Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

Orët e këtij qyteti

Ora lokale e këtij qyteti,
asnjëherë nuk përshtatet me mua,
me rendjen time,
punën, jetën,
gjithçka që kam ndërtuar.

Kur nisem ndër male,
rreshtohen fusha,
me kodrat pak më larg.
Unë lodhem, orët prapë nuk ndalen
e ngrihem, nisem prapë.

Më thërret jugu,
shkoj drejt perëndimit,
sikur kërkoj pak fat.
Më dhemb ky fakt e mes zhgënjimit,
iki e fshihem larg.

Jetoj në mes të këtij qyteti;
varrezat majtas, deti deri në të djathtë,
në mes dy botësh, të gjithë njerëzit,
të vdekur edhe të gjallë.

Unë rend e vetëm rend,
gjithë jetën më ndjek një ngatërresë e vjetër.
S’i kap dot kohët në këtë qytet,
e eci veç me zemër.

Pa mua

Po qesh pa mua?
Unë buzëqesh e mendoj,
shpirt, sytë e tu të gëzuar,
që më magjepsin.
Gjithçka rreth meje ka lulëzuar
e lulet ende çelin.

Po qan pa mua?
Unë mblidhem, si një kërmill,
brenda guaskës së heshtjes sime.
Një lot më rrëshqet, i lëmuar
e ikën fshehtësive.

Po fle pa mua…
Oh, ti qesh, qan, fle pa mua!
Oh, ç’dhimbje!
Tërhiqem, por s’jam e zemëruar,
s’dua më as paqe, as grindje.

Pastaj kreh flokët me kujdes,
(bukuritë më janë ngatërruar)
e kaloj krehrin sipas gjatësive.
Ende dëgjoj: ‘Të dua shumë’,
larg e thellësive.

Cikël

Hesht,
e heshtja grumbullohet, bëhet mal.
Nga mali rrokulliset drejt një fushe,
ku loz shpenguar një fëmijë.

Unë qesh,
e qeshja shpërndahet në tufa zogjsh,
që nisen drejt perëndimit.
Gëzimet kanë krahë, fluturojnë,
gjithmonë përtej harrimit.

Unë dhemb,
e dhembja nxjerr rrënjë,
rrënjët, kërcell e gjethe.
Heshtem e prapë grumbulloj,
si cikli i kësaj jete.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment