Press "Enter" to skip to content

Anita ZELA: Gra të bukura

Keniani që mblidhte karrocat e shërbimit në dyqanin e madh të lagjes time ka ardhur në këtë qytet për mua. Nuk e dija këtë, as nuk kisha për ta ditur nëse nuk do ndaloja t’i jepja dhjetë dollarë një të diel, para më shumë se tri javësh.
Sot piva kafen e dytë me të. Atë ditë që e pashë për herë të parë ishte minus katërmbëdhjetë gradë celsius në drekë. Si zakonisht, të dielave dyqani gëlonte nga blerësit. E vura re që kur lashë makinën. Me trupin e gjatë dhe vetëm me kocka, herë pas here ulte kokën dhe fuste gojën në jakën e ngritur të xhupit të vjetër vishnje. Nuk kishte kapele. As shall. Vetëm një palë dorashka plastike kuzhine të verdha. Askush nuk ecte ngadalë si ai nëpër sheshparkimin e madh. Të gjithë nxitonin t’i fshiheshin të ftohtit tmerr, ndërsa ai vinte rrotull, duke mbledhur karrocat nga katër-pesë në çdo rrugë dhe i dërgonte në vendin e caktuar.
Megjithëse m’u dhimbs tek e shihja, nxitova të futem brenda. Kur u ktheva ishte në këmbë duke u përpjekur të ndizte një cigare fshehur mbas njërës prej kolonave të strehës. Ndalova. Nxora dhjetë dollarë nga portofoli e ia zgjata. Atëherë më pa në sy. Sytë e zinj brenda gropave të thella në atë fytyrë të errët m’u duk sikur më vunë në shpinë gjithë fajin e qiellit për atë dimër. U ndjeva në siklet. Nuk e di pse ata sy dukej sikur më lexonin thellë brenda kokës dhe nxitova t’i them:
– Bli një kapuç në “Dollar store”, mbase dhe një shall. Dimri sapo ka filluar.
I mori paratë dhe u nis të shtynte karrocën time plot.
– Jo, s’ka nevojë, – i thashë, por ndërkohë ai ishte nisur drejt makinës.
Eca pas tij. Ishte shumë ftohtë për të menduar se ka ende njerëz që duan ta meritojnë atë që marrin.
Me ndihmoi t’i vija kutitë e çantat në bagazh, pastaj tërhoqi karrocën dhe iku drejt një tjetre. Njësoj, ngadalë. E ndoqa me sy një çast dhe ika.
Që nga ajo ditë e kam parë çdo herë që kam qenë në dyqan. Po me atë xhup duke ecur ngadalë, por kishte vënë një shall e kapuç të zi. I kishte vënë që herën e dytë që u ndeshëm dhe, edhe pse unë i buzëqesha sa dola nga makina, ai vetëm më pa me ata sy të zinj si dy puse, që nuk u dallon dot ujin, por vetëm diçka të zezë në fund. Kur dola ishte përsëri në këmbë pranë kolonës e menjëherë më mori karrocën. I sistemoi të gjitha brenda dhe u nis të ikte. Nxora përsëri dhjetë dollarë. Ngriti vetëm njërën dorë në një gjest për t’më ndaluar, por unë ia futa ne xhep.
Përsëri nuk foli asnjë fjalë. As faleminderit. S’kisha nevojë të më thoshte. Ai shikim ishte më shumë. Ashtu si herën e parë, gjithë rrugën në kthim më dukej sikur sytë e tij më ndiqnin nga diku e më detyronin të mallkoja dimrin, fatin, deri dhe nevojën për të pasur një punonjës për karrocat jashtë dyqaneve. Kështu edhe të dielën tjetër. E njëjta gjë. I buzëqesha sapo parkova. Ai jo. Pastaj dola me karrocën plot dhe ai e dërgoi tek makina. I dhashë dhjetë dollarët dhe nuk foli. Nuk ia kisha dëgjuar asnjëherë zërin. S’e dija as edhe në mund të fliste. S’e dija nëse kishte rroba të tjera veç xhupit dhe xhinseve. Ku flinte? Të gjitha po i mendoja rrugës në kthim dhe ndieja përsëri sikur më shihte nga diku. Më gërryente mendimi që s’kishte folur asnjëherë. Mbase nuk fliste fare, ishte memec. Ose ndoshta nuk e dinte gjuhën. Kishte dhe një gjë tjetër. Me gjithë pamjen e tij të mjerë, më dukej simpatik e nuk më trembte. Mua në përgjithësi më trembin meshkujt që duken si të pastrehë, sidomos afrikanët, por s’e di pse ai nuk ma transmetonte një ndjenjë të tillë frike. Ndoshta për faktin se ai punonte. Kjo është puna që paguhet më pak në këtë vend, gjithsesi ai e kishte një punë.
