Press "Enter" to skip to content

Agron TUFA: Pesë romanet e një autori

Proza sugjestionuese e shkrimtarit Arbër Ahmetaj 

– Një autor tipik i brezit novator post ’90

Shkrimtari Arbër Ahmetaj, një autor tipik i letërsisë novatore të brezit të viteve ’90, e ka kryer me përkushtim, talent e ndershmëri detyrën e vet si shkrimtar: ai ka shkruar (në dijeninë time) pesë romane, nga viti 1993 deri më 2019-n, stilistikisht të ngjeshura në unitetin e kronotopit – të botës së projektuar në kohën dhe hapësirën e poetikës së tij.
Narrativa letrare e Ahmetajt shtjellohet rreth legjendës së një “uni”, që, si një bimë kokëngjeshur, plot ëndrra, çan tokën e rraposur apo të betonuar me ideologjitë totalitare; nga instancat e dhunshme shoqërore/familjare për t’u konfirmuar në një farë hapësire thuajse lirie. Ka një hierarki mizore e vertikale në romanet e tij. Por, i vogli bën luftën e vet, lëshon apelin e tij, qoftë edhe të dobët në botën e ashpër e të shpëlarë.
Ligjërata letrare e Arbërit ka përpunuar me kohë një parim të ironisë infantile, një poetizim vetironik, i cili e ruan një “pathos të distancës” nga protagonisti i rrëfimit, që është gjithnjë në vetë të parë. Ironia e distancimit nganjëherë gjen mjete të efektshme si në romanin “Varri i braktisur” (“Skanderbeg books”, 2009), ku rrëfimi nuk i referohet “unit” tradicional, por “vetes sime” (“bashkë me veten time u ndodhëm në një ditë vjeshte…”, “Kur e rrihnin veten time, unë i shikoja rrahësit në dritë të syrit për të vërejtur se pse e bënin me aq zell atë punë…”).
Që nga romani “Fletë hyrje për në varr” (1993) e deri tek i fundit “Procesi 3/K 19…”, kemi trajektoren e një sage nga fëmijëria te burri i pjekur. Duke përjashtuar (ndoshta jo) vëllimin me tregime “69 gra” (“Skanderbek books”), të pesë romanet e Arbër Ahmetaj përbëjnë një pentalogji, ku narratori dëshmon në vetë të parë dhe është kamera ku fokusohen të gjitha fijet e botës.
Bota është e koklavitur, kuptohet, dhe heroi i Ahmetajt rritet duke deshifruar me përjetim e peng shpirtëror thurrimën e botëpleksjes shqiptare nga mitologjia e diktaturat, deri tek tabutë dhe drama e maskës së heroit – çmitizimi dhe çmeritja. Gjithsesi, letërsia e Ahmetajt është e ngjeshur. Asketizëm.
Regjistrat stilistikë janë të ndryshëm, të larmishëm. Ato ndryshojnë papritmas, përveç një gjëje që shkrimtari i ruhet: fjalomanisë. Përftohet një prozë e presuar, shumë afër kondensimit me mjetet shprehëse të poezisë. Si duket, këtë kondensim të shprehjes Arbëri e ruan si trashëgimi të vyer të fillesave të tij letrare si poet, zhanër të cilin e lëvron rregullisht. Por sot po flasim për virtytet artistike të prozës së Arbër Ahmetajt. Duket se deviza e tij në prozë është shpallur: asgjë e tepërt, asnjë fjalë të tepërt, që nuk i shërben idesë, tablosë narrative, përshkrimit. Asketizëm.
Në këtë poetikë të shkrimit dhe sidomos vektori i përjetimeve dhe kërkimeve të mprehta metafizike e bën Arbër Ahmetajn një ndër autorët më origjinalë të frymës novatore në letërsinë shqipe të brezit post ’90.

