Press "Enter" to skip to content

Shazim MEHMETI: Më thonë se shoh përtej

Më thonë se shoh përtej,
edhe pse asgjë s’arrij të shoh as këtej.
Shoh dhe nuk e shoh dritën,
që veç ngjyrën e mendimeve tona ka!
Ka diçka prej bishe edhe drita, imzot:
Drita, koka çastesh ndrit e rrokullis!
Askush, asnjëherë, s’do t’arrijë ta njohë,
ngjyrën e vërtetë të dritës,
as shijen e vërtetë të mëkatit lulor!
Gjithë ç’arrijmë të dimë për zemrat,
është përherë pak!
Te gratë gjithnjë ka diçka prej ardhjeje
dhe shumëçka prej pritjeje!
Kam zgjedhur të mos më besojnë, imzot:
I dozuar dhe i dyzuar frymoj më kot.
Më mrekullon kujtimi, se nuk kujtoj dot!
Shkruaj, ndaj ka gjasë të jem sadopak i gjallë.
Arrij të kuptoj se jeta është veç një vegim i bukur,
se fjala është vetë liria e lirisë,
se drita flet edhe kur nuk flet,
se mbi vazhdimin u mbështetka bota,
se fshehja e ndjenjës,
mangësi e madhërishme është,
se po s’e njohe errësirën,
nuk mund ta duash dritën!
Kuptoj se mbi të gjitha, verbëria më pëlqen,
se nuk më mungon drita, por sytë,
se heshtja në heshtje duhet lënë.
Arrij të kuptoj se bëj mirë,
kur të bardhës, të zezë i them,
se lumturi e përkryer qenka,
të ndihesh i mundur.
Arrij të kuptoj se jam,
çështje verbërie – mendimi që s’jam.
Kuptoj se të ndjehesh sadopak i gjallë,
është çështje vetëbesimi,
se atdheu i lirisë është rruga
dhe arti po nga rruga vjen,
se gjërat e rralla,
as mjaftojnë, as nuk na teprojnë.
Arrij të kuptoj se edhe koti kot nuk është,
edhe kot kur është.
Kuptoj se fati luan me mua pabesisht,
se misioni i jetës është t’i japë shpirt vetes,
gjithçkasë dhe asgjësë.
Kuptoj se tashmë,
në rehatinë time të parehatshme,
ndihem më rehat,
se njerëzve me mend
mund t’u teprojnë veshët.
se dashuria është ujë
dhe ne jemi veç enët e mbushura.
Arrrij të kuptoj se nuk shoh përtej
dhe se gjë prej gjëje s’arrij të shoh as këtej,
se gjithnjë gjendet një dreq i bukur,
që dreqin e bukur zgjon brenda nesh!
Arrrij të kuptoj,
se jeta qenka një zhgënjim i bukur,
dhe meditimi një mundësi e mirë për mbijetesë.
Oh, im Zot,
ajo me masë deti i ka,
mendtë, flokët e gjithçka tjetër!
Mos vdis kurrë,
i them,
së paku për mua!

Të tjera nga ky autor:

Comments are closed.

error: Content is protected !!