spinaq, që ia kisha bërë xhaxhait.
E hëngri me shije të madhe dhe, pasi fshiu duart në fustan, mori qëndrim gatitu në të ftohtë, duke pritur t’i vinin ata!
Kur takova xhaxhanë, të parën gjë e pyeta se kush ish ajo zonjë. Më tha se kishte qenë mësuese dikur. Ishte martuar me një burrë ushtarak, i cili, me gruan e parë, pati dy fëmijë. Por ajo kish vdekur e re. Me ish-mësuesen nuk pati fëmijë, por kaloi një jetë derisa vdekja i ndau.
Dy djemtë i tij, që gruaja i rriti sikur të ishin të sajët, u martuan e hapën shtëpi më vete.
Kur e nxorën babanë të vdekur nga shtëpia, djemtë e çuan në azil ish-mësuesen dhe i dhanë urdhër të mos lëvizte që andej derisa të shkonin t’a merrnin. Shtëpinë e babait e shitën dhe lekët i ndanë mes tyre.
Mbas gjashtë muajsh shkova sërish te xhaxhai.
Te dera e azilit gjeta përsëri zonjën me valixhe, po me të njëjtin qëndrim gatitu.
– I pe ata? Sot do vinë të më marrin me domosdo!
Pastaj, tek shijonte copën e byrekut që i dhashë, më tregoi se si do ta çonin në shtëpi e do t’i piqnin gështenja mbi sobë. Edhe pse ishte maj…!

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento