Press "Enter" to skip to content

Kur goditej Hollivudi – Albana M. Lifschin

Nga fundi i vitit 1950, publiku amerikan i trembej kaq shumë rrezikut komunist sa gjashtëdhjetë e tetë përqind e tij kërkonte që partia komuniste në Amerikë të dilte jashtë ligjit. Kishte mjaft njerëz që mendonin se komunistët kishin kohë që kishin depërtuar në shoqërinë amerikane si pasojë e influencës së Bashkimit Sovjetik. Ata sillnin si shembull numrin e atyre që ishin arrestuar e dënuar si spiunë të tij, siç ishte rasti i çiftit Rosenberg. Ata që guxonin të mbronin viktimat akuzoheshin si komunistë apo simpatizantë të komunistëve. Në 20 shkurt 1950, Senator Xho Makarti (Joe McCarthy) kishte mbajtur fjalimin e tij në senatin amerikan për rrezikun komunist që kishte depërtuar në SHBA, duke tërhequr vëmendjen e gjithë kombit. Senatori deklaronte se demokratët dhe komunistët kanë aq shumë pikëpamje të ngjashme në mes tyre, saqë demokratët duhet ta quajnë veten e tyre “komikrats”.
Ngjarje shqetësuese qe publikimi nga stafi i Makartit i një fotografie ku dukej senatori demokrat Millard Tydings (Tajdings) duke folur me ish liderin e partisë komuniste amerikane Earl Browder. Fotografia, në fakt, qe një kompozim mekanik i dy fotografive të veçanta, duke krijuar një imazh të rremë. Megjithëse në të kishte një shënim me gërma të vockla, ku thuhej se qe një kompozim, shumë njerëz të ndikuar nga përshtypja e parë që linte ajo, e morën Tajdings për simpatizant të komunistëve, gjë që ndikoi në humbjen e tij në zgjedhje. Me ndihmën e shefit të FBI-së, Edgar Huver, një nga njerëzit më të fuqishëm e më të frikshëm të kohës, Makarthi vazhdoi gjuetinë e tij në të gjitha sferat shoqërore. Sa më shumë rritej frika, aq më shumë rriteshin edhe pasuesit e tij. Ndërkohë, në shënjestrën e Makarthit u vu Hollivudi. Ai deklaroi se në Hollivud kishte më shumë se dy mijë skenaristë, aktorë, regjisorë e producentë komunistë. Sulmi nisi së pari nga skenaristët, të cilët mendohej se kishin futur ide propogandistike komuniste në skenarët e tyre. Qe hedhur mendimi që presidenti Ruzvelt kishte inkurajuar filmat pro-sovjetikë gjatë luftës dhe, megjithëse kjo nuk u vërtetua, presioni i përdorur bëri që krijues të njohur të kohës ta linin Hollivudin.
Filloi mbajtja e seancave të tëra të dëgjimit me qëllim çrrënjosjen e komunistëve nga Hollivudi. Ishte e mjaftueshme që dikush të thirrej për t’u pyetur nga komisioni hetimor dhe emri i tij të publikohej në listën e zezë. Metodat e tij u quajtën “Makartizëm”. Pranonin apo jo anëtarësinë e tyre, ata përfundonin në listën e zezë, e cila përfshinte gjithë emrat e artistëve të dyshimtë. E përpiluar nga agjentët e FBI-së, lista e zezë praktikisht ndalonte bizneset të punësonin personat e dyshimtë që kishin emrat në të. Duke patur frikë se filmi apo programi televiziv mund të bojkotohesh nga publiku, biznesmenët e drejtuesit e kësaj industrie kontrollonin vazhdimisht listën e zezë para se të merrnin në punë artistët apo të pranonin skenarët. Mbi dyqind prej tyre humbën vendet e punës në Hollivud. E ashtuquajtura “Dhjetëshja e Hollivudit”, një regjisor (Eduard Dymyryk) dhe 9 skenaristë (John Howard Law son, Dalton Trumbo, Alvah Bessie, Albert Maltz, Samuel Ornintz, Herbert Biberman, Adrian Scott, Ring Lardner, Jr. dhe Lester Cole) refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve, duke përdorur amendamentin e 5-të të Kushtetutës Amerikane. Megjithatë, kjo nuk i shpëtoi nga burgu, me përjashtim të regjisorit, i cili më pas bashkëpunoi me komisionin hetimor. Pati artistë që refuzuan të bënin punën e spiunit, duke rrezikuar jetën dhe karrierën e të tjerëve. Autorja dhe skenaristja e njohur e kohës, Lillian Hellman deklaroi: “Nuk do të rrezikoj as sot, as në të ardhmen njerëz plotësisht të pafajshëm, me qëllim që të shpëtoj veten. Kjo do të ishte e pandershme dhe çnjerëzore”. Nga qëndrimi saj i guximshëm, Hellman u shqua në mes të tjerëve. Hellman ishte skenaristja më e famshme e shekullit XX . Ajo u bë ikonë për gratë e gjeneratës së saj në lëvizjen feministe të viteve 1970.
