Para disa vitesh, kur hapëm shtëpinë e re, dhurata që i bëra vetes ishte një makinë buke. Gjithë qejf, për disa kohë, e përgatita vetë bukën, por kur ia thashë këtë gjë mikeshës sime në atdhe, gati e alarmuar më tha:
“Moj korbë, pse kaq të varfër jeni sa e bëni bukën në shtëpi?! Ne edhe në kohë të zizë e blinim në dyqan…”.
M’u kujtua pikërisht tani që po përgatisja brumin, edhe pse këtë herë pa makinë, dhe qesha me vete. Vërtet më detyroi koha e vështirë që po jetojmë t’i rikthehem bërjes së bukës në shtëpi, por, për të qenë e sinqertë, më pëlqen shumë. Ndoshta ngaqë më kujton kohën kur mami përgatiste kulaçin dhe ne i rrinim afër që të bënim kuleçët tanë të vegjël, t’i piqnim e t’i kullufisnim ashtu të nxehtë, me djathë të bardhë ose me pak vaj ulliri…
Aroma e bukës që piqet më çoi në Çepan, në fshatin e gjyshërve të mi, ku shkoja çdo verë.
Në mes të fshatit ishte furra e bukës. Jashtë sofatit shiheshin gjurmët e miellit nga shkarkimi i thasëve, kurse brenda ishte një govatë e madhe druri, ku gratë përgatitnin brumin, e linin të vinte, pastaj e hidhnin në kutitë metalike të nxira nga zjarri dhe gjithë qendra e fshatit ndiente aromën e pjekjes së bukës.
Njerëzit e dinin orarin, s’kishin nevojë të shihnin akrepat; aroma lajmëronte pjekjen e saj dhe zor se shihje ndonjë që blinte bukë të ftohtë. Ishte momenti kur çepanakët, por edhe të ardhur nga fshatrat përreth bisedonin mes tyre, për hallet e gëzimet. Gratë mbushnin ujë të ftohtë në çezmë, në qendër të fshatit edhe ajo, shkëmbenin vështrime me djemtë e zonës, blinin bukën dhe shëtitja mbyllej me shpërndarjen grupe-grupe e faqet e skuqura ndoshta edhe nga buka që mbanin në kraharor për të fshehur rrahjet e zemrës.
Aroma e bukës në furrë më pushtoi e gjitha nga emocionet e një kohe kur ajo na mblidhte rreth vetes…
Kjo është magjia e bukës që nuk tregon varfëri, por ngrohtësi…
Të tjera nga ky autor:
- Lotusi
- Mimoza KUCHLY: Cikël poetik
- “Don Kishoti i Mançes”, një vepër e mallkuar?
- Mimoza KUCHLY: Përsiatje mbi librin “Dëfrim heshtnaje” të Valentina Saraçinit
- Sully PRUDHOMME: Poezi
- Intervistë me Albert Kohen
- Kujtimet e Jozef Leopold Hygo për lindjen e të birit, Viktorit
- Mimoza KUCHLY: Reflektime mbi romanin “Kryqi i harresës”, së autores Flutura Açka
- Letra dashurie: Letërkëmbimet e para të Victor Hugo me Juliette Drouet
- Mimoza KUCHLY: Ai, baleti dhe unë
- Mimoza Kuchly: Balerina pariziane
- Letra e fundit erotike e Bonapartit për Jozefinën
- Letërkëmbimi i dashurisë së George Sand dhe Alfred de Musset
- Mimoza Kuchly: Copëza poetike