Press "Enter" to skip to content

Gjergj FISHTA: Gjuha shqype

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjama e rrfes zhgjetare,
porsi ushtima e nji termetit,
ngjashtu a’ gjuha e jone shqyptare.
Ah! po; a’ e ambel fjala e saje,
porsi gjumi m’nji kerthi,
porsi drita plot uzdaje,
porsi gazi i pamashtri;
edhe ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubimit,
ka’i bien qiellvet tue fluture
n’t’zjarrtat valle t’ameshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi kete gjuhë të Perendis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’vetën e len mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
shi prej djepit na kanë thanun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhanun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik’ ma para,
n’agim t’jetës kur kemi shkue,
tue ndjeke flutra nëpër ara,
shqyp ma s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhe t’t’Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xuni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat fole njatyne ushtrive,
qi sa t’drise e diellit rrota,
kanë me kêne ndera e trimnive.
Pra, shqyptare çdo fes qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
Nëpër gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’vetën rrnoftë Shqypnia!

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento