Meqë sapo kaluam ditën ndërkombëtare të librit, po sjell në vëmendje një problematikë në lidhje me librat e ndaluar në shkollat amerikane. Është shkruar pak vite më parë, por ky problem ngelet pothuaj i njëjti në çdo kohë.
Në vitin 2016, në një shkollë të mesme publike në Virxhinia u hoq nga programi mësimor “Aventurat e Hakëllberi Finit”(Adventures of Huckleberry Finn) e shkrimtarit Mark Tuen, për shkak se libri ka “gjuhë fyese me karakter racor”.
Mendoni habinë time kur gjithashtu gjeta në listën e librave të ndaluar “Aventurat e Tom Sojerit”, për shkak se bibliotekat e shikojnë si të dyshimtë protagonistin në “aspektin e karakterit moral”! Kujtesa ime e gjimnazit ende ruan të pashlyer mirënjohjen e bukur të Beki Theçer për Tomin, kur ai e mori përsipër fajin e saj: “ Tom, how could you be so noble?”.
Dy herë Mark Tuen i ndaluar! Pse? Kush ka frikë prej tij? Si magnetofon i prishur xhiron në mendje refreni i sotëm i të qënit “politically correct”.
Në fillim të viteve 1900, në programet e shkollave të mesme amerikane listoheshin vepra të Washington Irving, Nathaniel Hawthorne, Alexander Pope, Henry Wadsworth Longfellow, Charles Dickens, Sir Walter Scott, William Shakespeare, etj.
Sot vihet re një tendencë e largimit nga letërsia, që fillon që tek moshat shkollore. Fëmijët amerikanë kanë filluar të mbajnë “dietë” në letërsi. Ka një përhapje të censurës për librin për fëmijë dhe duket sikur kushdo mund ta bëjë këtë, duke filluar që nga bibliotekat pa kurrfarë orientimi apo udhëzimi. Zëri i specialistëve të letërsisë pak merret në konsideratë. Dr. Amy Pattee, në kolegjin “Simmons”, Boston, thotë: “Studimet e fundit tregojnë që bibliotekat sa vjen e më shumë po angazhohen në vetëcensurim, pa asnjë udhëzim nga lart. Ato zgjedhin e bëjnë rekomandime leximi vetëm për libra për të cilët nuk ka debat apo mendime të kundërta. Kjo bëhet nga frika e reagimit të publikut “
Nëse do t’i hidhni një sy veprave të ndaluara, do të gjeni aty librat tuaj më të preferuar të letërsisë amerikane dhe asaj botërore.
Mark Tuen është autori që kemi njohur që herët në rininë tonë, ndaj të duket e habitshme të dëgjosh që këtu, në vendin e tij, ai rrezikohet të hiqet nga programet mësimore, ndërkohë që është studiuar në shkollat amerikane për më shumë se 100 vjet nga breza e gjenerata të tëra adoleshentësh. Libri i Mark Tuenit “The Adventures of Huckleberry Finn”, që nga lindja e tij e deri më sot, mbetet një nga më të diskutueshmit e të gjitha kohërave. Për herë të pare, ky libër u ndalua në Concord, MA në 1885-n, duke u konsideruar i përshtatshëm “vetëm për lagjet e të varfërve”(!)
Në shtetin e Virxhinias ngrihet sërish për diskutim, pas ankesës së një nëne në mbledhjen e këshillit të prindërve: “Dëgjoj vazhdimisht të thonë “janë libra klasikë”. Puna është që Huckleberry Finn ka të folur racor… “.
Debati nëse libri “The Adventures of Huckleberry Finn” është apo jo “racist”, për shkak se fjala “negër” përdoret shpesh në roman, ka ngritur dyshimin nëse ky libër është i vlefshëm për të qenë në sistemin arsimor të shkollave të mesme publike.
Ndërkohë ka mësues që dalin në opozitë me këto libra për shkaqe të çuditshme, shpesh të pabesueshme, që vënë në dyshim kulturën e përgatitjen e tyre profesionale.
