Press "Enter" to skip to content

Alma BRAJA: Cikël poetik

Ishull

Tejet e mërzitshme
e parashikueshmja e ardhme
nëse është për të gjithë njësoj –
tha ai
dhe me një durim të thellë
sa deti
pa veten si shndërrohej në ishull.

 

Shije në rrënoja

Në rrënojat e sapozbuluara,
një arkeolog i gjunjëzuar,
diçka përpiqet të pastrojë.

Diku më tej, pranë një tryeze
një skelet i veshur rrecka,
duket sikur e shikon.

Nga dritëhija e rrënojave,
një tjetër arkeolog dëgjohet:
“E pamëshirshme koha me poetin!”.

I gjunjëzuari pak më tej skeletit,
duke vazhduar pastrimin, thotë:
“Po, por këto fjalë ende kanë shije…”.

 

Afrohu

Nuk dua të të shoh në sy.
Dua t’i mbyll qepallat e të të prek;
është tjetër ndjesi të prekësh.
Tjetër përjetim.
Sepse kur të ikësh kështu do të të shoh.
Nën qepalla; afrohu!
Dua të të prek zërin.
Mos qesh.
Fryma përdridhet në gishta,
kur del zë i mëndafshtë.
Dua ta prek mëndafshin.
Ky zë futet ndonjëherë vargjeve të mia,
ulet këmbëkryq,
pret të lexohet, ndoshta,
dëgjohet si më thërret
Fryma.
Përdridhet në gishta fryma; afrohu!
Nuk dua të të shoh në sy.
Nën qepalla tjetër përjetim.

 

Poezia që dua

Fjalët e tua në letër,
kanë në krah një filxhan me një kafe të forte,
të errët,
aspak të ëmbël.
Kanë përballë një dritare me një dritë të paktë,
pothuaj mëngjesi,
që sa vjen e shtohet.
Fjalët e tua në letër,
ngatërrohen me tymin e një cigareje pa filtër.
Preken nga një vështrim i sapozgjuar,
që rend nga vargu në varg
e zhytet pastaj në kaltërsi.
Është drita që zgjon.
Vetëm drita…