Një karakteristikë, që personalisht më ka bërë përshtypje te Arbëri, është aftësia e tij për të kompozuar lëndën e romanit. Arbri bën disa “prerje gjeologjike” me “sondën” e tij në rrafshe sociale të ndryshme, (por edhe nga kohë të ndryshme të stadeve moshore: fëmijëria, adoleshenca, rinia, pjekuria), prej nga merr e shtjellon linjat e personazheve, të cilët shtegtojnë nga njëri roman në tjetrin e po ashtu edhe realet apo bëmat e tyre (tipike për sagat romanore).
Të tria kohët e rrëfimit lidhin skajet e unitetit të personazhit, të shkrirë njësh me ëndrrat dhe utopitë.
Ndoshta Shqipëria veriore me brengat e saj, me mitet dhe ashpërsinë e përçudnimit, me shfytyrimin e degradimin, por dhe me heroikën e rezistencës shpirtërore në kufijtë e shterrimit, e gjen veten për mrekulli te ky cikël romanesh të Arbër Ahmetajt.
Te romani i mrekullueshëm “I huaji, ai Kosovari”, kësaj bote me dhimbje aq shituese, i shtohet gjysma e përmasës së dhimbjes sonë të fshehur përbrenda: Kosova.
Po me çfarë elegance, në shmangie të patetikës dhe banalitetit! Thurja kompozicionale e zhdërvjelltë nuk e lë interesin e lexuesit të ftohet. Dhe sigurisht, ndërkëmbimi i regjistrave letrarë, që derdhen nga një formë në tjetrën, njësitë e thërrmuara të tekstit dhe, sidomos, legjenda e misterit të një dashurie, së cilës mospërmbushja i ka caktuar fatin të mbetet e përjetshme… dhe tragjike.
Personazhet e Arbër Ahmetajt dallohen, shquhen me sy edhe kur skicohen shpejt.

