Press "Enter" to skip to content

Shazim MEHMETI: Monologu i flamurit

Rrëzë kodre, mes varresh, ka vite që më kanë ngulur mbi kryet e varrit të këtij dëshmori, që ra për mua.
Jeta mes varresh është një tmerr i rrallë. Qetësia, e padurueshme.
Era që m’i rreh pandalur trup e krahë, po ashtu e padurueshme.
Dielli përcëllues, rraskapitës, më djeg e përcëllohem në erë, ditë pas dite, përgjatë shumë vitesh; përgjatë shumë verash.
Dimrash, lagem e ngricem.
Dita kur më ngulën mbi këtë varr dëshmori, qe dita e varrimit të tij.
Një ditë korriku, e nxehtë, përvëluesë.
Dielli vërtet përcëllonte mu si sot, por njerëz kishte shumë; me mijëra e mijëra, besoj.
Ajo qe dita e kulmit të përkrenimit tim.
Por, diagrami i jetës sime dhe i përkrenimit tim është drejtëz që bie; ata që e njohin gramatikën e dhembjes dhe vetmisë e dinë se ç’dua të them.
Javën e parë, mbi këtë varr, e kalova disi. Vinin ca më shumë njerëz dhe nuk e ndjeja aq fort vetminë.
LAVDI!-të që shqiptoheshin nga gojët e e tyre mbi varr më jepnin përkrenim.
Tek-tuk, merrja kurajë edhe nga ndonjë fytyrë e përlotur.
Lotët e familjarëve nuk do t’i harroj, edhe kur të mos jem më.
Lotët e asaj nëne plakë dhe lotët e zonjës së re, sidomos.
Por, për çudinë time, njerëzit shpejt u rralluan!
Përditë më pak njerëz vinin mbi këtë varr.
Dhe, si rrallonin vizitat e njerëzve, ashtu shtohej vetmia ime, aq sa një ditë e kuptova se përkrenimi im dhe jeta ime qenkëshin të varura nga lotët.
Në javët që pasuan nuk erdhi kush, përveç asaj nëne shamizezë dhe zonjës së re, po ashtu shamizezë, që pak nga pak erdhi gjithnjë e më rrallë, me dy fëmijë përdore.
Si u bënë gjashtë muaj e si nisi dimri e acarri, sytë e mi s’e panë më as zonjën e re me fëmijët.
Veç zonja plakë vinte të premteve, aty kah mesdita, e derdhte lot me grushte.
Nuk më del mendsh figura e saj e zezë, tek ngjitej e kërrusur drejt varrit, mbi borën e bardhë.
Vetmia ime shtohej e dimri egërsohej. Era më rrihte krah e m’krah.
Përkrenimi im binte ditë për ditë, sipas diagramit të drejtëzës që bie.
Një të premte shkurti s’u duk as zonja plakë! Me vete thashë: “Ç’ndodhi, o zot? O, vetmi, vetmi! O, dimërjetë!…”
Pas dy javësh, një të shtune që dhunohej mish e shpirt nga ai dimër i egër, pashë largas katër figura të zeza që ecnin drejt varreve; mbi krahë, një arkivol.
Kur hynë në varreza e u afruan tek unë dhe te varri i këtij dëshmori të ngratë, e mora vesh se kishin sjellë zonjën plakë.
Ah, se mos harroj!
Pas një viti, në këtë rrugë që kalon, këtu, përposhtë varrezave, më ndodhi ta shoh tek kalonte zonjën e re. Nuk ishte me të zeza.
I ngjitej një burri për krahu, me shumë dashuri.
U kujdesa ta përkujtoj disi, me ca valëvitje dëshpëruese në erë, por ajo as kokën nuk e ktheu këtej varrezave!
Tani kanë kaluar vite e s’shoh më njeri të na kujtojë. Trupi im kalbet. Fytyra ime zbehet. Nuk jam më, as i kuq, as i zi.
Po ndodhi t’ju sjellë rruga këtej, do shihni se jam veç një leckë në erë.
Leckosja dhe rrahje-era, paskan qenë fati im…

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!