Press "Enter" to skip to content

Eleana ZHAKO: Poezi

Itakat

Itaka e parë ndodhet në Rrugën e Brumbujve.
Kur e ndesha në fillim,
nuk e kisha menduar,
që Itaka do fshihej në vende të panjohura;
kisha mësuar që Itaka është kthimi,
udhëtimi i gjatë, që zgjat për vite të tëra,
dhe jo ndalesa e shkurtër, që vjen më pas.
Itaka e dytë, ndodhet në vendin
e lundërtarit më të lashtë të botës,
në qytetin e Paladë Atenës,
në pamjen e Partenonit të mermertë,
që tashmë mezi shquhet nga Rruga e Alamanës.
Itaka e tretë, ndodhet e varrosur në vendin D.,
në Itakën parake,
që ëmbëlsisht dhe butësisht ruan,
të fshehtën e kthimit.

Korbi

Korbi që rri,
mbi majën e një peme,
ngjan me yll të zymtë
bredhi krishtlindjesh.
Nuk është vrastar,
por korb në prag të vetëvrasjes,
që ndoshta kërkon një dëshmitar,
t’i rrëfejë botës rreth vdekjes së tij.

Korb, prehu në paqe:
Të qofshin të lehta pendët,
që të mbulojnë!

E huaja

Unë e huaja
vështroj të huajën kundruall,
tek lexon të “Huajin” e Kamysë,
në të njëjtin vagon,
ku jemi pasagjerë, të tre.
Zbres në stacionin tim,
duke imagjinuar vazhdimin
e një dialogu të shurdhët,
mes tyre.

E kam njohur të Huajin,
dy dekada më parë,
atëherë kur ajo,
ishte ende një farë,
në mendimet e një të huaje tjetër,
që ndoshta si unë deshi,
të njëjtin të Huaj.

Të tjera nga ky autor:

Comments are closed.