Press "Enter" to skip to content

Luan ZYKA: Poezia dhe liria (Takimi me poetin Jannis Ritsos)

Përkujtimi i Ditës Ndërkombëtare të Poezisë sivjet përkoi me një ekuinoks më tepër; se përveç ekuinoksit pranveror të 21 marsit, ku gjatësia e ditës është e barabartë me atë natës, kemi edhe koronavirusin që po shkakton një fazë ekuinoksi ku jeta dhe vdekja të duken sikur kanë shanse të barabarta.
Por koronavirusi, që ka kufizuar liritë tona, nuk mund të mbyllë në karantinë përkujtimin e Ditës së Poezisë, si shprehje më e plotë e lirisë së njeriut.
Dhe mua m’u zgjuan mbresat e takimit me njeriun-poezi, Jannis Ritsos, poetin e shquar grek.
Ishte viti 1985. Në stadiumin e lojërave me dorë të Selanikut “Aleksandrio Melathro”, do zhvillohej një takim me poetin-idhull të rezistencës greke ndaj nazistëve dhe juntës ushtarake.
Ne, studentët, ishim shumica mes mijëra njerëzve në atë sallë, kur kumbonte zëri i thekshëm i Ritsos që recitonte poezitë e tij me atë theks grykor të “r-së”, dhe kori i zërave tanë që e shoqëronin në një atmosferë magjike, ku në vend të ajrit kishte vetëm tinguj dhe fjalë… Ishte fuqia jetëdhënëse e poezisë.

Pas mbylljes së takimit, njerëzit u dyndën për të takuar Ritsos. Ai, ashtu trup vogël, i qeshur, qëndronte ulur në cep të tavolinës duke u dhënë dorën njerëzve. Erdhi edhe rradha ime. Rradha për t’u takuar me historinë e poezisë; isha para atij që Palamas i kishte thënë “të hapim rrugën, poet”. Më dukej se aty ishte ulur edhe Majakovski, edhe Neruda, edhe Nazim Hikmet… I humbur në përsiatje, u kujtova se në dorë kisha librin e tij të parë, të përkthyer në shqip, “Mëhallat e botës” nga Spiro Çomora në vitin 1961.
Jam nga Shqipëria – i thashë me zë të dridhur – ja libri juaj i parë i përkthyer në shqip.
Ai më nguli sytë e ndritshëm, u ngrit në këmbë, duke më marrë dorën mes duarve të tij, pastaj mori librin dhe më tha: “Po, ju shqiptarët ishit nga të parët që përkthyet librin tim”. Pastaj ngriti kokën me vështrimin hedhur te njerëzit përreth dhe foli me zë të lartë: “U dedikohemi shumë shqiptarëve (οφείλουμε πολλά στους Αλβανούς…)”.
U ul përsëri dhe me zërin e tij të ngadaltë po më përmendte lidhjet historike të dy popujve tanë. Unë i thashë disa vargje në shqip nga poezia e tij “Pse kemi faj?”, duke i folur në mënyrë metaforike për mungesën e lirisë në Shqipëri, por pa guxuar t’i tregoj se kishte vite që regjimi i vendit tim nuk lejonte qarkullimin e poezive të tij. Nuk desha ta lëndoj.
Pas disa vitesh, në tetor të vitit 1990, në lajmet e mbrëmjes së radios së Athinës, dëgjoj lajmin e vdekjes së Jannis Ritsos. U pikëllova dhe ndjeva një peng që nuk kisha përkthyer poezitë e tij në shqip. U ula dhe gjithë natën përktheva disa poezi, të cilat ditën ia dhashë Bardhyl Londos për t’i botuar te gazeta “Drita”, duke i treguar edhe për takimin me Ritsos. I kërkova patjetër t’më botonte poezinë “Pse kemi faj?”.
Gazeta “Drita” dilte vetëm të dielave dhe të nesërmen, të hënën, një student poet M.M., në orën e leksionit tim ua tregon studentëve faqen e gazetës me poezitë e përkthyera nga unë. Mund ta lexosh, i them.
Ai pasi i lexoi më kërkoi t’i lexonte përsëri dy vargjet e fundit dhe pa pritur përgjigje nga unë, i recitoi me zë të lartë:

Dhe unë ç’faj kam të eci mes natës i lidhur,
pas lirisë sime duke dënuar? – i dënuari tha

Duartrokitje nga studentët. Ishte 19 tetor 1990. Edhe në Shqipëri po frynte era e lirisë. Para studentëve qëndroja unë pedagogu, poeti M.M me gazetën e hapur dhe atmosfera që po shqyej nga një rini e etur për LIRI. Por çfarë lirije? Çfarë kuptonin me “lirinë” studentët e mi të rritur ndrydhshëm, në një kohë kur ishte ndaluar të flisje për lirinë e njeriut?
– Çfarë kuptoni me konceptin “liri”?, – pyeta unë.
U ngrit një student:
– Të lirohet ai, i dënuari, – tha – ai që kujton se është i lirë.
U ngrit një tjetër:
– Unë dua të jem i lirë të shkoj jashtë shtetit, sepse me ato që shikoj në televizor, më duket se jetoj në planet tjetër.
“U prish” ora ime e leksionit duke vazhduar bisedën për lirinë. Gjatë viteve të ngurta ishin mbledhur kaq shumë dëshira për liri, ku secili e shpjegonte dhe e donte lirinë sipas perceptimit dhe halleve të jetës së tij, sa mua më dukej se shqiptarët, pasi të dilnin në liri, nuk do dinin se çfarë të bënin me të.
Megjithatë, unë isha me idenë e Hayek se “liria është e rëndësishme pikërisht se nuk e dimë si do e përdorin njerëzit”, por, megjithatë, historia e ka vërtetuar dobinë e saj për njerëzimin.
Qoftë edhe “të dënuar pas lirisë”, siç e thotë poeti…

*Autori, Dr. Zyka, në vitet 1981-1987 ka qenë student në Universitetin “Aristotel” të Selanikut.