Bertold Brehti, kur u thirr për të dëshmuar para komisionit, deklaroi se nuk ishte komunist dhe pas kësaj e la menjëherë Hollivudin, duke u kthye në Gjermaninë lindore. Dosja qe mbushur plot edhe për Çarli Çaplinin. Ai u detyrua të largohej nga Amerika dhe kthimi iu ndalua si simpatizant i komunistëve. Dhe kjo ndodhi pasi ai kishte realizuar filmin” Diktatori i madh”.
Aktorë të njohur liberalë, si: Robert Redfort, Xhek Lemon e Gregori Pek u kritikuan ashpër pse kishin marrë pjesë në një festival filmi në Kubë. Aktores Vanesa Redgrejv iu sabotuan kontratat dhe projektet, si dhe u kërcënua me bojkot nga zionistët. E vetmja mënyrë nëpërmjet së cilës artistët mund të lanin veten e tyre ishte të jepnin emrat e kolegëve të tyre, pra të spiunonin.
Pati edhe nga ata që u thyen para presionit të makartizmit dhe spiunuan kolegët e tyre. I tillë qe shembulli i regjisorit me karrierë brilante, Ilia Kazan (shumë prej jush e njohin nëpërmjet filmave “America, America” (1963), “Viva Zapata” (1952) etj. Ai dha emrat e tetë miqve të tij, që së bashku kishin qenë anëtarë të partisë komuniste amerikane në vitet ‘30. Akti i Ilia Kazanit nuk u harrua kurrë dhe jo vetëm nga ata që u dënuan për shkak të tij. Mjaft artistë të Hollivudit edhe sot e kësaj dite e kujtojnë me dëshpërim e indinjatë atë kohë, kur ata e kolegët e tyre mbetën pa punë. Disa arritën në vetëvrasje e disa të tjerë u detyruan të largoheshin përgjithmonë nga Amerika. Kujtimi i hidhur i asaj kohe në historinë e Amerikës ende i ndjek deri në ditët tona. Karriera dhe emri i Ilia Kazanit u njollos përjetësisht nga vendimi i tij. Ndaj më 21 mars 1999, kur regjisori Ilia Kazan u nderua me “Lifetime Achievement Award”, Hollivudi kaloi një tronditje të re nga rikujtimi i asaj kohe dhe njerëzit u ndanë sërish më dysh. Pesëqind vetë protestuan kundër çmimit, duke mbajtur në duar pankarta me thëniet “Lista e zezë nuk mbulohet me gëlqere”. Norma Barzman, Lee Grant, Jules Dassin, Walter Bernstein dhe të gjitha viktimat e listës së zezë nuk mund ta falnin Ilia Kazanin për atë që bëri. Barzmani komentoi se çmimi i sukseseve të tij ishte shkatërrimi i jetës së të tjerëve.
Në mbrojtje të Ilia Kazanit doli Artur Miller, duke zhgënjyer shumëkënd. Artur Miller ishte një nga heronjtë e asaj kohe, që doli kundër Makartit. Ndryshe nga Ilia Kazani, Miller refuzoi të jepte emrat e “bashkëudhëtarëve” të vet, siç i quajti ai kolegët e Hollivudit. Për qëndrimin e tij ai u dënua me burg. Megjithatë Miller mendonte që Ilia Kazan duhej nderuar për punën e kontributin e tij. Në gazetën “The guardian” ai shkroi se mendimi dhe ndjenjat e asaj kohe për të nuk kishin ndryshuar, por përsëri Ilia Kazan kish bërë një punë të jashtëzakonshme në teatër dhe film, që meriton të vlerësohet.
Në kohën e tyre, ata kishin bashkëpunuar ngushtë: Milleri si skenarist dhe Kazani si regjisori i skenarëve të tij. Ata ishin miq, si vëllezër, por kur Kazan tradhtoi kolegët miqësia e tyre u prish. Ata nuk i folën njëri-tjetrit për 10 vjet. Edhe më pas miqësia e tyre nuk u riparua më. Ata “dialoguan” mes tyre nëpërmjet filmave të realizuar më pas, ku shprehën qëndrimet e tyre të kundërta. Ndërsa Ilia Kazani e justifikonte rolin e informatorit në filmin e tij ”On the Waterfront”, Artur Miller e dënonte atë te “A view from the bridge”.
Artur Miller dhe Elia Kazan nuk u kthyen dot më kurrë tek miqësia e ngushtë që kishin me njëri-tjetrin në fund të viteve ’40 – fillimi i viteve ‘50. Miller, që kishte vuajtur shumë, doli si një shembull i guximit ndaj Red Scare (Panikut të kuq) dhe ndër vite fitoi aureolën e një shenjti. Ndërsa Ilia Kazan u përkufizua si ‘njeriu në anën tjetër të spektrit’.

Të tjera nga ky autor:

Komentet janë mbyllur.

error: Content is protected !!