Press "Enter" to skip to content

Farida RAMADANI: Poezi

 

Bota brenda teje

E du nji botë me emnin tand,
me të shkru vetëm kangë dashnijet,
ku yjet asnjiherë s’du t’i pranoj n’lamtumirë!
T’i mbaj qut tan natën,
t’i flas me zanin e ngërdheshun prej sforcimit.
Shpirti t’hutohet prej lumtunisë,
prej lodhjes buzqeshja mos vyshket.
E ç’randsi ka nase thon bota: asht e çmendun?!
Flutra prap sillet rreth kandilit,
nuk don me dit për furtunen tonë.
Gjethi lun frymës t’shpejtume;
kreh flokët me parfum ofshamash;
loti shkulet deri në dhimbje t’gëzushme,
bashkë me lotin tand deri nadje.
Paskam fjetë në syt tuj,
ndërsa nata na u idhnu,
prap  filloi me qep çarçafat për natën tjetër,
endun me tokën e diejve,
sepse vetëm aty mundem me vrapu,
bashkë me lumtuninë,
qi pranaj lutjen teme,
n’driten e nxehtë të shpirtit,
ku u prenë damarët e fantazisë,
n’realitetin dritëqindisun.

Femna asht gjithmonë dashni

Dehur në luksin e vargjeve femnore,
si nji fillim bote ku janë fshi tanë kufijtë,
flladi zbulon amëlcinen e vargut me uragane mesazhesh,
fjala shqip,
si rracione dielli krijon, pa pyet askend, nji lum kristali.
N’fluturim dita pin hareshëm vesen optimiste,
ndërsa nata hedh krahëve yjet e pagjumuna xheloze.
Brezat transmetun se jeta asht ma e fortë se vdekja,
e dashnia e fjalës shqipe asht sa të dyja bashkë.
Ndjenjat i ka ba gërshet n’pasqyr të historisë njerëzore,
vargu i pastër pikon aromën e gjethit të gjelbërt,
vizatu me mall në sytë e shqiptarve lot gëzimi e hidhërimi.
Përgjatë kurrizit tem ushëtin lutja me zgjat kja fest,
frymëmarrja e vargut femnor me u ndi deri në deje,
si dritë hyjnish qi nuk pranon arna fjalësh.
E shenjta grua, qi prej dhimbjes lind jetën,
buzëqeshjen edhe në ditë të zymta e mban fresk,
me dedikim t’prarum puth horizontin e rrok erën,
ylberit të fjalës s’ja kthen shpinen,
planeti i saj t’u thur kohen asht vesh tan jetë.
Mendja rrokë tan trupin e frymen e mban gjallë,
krahëhapun me melodinë e puthjes miqsore.
Nuk du me puth ikjen, se tatuazh do t’la në kujtes,
në dërras t’krahnorit tand du me shkru tan lakmi:
femna asht gjithmonë Dashni!

Përgatiti për botim Shqipto.com

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

Be First to Comment

    Komento