Press "Enter" to skip to content

Miranda Shehu-Xhilaga: Dëshira të vogla

Nica i ka duart e vogla, gishtërinjtë proporcionalisht të gjatë e të hollë, thonjtë në formë katrore. Nica kafshon thonjtë. I kafshon kur sheh filma, kur grinden prindërit, kur nuk mban dot urinën përpara pushimit të drekës, kur pret autobusin, përpara se ta zërë gjumi. I kafshon gjer në rrëzë, gjersa ndjen atë dhimbje të mprehtë që ther në palcë, që të bën të ulërish. Qan nga dhimbja, shan veten, betohet se nuk do ta bëjë më, i mban nën ujë të rrjedhshëm të ftohtë për disa minuta, pastaj i than përgjysmë dhe vë pak krem përpara se të veshë dorezat e bardha, si ato që u veshin bebeve triditëshe për të mos gërricur fytyrën. Dhe shtrihet të flejë. Nica sheh gjithnjë një ëndërr me thonj të gjatë, të rrumbullakosur në majë, të lyer me ngjyrën e preferuar të saj, diçka mes nudos dhe rozës, ngre dorën e djathtë, e lëshon si krejt padashur mbi flokë të shtyjë balluket pak përmbi ballë, që në këtë mënyrë bashkëfolësi, një djalë i gjatë brun, me sy të zgjuar e vetulla të bashkuara në mes, të mund të vërejë elegancën e thonjve të saj; i merr dorën në dorën e tij dhe pastaj, me një kurajo të çmendur, ia kalon në supin e majtë dhe dorën e vet e kalon rreth belit të Nicës. E kështu kërcejnë një dans të ngadaltë, nga ato ku koka e Nicës pushon në gjoksin e tij, mu pranë zemrës, e tik-taket e saj i bëhen muzika e jetës.

Drita e mëngjesit hyn përmes dritares së vogël. Nica zgjohet nga thirrjet e kërcëllitja e karrigeve në kuzhinë, fjalori i ndyrë i të atit dhe përgjërimet e së ëmës. Fut kokën nën çarçafë, mbledh duart grusht, lëkura në majë të gishtërinjve tërhiqet, dhimbja pushton qenien e saj të brishtë, të vogël, duke ndalur zhurmën si me magji për disa sekonda…Nica fillon të lutet, të lutet vetëm për një thua…

Similar Posts:

Be First to Comment