Press "Enter" to skip to content

Safo: Tri poezi

Kthehu sërish pranë meje, të ysht Gongila,
veshur me mantelin e bardhë si qumësht, shfaqu përsëri;
e bukura ime; ta dije se ç’llahtare më zgjon në shpirt,
kështu e veshur! Dhe sa e lumtur ndihem që jo unë,
por vetë hyjnesha jonë ta thotë, sikur të qorton,
që kaq vite i lutem e i lutem.

Gongila, thua se më pushton një pasion të vdes,
dhe në brigjet ku lulëzon zambaku brenda vesës,
Akerontin të ndesh.

Mirë se erdhe Girina! Dhe ndonjëherë them,
të rrish pranë meje vite shumë, sa për gjithë kohën
që më mungove.
Dhe as që besoj se do gjendet ndonjëherë
nën dritën e diellit,
një virgjëreshë me dije si tënden.

Akoma më e bukur them se është Mnasidika,
madje më shumë se e dashura Girinë.
Eja Dika të bësh kurora me glikanxë të freskët
dhe mbi flokët e tu, që janë vetë mrekullia,
me gishtërinjtë lodrues t’i vendosësh,
pasi dije se Hyjneshat e lumnuara duan që t’u shkosh lulestolisur,
ndryshe s’do pranojnë të të hedhin as sytë.

Por si mund të të lë ty, Mika ime e ëmbël;
edhe nëse rastisi të të duan vasha nga soji
i Pentelidëve,
dhe natyrës së tekave tona,
një këngë magjepsëse të butë në vesh
psal
dhe bilbila cicërimëharlisur
vesë pikojnë…

Nuk më ndodhi kurrë të njoh grua
më kryepërpjetë se ty, e bukura ime,
që për hirin tënd, mbi altarin e një dhie bardhoshe,
dhjamin e saj do ndez për fli;
e mendoj ende të lë pak për ty
ndonëse
ngjan se më ke harruar; padrejtësisht, edhe pse
s’ekziston ndonjë tjetër, që ta duash shumë më tepër.

(shek. VII e.v, gjysma e shek. VI e.v)

Përshtati nga greqishtja e vjetër: Odysseas Elitis
Përktheu nga greqishtja e re: Eleana Zhako

Poetesha Safo konsiderohej nga grekët e lashtë si “Muza e dhjetë”. Lindi në vitin 630 para Kr. në Lesbos dhe vdiq në vitin 570 para Kr. Shquhet për poezinë lirike arkaike, të shkruar për t’u kënduar e shoqëruar nga lira. Në ditët e sotme konsiderohet si simbol i homoseksualitetit, megjithatë, në shekujt e parë para Krishtit, shihej si një grua fisnike heteroseksuale. Akuzat për homoseksualitet mendohej se kanë qenë të qëllimshme për t’i ulur reputacionin, ndërsa studiuesit e sotëm janë ende të paqartë për këtë gjë. Ka qenë e martuar dhe kishte një vajzë me emrin Kleis. Poezitë e Safos ishin shumë të njohura e të pëlqyera nga poetët e vjetër grekë, por po aq të pëlqyera ngelen edhe në ditët e sotme.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!