Press "Enter" to skip to content

Denise Bellon – profili i fotografes franceze që preku Shqipërinë e viteve ’30

Grua shqiptare. Foto nga Denise BellonFotografja surrealiste franceze, Denise Bellon, lindi më 20 shtator 1902, në Paris. Mbiemri i vajzërisë ishte Hulmann dhe i përkiste komunitetit hebre të Parisit, por e ndryshoi atë kur u martua me Zhak Bellon. Ndonëse çifti u nda më vonë dhe ajo u martua me Armand Labin, në vitin 1940, fotografja u njoh përherë si Denise Bellon. Ajo studioi psikologji në Sorbonne, por filloi punë si fotografe me Pierre Boucher. Nga 1934-a deri më 1940-n, ajo ishte pjesë e ekipit të fotografëve në agjencinë “Alliance-Photo”, e themeluar nga Maria Eisner, kohë në të cilën ajo erdhi edhe në Shqipëri. Syri dhe aparati i saj fiksoi shumë foto interesante në disa qytete të vendit tonë, një prej të cilave është edhe fotoja më sipër, shkrepur në një nga rrugët kryesore të Tiranës së atyre viteve.
Pas martesës me Labin, i cili themeloi gazetën “Midi Libre”, ajo punoi si fotografe në këtë organ.
Ajo ishte fotografe për Ekspozitat Ndërkombëtare të Surealizmit të hapura në vitet: 1938, 1947, 1959 dhe 1965. Bellon gjithashtu fotografoi artistë të ndryshëm surrealistë dhe veprat e tyre, përfshirë Joan Miró, Yves Tanguy, Marcel Duchamp dhe Marcel Jean.
Ajo ishte nëna e aktores franceze Loleh Bellon dhe regjisores Yannick Bellon.
Bellon vdiq më 31 tetor 1999, në Paris, në moshën 97-vjeçare.
Në vitin 2001, vajza e saj Yannick dhe Chris Marker bënë filmin “Le souvenir d’un avenir”, bazuar në imazhe nga arkivat e Bellon.

Comments are closed.

You cannot copy content of this page