Press "Enter" to skip to content

Konstandin P. KAVAFI: Pabesi

        Për shumëçka na la Homeri e lëvdojmë,
        por në një gjë nuk kemi për ta mburrur. As Eskilin
        s’kemi për ta mburrur, kur Thetisi thotë se Apolloni,
        në dasmën e saj, fatin paratha:
           Do të kishte ditë të gjata,
           pa dhimbje, pa sëmundje.
           Çdo bekim do të gëzonte,
           dhe tha lëvdata që më galduan zemrën.
           Dhe unë nga goja e Febit të shenjtë që s’del gënjeshtër
           shpresova se dalin fjalët, prej tij që njeh profecitë.
           Mirëpo ai që tha lëvdatat
           ai vetë ma vrau
                    tim bir.

 Platoni, “Republika II”

 

Kur martuan Thetisin me Peleun,
u ngrit Apolloni, ndanë asaj tryeze të shkëlqyer
të dasmës dhe lëvdoi të sapomartuarit
për filizin që do të dilte prej bashkimit të tyre.
Tha: Kurrë s’ka për ta prekur sëmundja
dhe ka për të pasur jetë të gjatë. – Si tha këto,
Thetisi u gëzua shumë, sepse
fjalët e Apollonit, që njihte profecitë,
iu dukën garanci për djalin e saj.
Kur u rrit Akili dhe u bë
krenari e Tesalisë dhe hijeshi e saj,
Thetisi kujtonte fjalët e hyjnisë.
Mirëpo, një ditë ca pleq sollën lajme,
treguan për vrasjen e Akilit në Trojë.
Atëherë Thetisi shqeu rrobat e purpurta,
hoqi dhe flaku përdhe
byzylykët dhe unazat.
Tek vajtonte, iu kujtua fjala e dikurshme,
dhe pyeti se ç’bënte Apolloni i urtë,
ku ndodhej poeti që nëpër tryeza festash
s’ka shok në fjalë, ku ishte poeti
kur të birin ia vranë në rini?
Pleqtë iu përgjigjën se Apolloni,
vetë ai, kishte zbritur në Trojë,
dhe bashkë me trojanët Akilin vrau.

Përktheu: Sokol Çunga