Të mërkurën mendova t’i flas më gjatë. Ta pyes diçka. Iu afrova vetë kolonës ku më priste dhe duke i zgjatur dorën, i thashë:
– Unë jam Sofi.
Në fillim më pa, pastaj hoqi ngadalë dorashkën plastike e më në fund ma zgjati dorën e tij të madhe e të eshtërt. Ma shtrëngoi, duke thënë me zë të ngjirur:
– Azis.
S’i dhashë rëndësi faktit që nuk tha as “gëzohem”, por vazhdova:
– Nga je ti, Azis?
Nuk foli. U nis me karrocën drejt makinës dhe unë e ndoqa. Ndihesha pak e mërzitur që i isha prezantuar. Duke nxjerrë dhjetë dollarët nga çanta, nga inati desha ta provoj përsëri.
– Të pyeta, nga je?
Më pa përsëri. Kishte dhe diçka tjetër në shikimin e tij, përveçse që më bënte të ndihesha fajtore pa shkak. Më zhvishte mendimet. Sikur më njihte shumë thellë. Sikur s’mundja të fshihja asgjë. Rezistova duke e parë drejt, pastaj shtypa çelësin e makinës për të hapur bagazhin.
Nuk u përgjigj domethënë. Aty vendosa të pi kafen e parë me të.
– Në çfarë ore e lë zakonisht punën, Azis?
Ngriti katër gishta, duke futur një kuti të madhe kroasantësh.
– Okay, – thashë dhe, pasi i futa në xhep paratë, hyra në makinë.
Këtë herë, në kthim, sytë e tij më digjnin mbi ballë e brenda kokës. Përpiqesha të kuptoja pse doja me çdo kusht ta detyroja t’më tregonte për veten. Por… ndihesha më pak fajtore për xhupin e tij të vjetër.
E prita të premten pa zbritur fare nga makina edhe pse kur doli nga dyqani nuk kishte asgjë që tregonte se e dinte që isha aty. Do shihja ç’drejtim do merrte e pastaj do i shkoja afër për t’i folur. Erdhi drejt makinës time… Ula xhamin.
– Desha vetëm të pijmë një kafe, – i thashë.
Hyri pa folur pas meje. Në një fraksion sekonde më shkoi në mend: po sikur të ishte i rrezikshëm? Kudo ka maniakë, hajdutë, të çmendur. Vendosa të ndalonim diku afër dhe ktheva drejt “Starbuks” vetëm tri minuta më vonë. Zbriti para meje pa folur përsëri dhe priti që të hyja unë e para.
– Si e pi kafen?
– Të vogël, – tha. Fjala e dytë.
Pritëm t’i merrnim afër njëri- tjetrit, si të ishim shokë. Vajza e shërbimit e studioi disa herë pallton time kashmir dhe xhupin e tij, por kjo vetëm më solli në gojë një të qeshur gati për të shpërthyer.
Si unë edhe ai i hodhi vetëm pak qumësht dhe u ulëm. Gjithnjë zgjedh vendet afër dritareve, por këtë herë e zgjodhi ai. Hoqa pallton, ndërsa ai qëndroi me xhup dhe me kokën kthyer në anën tjetër, ndërkohë që unë rregullohesha për t’iu ulur përballë.
– A do më tregosh nga je Azis?
– Kenia.
– Sa vite ke që ke ardhur? – vazhdova.
– Dy, – bëri ai.
– Ke familje në Kenia?
– Po.
– Fëmijë?
– Prindër.
– Ke dy vjet pa i parë?
– Pesë.
– Pse ku ishe më parë?
– Europë.
– Ku në Europë?
Nuk u përgjigj.
– Më fal! – dhe ktheva kafen.
Dora e tij, me gishtat e gjatë e të zinj, kishte mbetur mbi tavolinë sikur ta kishte harruar aty. Më shihte në sy sa herë kthente kafen e pastaj hidhte sytë jashtë. Doja të dija më shumë; dukej se s’donte të përgjigjej. Atëherë zgjodha një gjë tjetër.
– Nga Europa më pëlqen shumë Italia. Kam qenë në disa vende, por Italia më pëlqen shumë për njerëzit. Të qeshur e të dashur me të gjithë.
Dhe vazhdova të flas. I tregova për Kaprin, për restorantet, për Milanon, Venecian, për… sikur sapo isha kthyer nga pushimet europiane. Kisha qenë dhjetë vjet më parë. Më dëgjoi e s’bëri asnjë pyetje. Mbaruam kafet. Isha dhe më e mërzitur se më parë.
– Mund të të ndihmoj me ndonjë gjë? – e pyeta duke dalë.
Bëri jo me kokë dhe më zgjati dorën.
