Press "Enter" to skip to content

“Marubi” virtual

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” mund të vizitohet nga të gjithë edhe pa qenë të pranishëm në ambientet e tij. Çdokush që ka interes, mund të hyjë në brendësi të muzeut që nga divani i shtëpisë apo duke pirë një kafe në një cep të globit, larg Shkodrës dhe Shqipërisë, nëpërmjet tureve virtuale. Kjo është një përshtatje tepër e këndshme për kohën.

”Marubi” është muzeu i parë i fotografisë në Shqipëri, por është cilësuar edhe si një nga më të pasurit në Ballkan. Brenda tij gjendet thesari i dinastisë së Marubëve, që përmbledh foto që nga themelimi i studios në vitin 1856. Arkivi i tij është shumë i pasur dhe përmban rreth 500 mijë negavitë fotografish, në xham dhe në film, me përmasa nga më të ndryshmet.

Në fotografi paraqiten periudha të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, si ajo e Perandorisë Osmane, e Mbretit Zog dhe e regjimit komunist.

Në fototekën e këtij muzeu ruhen edhe objekte të ndryshme të studios, ku ushtruan aktivitetin artistik të gjithë pjesëtarët e familjes Marubi. Kjo fototekë u krijua nga Pietro Marubi, i cili lindi në Piacenza të Italisë më 1834-n. Kohë më vonë, i detyruar nga rrethanat, ai braktisi vendlindjen dhe u vendos në Shkodër, ku jetoi dhe iu përkushtua fotografisë deri në fund të jetës.

Komentet janë mbyllur.

error: Content is protected !!