Në 2009-n, në shtetin e Uashingtonit, një mësues i shkollës së mesme, Xhon Folli, kërkoi që libri të hiqej nga programi mësimor e të zëvendësohej me një libër më modern. “Romanet ku fjala ‘N-‘ (negër) përsëritet, duhet të hiqen nga përdorimi.”, – deklaroi ai. “Vetëm duke dëgjuar fjalën “negër”, nxënësit shqetësohen”. Madje Folli shkoi deri aty sa të kërkojë që të hiqen nga lista e leximit të gjithë librat që kanë këtë lloj gjuhe edhe për të treguar që Amerika “është gati për ndryshim”. Ai e pa të arsyeshëm një ndryshim të tillë me rastin e zgjedhjes së Obamës president. E vërteta është që zgjedhja e Obamës president, ishte jo vetëm një ngjarje historike – i pari president me ngjyrë në SHBA – por qe edhe mjaft emocionale. U duk për një moment se diferencat racore do të shkriheshin dhe humbisnin përfundimisht.
Në 2011, botuesit u përpoqën ta zbusnin problemin, duke zëvendësuar fjalën “negër“ me “skllav”, por për një njeri të lirë ky ishte adresim krejt i gabuar.
Në vitin 2016, libri “Aventurat e Hakëllberi Finit” u hoq nga programi mësimor në një shkollë publike të shtetit të Virxhinias, për shkak të fjalorit “racor”. Në Virxhinia, në shkollat publike, prej nga mori shkas ky shkrim, aktualisht po rishikohen librat e Mark Tuenit për të vendosur nëse do t’ia vlejë të vazhdojnë t’i mbajnë në bibliotekat e shkollave ose jo. Romani tjetër i Mark Tuenit, “Aventurat e Tom Sojerit”, u ndalua në biblioteka, sepse bibliotekarët e shikojnë si të dyshimtë karakterin e protagonistit.
Ekspertët e letërsisë pohojnë se “nëse vendoset që të mos studiohen këta libra, atëherë do të thotë që ta fshijmë artificialisht racizmin nga realiteti, kur ai në fakt ekziston në shoqërinë e sotme amerikane. Philip Nel, profesor i gjuhës angleze në universitetin e Kansasit, specializuar në literaturën për fëmijë, në një intervistë për shtyp tha se fakti që libri nuk i bën të ndihen mirë nxënësit e mësuesit për shkak të gjuhës së përdorur, nuk është shkak për të mos i mësuar këto libra. Përkundrazi, pikërisht parehatia që ata provokojnë, është një ndihmë e madhe për një mësues të mirë për të krijuar një debat të frytshëm në klasë.
Përmenda këtu fatin e dy librave për fëmijë. Mjerisht, lista e librave të ndaluar është e gjatë dhe përfshin kryevepra botërore.
Të tjera nga ky autor:
- Albana M. LIFSCHIN: “Gjyshja” (dhe “Diella”)
- Kur goditej Hollivudi – Albana M. Lifschin
- Albana M. LIFSCHIN: Basti i kuajve
- Albana M. LIFSCHIN: Lypësi i metrosë
- Albana M. LIFSCHIN: Cikël poetik
- Albana M. LIFSCHIN: Duart
- Albana M. LIFSCHIN: Poezi
- John POWELL: Mbi marrëdhëniet njerëzore
- Albana M. Lifschin: Si lindi emri “Shtëpia e Bardhë”
- Albana M. LIFSCHIN: Një president i ve në Shtëpinë e Bardhë
- Albana M. Lifschin: Gruaja në lisharës
- Albana M. LIFSCHIN: Humbja e puthjes
- Albana M. LIFSCHIN: Vjehërr amerikane (Novelë. Pjesa 2.)
- Albana M. LIFSCHIN: Vjehërr amerikane (Novelë. Pjesa 1.)
- Albana M. LIFSCHIN: Vjehërr amerikane (Novelë. Pjesa 7.)
- Albana M. LIFSCHIN: Vjehërr amerikane (Novelë. Pjesa 6.)
- Albana M. LIFSCHIN: Vjehërr amerikane (Novelë. Pjesa 5.)
- Albana M. LIFSCHIN: Vjehërr amerikane (Novelë. Pjesa 4.)
- Albana M. LIFSCHIN: Vjehërr amerikane (Novelë. Pjesa 3.)
- Albana M. Lifschin: Fqinji ynë, Petro Marko
Be First to Comment