– Nuk dëshiron të të çoj diku? – u habita edhe më shumë. Bëri përsëri “jo” me kokë dhe më hapi derën e makinës.
– Kam qenë në Itali, – tha, duke bërë një hap pas dhe u kthye e iku.
Kaloi rrugën duke iu drejtuar stacionit të autobusit. Kalova përpara tij, por nuk e ktheva më kokën. Një javë nuk shkova në atë dyqan.
Shkova sot. Ishte përsëri shumë ftohtë. Azisi nuk e kishte as kapuçin e as shallin. Ulte ndonjëherë gojën në jakën e xhupit e ecte ngadalë mes makinave duke mbledhur karrocat. E harrova inatin e të gjithë javës me veten. Zbrita dhe iu afrova. Ndaloi me disa karroca para vetes dhe m’u duk sikur ia pashë një buzëqeshje në cep të buzëve. Vetëm m’u duk.
– Më thuaj Azis, a ka ndonjë gjë që mund të bëj për ty?
– Po, – tha, pa m’i ndarë sytë.
Prita.
– Të më presësh një biletë për në Kenia.
Mbeta. Një biletë për atje duhej të kushtonte goxha para. Kisha menduar t’i blija rroba, xhup shall, çizme, madje një herë kisha menduar edhe të merrja nja dy batanije në shtëpi e t’ia dërgoja, por…
– Më sill pasaportën, – i thashë.
Vetë e kisha pyetur. Madje për të dytën herë. Mbase rrogën ua dërgonte prindërve atje, mbase kishte dhe fëmijë edhe pse s’më kishte treguar, mbase kishte edhe ndonjë të sëmurë. S’do më gjente gjë për një biletë. U nisa drejt dyqanit kur ai e nxori pasaportën nga një xhep brenda xhupit e ma zgjati. E pashë në dy puset e syve. Dukej shumë i vendosur.
– Për kur e do? – e pyeta.
– Sa më parë, – tha ai dhe i shtyu karrocat drejt vendit të tyre, ndërsa unë hyra përsëri në makinë.
Në fillim më befasoi pasaporta. Ai kishte lindur në USA dhe ishte qytetar amerikan. Kishte vula nga aeroporte të ndryshme në të gjithë botën. Nuk doja të kuptoja më shumë. Sigurisht që kishte një arsye, por ç’më duhej më?
Kisha nevojë t’ia bëja vetes tani, jo atij. Sepse nuk doja ta harroja. Sa më shumë t’më digjte, aq më shumë do e ndieja. Nga telefoni hyra në fluturimet për Nairobi. Biletat për pas dy ditësh kushtonin një mijë e katërqind dollarë. E kërkova me sy. Kishte ndaluar tek kolona e më shihte duke pirë cigare. E dallova që aty si lexoi brenda kokës time përsëri. E bëra biletën, në një fletë mbajta shënim numrin e fluturimit dhe oraret. Kishte filluar një stuhi dëbore.
Ia zgjata pa folur të dyja. I mori pa m’i ndarë sytë. Ndenjëm pak në këmbë përballë njëri- tjetrit dhe u ktheva. Nuk doja të blija më asgjë.
– A mund të pimë një kafe? – më foli pas shpinës.
– Po të pres në makinë, – i thashë, pa e kthyer kokën.
U vonua më shumë se pesëmbëdhjetë minuta. Gjithë kohën më qëndruan mbi ballë sytë e tij tallës, por nuk doja të ikja. Duhet ta lejoja deri në fund.
Asnjëri nuk foli, derisa u ulëm në tavolinën e “Starbuks”. Pasi më vështroi gjatë, pa e kthyer kafen, vendosi të flasë:
– Kam ndenjur gjashtë muaj në Itali. Po aq në Francë, po aq në Spanjë. Kam jetuar një vit në Egjipt dhe vetëm dy muaj në Portugali e Angli. Amerikën e kam parë pothuajse të gjithë. Në këtë qytet erdha përpara një muaji nga ti.
– Nga unë? – Pa dashje më doli një klithmë.
– Po. Të pashë një natë në rrugë përpara “Grand Central” në qytet. Më pe drejt në sy dhe të ndoqa. Ishe… je shumë e bukur. Fati më ka ndihmuar të njoh gra shumë të bukura. Erdha me trenin që erdhe ti. Tani është koha të shkoj.
Isha mbështetur pas. Një çast mendova të ngrihem e të iki.
– Nga e dije se do të ndihmoja?
– Sepse e kanë bërë të gjitha para teje.
Ndalova para derës së makinës një çast pastaj e ktheva kokën. Mbante gojën të futur në jakën e xhupit, duke më vështruar. M’i lexoi dhe një herë mendimet…

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!