1
Mes një dashurie dhe një tjetre, të dua ty.
Mes një gruaje që më la
dhe një tjetre që do të vijë,
të kërkoj ty; të kërkoj këtu e atje,
sikur zamani i vetëm është zamani yt,
sikur të gjitha premtimet bien mbi sytë e tu.
Si ta shpjegoj këtë ndjesi që më kaplon,
mëngjes e mbrëmje,
në mendje kur më vjen, si pëllumbeshë,
edhe pse jam mes grave më të bukura?
2
Mes dy premtimesh dhe dy grash,
mes trenit që vjen dhe një tjetri që ikën,
janë pesë minuta,
në të cilat të ftoj për një filxhan çaj,
para udhëtimi.
Janë pesë minuta;
brenda tyre të pyes si je,
të qaj hallet e mia,
shaj kohën paksa.
Janë pesë minuta;
brenda tyre e përmbys paksa jetën time.
Çfarë e quan këtë hapërdarje,
këtë trazim,
këtë ndëshkim të gjatë, të gjatë?
Si mund të jetë tradhtia zgjidhje?
Si mund të jetë hipokrizia e bukur?
3
Pas fjalëve pasionante në të gjitha gjuhët,
do të ketë fjalë që thuhen vetëm për ty.
Dhe poezi, që studiuesit do t’i lidhin me epokën tënde.
Mes kohës së verës dhe kohës së shkrimit është një kohë,
ku deti është i mbushur me kallinj.
Mes një pike boje
dhe një pike tjetre
flemë bashkë, brenda presjesh.
4
Mes stinës së vjeshtës dhe stinës së dimrit,
është një stinë; unë e quaj stina e qarjes,
ku shpirti është më pranë se kurrë me qiellin,
çaste ku të gjitha gratë përngjajnë më shumë se kurrë,
ashtu si shkronjat mbi makinën e shkrimit,
ku seksi bëhet aq shpejt
sa ç’shkruajmë mbi makinën e shkrimit,
në ato çaste, pa ndërprerje mes tyre,
pa dashuri, pa urrejtje, pa shkreptima,
pa rrufe, pa poezi, pa prozë,
pa asgjë.
Udhëtoj pas teje, hyj në të gjitha aeroportet,
të kërkoj në të gjitha hotelet.
Mund të rastis të të gjej…
5
Në çastet e pashpresa, zbritje, rënie, zbrazëtie dhe boshllëku,
në çastet e vetëvrasjes së dëshirave dhe vdekjes së shpresës,
në çaste kontradiktash,
ku të dashurat dhe dashuria të më kundërvihen,
ku poezitë të jenë kundër meje,
ku edhe gjinjtë që më dhanë besën mbi fron, të më vihen kundër,
në çastet ku lyp rrugëve të trishtimit, i vetëm,
mendoj për ty, disa sekonda,
e jeta më shndërrohet në bahçe trëndafili…
6
Në ato pak caste,
kur më befasojnë flokët papritur e kujtuar,
kur minutat mbeten shtatzënë me mijëra shpërthime
dhe ku të shkruarit është akt vetëvrasjeje,
ti vallëzon si flutur, mes bllokut dhe dy gishtave.
Si t’i luftoj pesëdhjetë vjet në dy fronte?
Si ta derdh mishin tim në dy kontinente?
Si t’i thur lavde dikujt tjetër veç teje?
Si të fle me dikë tjetër? Si?
Ndërkohë që ti udhëton në venat e dy duarve…
7
Dhe mes grave të bukura të çdo xhinsi e ngjyre,
mes mijëra fytyrave që më bindën… dhe ato që nuk më bindën,
midis një plage që kërkoj dhe një plage që më kërkon,
mendoj epokën tënde të artë…
Epoka e manjolës, e qirinjve dhe e parfumeve.
Ëndërroj për epokën tënde, që ishte më e madhja e kohërave;
çfarë e quan këtë ndjesi?
Si ta shpjegoj këtë mungesë të pranisë dhe pjesëmarrjes?
Si mund të jem këtu… dhe atje?
Si vallë kërkojnë ato t’i shoh…
kur në botë s’ka grua tjetër veç teje?
8
Të dua ty! Edhe kur dashuroj tjetër kënd.
Pi për shëndetin tënd, kur më shoqëron ndonjë femër për darkë.
Më rrëshqet gjuha…
Dhe thërras emrin tënd kur dua t’i thërras asaj.
Teksa ha, përqendrohem e vëzhgoj ngjashmëritë
mes vijave të duarve të tua e të asaj…
Ndiej se po bëj klounin,
kur i mbaj sytë tek shalli i mëndafshtë mbi supet e saj.
Ndjej se po tradhtoj të vërtetën,
kur krahasoj mallin për ty me mallin për të;
çfarë e quan këtë?
Dualitet… rënie… arrati… perversitet… çmenduri?
Si të jem tek ti dhe të pretendoj se jam tek ajo?
Përktheu nga origjinali: Elmaz Fida
Të tjera nga ky autor:
- Dëshmoj se nuk ka grua tjetër si ti
- Tri poezi
- Shtatori
- Nizar Kabani: Poemë e egër
- Nizar KABANI: Bota ma hedh fajin mua
- Nizar KABANI: Të premtova
- Zemërohu!
- Takime sekrete
- Faqe të mbyllura
- I urrej pyetjet (Poezi)
- Dy mikrotregime
- Ku ka dashuri, ka paqe (Cikël poetik)
- Poezi
- Poezi
- Unë jam nëna e të gjithëve
- Nizar KABAN: Kaposhi delenxhi
Be First to Comment