– Një roman mbi romanin e romanit

Romani “Një natë te Luiza” (“Skanderbeg books”, 2015), i katërti i sagës narrative të Arbër Ahmetajt, mendoj se është më i gjalli, më eleganti dhe i më i mençuri. Jo pse përmbyllet në një të tretën e romanit me një idilë aq fine, delikate e të pa obsesion me Anna Mennem, sa nuk të shqitet nga mendja, porse dy protagonistët e kësaj idile janë, në njëfarë mënyre, enë dhe pasqyra të gjalla njerëzore, që bartin barrën dramatike të përvojës. Andaj dhe idila e tyre kërkon “guackën” (moluskun) e vet për të endur me ngutin e kohëzgjatjes një vend të qetë e të heshtur (silentium), për të endur në vetmi e zhbirilim të ndërsjelltë rrathët e sedeftë të perlës, sikundër është, në fakt, ky vend ideal: “Hoteli Alpenperle”.
Jo, jo, për kurrfarë idili nuk është fjala! Ajo është elegji, sepse kurrë nuk do të përsëritet më ai kulm sublim me dy shpirtrat që u derdhën – pasqyrë te njëri-tjetri. Adhurim dhe përmbajtje! Më shumë meditime rreth dukurisë së mahnitjes. Diç si muzgu tutçevian, në poezinë “Dashuria e mbrame” (të shfytyruar nga Noli në “Dasma e fundme”) me vargun:
“Ah, si në muzg të jetës sonë/ të brishtë e besëtytë ne dashurojmë…”.
Mahnitja e njohjes me femrën, ai grimë-çast përshkënditës, fillon me tingullin magjik për shqiptimin e emrit: Anna Mennem! Diç anagramike: muzikë që të kall harmoni dhe sensualitet estetik, sikundër është koshient dhe vetë narratori, duke e përqasur me muzikalitetin e Lolitës nabokoviane.
Anna Mennem është një krijesë diellore, që kërkon pretekst për të qeshur, por jo për qeshje sipërfaqësore. Ajo ka ngadhënjyer mbi vdekjen (tumorin) përmes këtij të qeshuri, si mjeti më i natyrshëm për t’iu hapur e dorëzuar botës, anës së ndritur të saj. Personazhi ynë romancier (ai njihet me të në një konferencë mbi metodat e reja të trajnimit të kancerit), gjithashtu ka kaluar një përvojë, ndoshta shumë më të regjur me vdekjen, pa qenë e domosdoshme që kjo përvojë të ketë të bëjë drejtpërdrejt me tumorin fiziologjikisht. Tumoret e personazhit tonë rrëfyes i kemi njohur përgjatë leximit të dy të tretave të romanit, përmes disa tregimeve që lexohen në një natë të qetë e të gjatë te Luiza, një tjetër e mbijetuar nga “tropikët e kancerit”, një vajzë islandeze. Ajo ka kaluar përvoja ekstreme, i ka mbijetuar vrasjes tragjike të të dashurit të saj, në një burg të Pakistanit.
Personazhet më të rëndësishme të këtij romani kanë përvoja të regjura me Vdekjen – kush me vdekjen fizike, kush me vdekjen alegorike, konvencionale, shpirtërore, etj.
Linja e rrëfimit nis e mbaron nga pasditja deri në të thyer të natës te shtëpia e islandezes Luiza (lexuese dhe komentuese e romanit dhe tregimeve të narratorit), anipse ajo e fiton jetën me “masazh indian” (miku ynë shkrimtar, Balil Gjini thotë se “letërsia nuk ka nevojë për mesazhe, por për masazhe”) – ajo është një specialiste letërsie. Pra, kjo linjë leximesh nga tregimi në tregim, përbën shpalosjen e profilit jo aq të heroit narrator, sesa të një totalizatori të përvojave kolektive – kolektiv, mes të cilit ai ka frymuar, shpresuar, vuajtur, ëndërruar, zhgënjyer dhe është dëshpëruar. Ky është heroi ynë qendror, subjekt dhe formatizues i autorrëfimit.
Nuk është aspak e lehtë përkapja e planeve të dyta semantike, ndonëse akti i leximit është tërheqës, sugjestionues, magjik. Pse?
Bigëzimet kuptimore të presin e shoqërojnë në çdo paragraf. Vazhdon leximi i islandezes Luiza dhe, në fund të çdo tregimi, ajo bën komentet e veta, kritikat, sugjerimet, herë me vend e herë pa vend. Diskursi përfshin paksa pasivisht, paksa liberal edhe vetë shkrimtarin. Ndërkohë, lexuesi duhet ta mbushë me mend këtë kohë që kalon për mikun e ftuar (autorin vetë), i cili rri e pret fundin e tregimit për të dëgjuar përshtypjet e lexueses.
Me çfarë mbushet, ndërsa dy herë citohet vargu i Verlenit për një nevojë dashurie, pavarësisht në cilin vend, pavarësisht me kë? Me çfarë mbushet ndërkoha e pritjes për autorin, i cili e ka të pamundur të thellohet në vargjet e poezive të Verlenit? Me meditim, sigurisht! Ashtu si edhe nga lexuesi. Ne këtë s’e dimë, sepse jemi duke ndjekur tregimet e mysafirit shkrimtar, që i lexon Luiza, me lëndën e dëshirave të mëdha dhe mungesave dramatike: me përvëlimin e dashurisë së parë, me tabutë dhe tabutet shqiptare, lokale e metropolitane, me absurdet e dubluara ideologjike etj., por ne nuk mund ta qesim absolutisht në harresë kohën e sikletshme që kalon aty narratori (një goxha kohë). Prandaj, paralelisht me leximin e tregimeve të tij, nuk duhet ta harrojmë mbushjen e kësaj kohe me diç të përligjshme.
Këtë na e kujton venitja e dritës natyrale jashtë; gjumi i papagallit dhe zgjimi i tij, sikundër dhe ndërprerjet me tingujt e fjalëve që thotë, ndezja e dritës, vallëzimet e fluturave dhe insekteve të mbrëmjes dhe, sigurisht, replikat që shkëmbehen midis pauzave të leximit. Dhe kështu mbushet viskoziteti i ndërkohës së pritjes me këto efekte të jashtme: hurbat e verës, qeshjet sarkastike të papagallit, zilja e derës dhe ardhja e picave, tringëllima e pjatave dhe instrumenteve të ngrënies, e sërish pasthirrmat reaguese të gruas që lexon. Intermexot midis leximit të tregimeve janë indekse kohore, kohëmatës, që indeksojnë përafërsisht kalimin e kohës, ndërrimin e shisheve, ftohjen e picave thuajse të paprekura, servirjen e pjatës së djathërave, mishrave, ndërsa shkrimtari (që po lexohet) sodit, vëzhgon:
“Ndërkohë që ajo lexonte, unë këqyrja përreth. Një tufë zogjsh u trembëm nga vizita e papritur e një sorre. Bënë zhurmë, pastaj fjetën. Papagalli u zgjua nga gjumi, tha dy-tri fraza, piu ujë dhe ia futi gjumit me kokë ndër pupla.”.
Kjo është atmosfera që shoqëron një trajektore jete e përvoje të autorit, momentet kapriçoze të fatit, trillit, imagjinatës e ëndërrimit, krejt ato me çka “është mbajtur gjallë” ai, si njeri, ndërsa bota e lexon në një verandë të paqtë me muzikë xhaz, verë e dërdëllitje papagalli. Kjo atmosferë thyhet periodikisht pas çdo leximi të tregimit të radhës me diskurse letrare, filozofike dhe sidomos etike.
Pra, në këtë roman, kemi romanin e romanit, diskutimin mbi romanin, apologjinë dhe (mos)pranimin e kritikës apo sugjerimeve të lexuesit, moralitetin dhe falsifikimin e imazhit të autorit, klounadën dhe kompromisin e autorëve me pushtetin dhe anasjelltas, mitin e shkrimtarit dhe kush punon maskuar për ta ngritur atë mit dhe forcën e opinionit letrar masiv për të imponuar apo induktuar vlera masive/masovike, si në rastin e shkrimtarit Paolo Coelhio.
Anna Mennem thotë gjatë drekës me doktorët e pacientët e konferencës, se vetë ajo është personazhi i vërtetë i një romani të Coelhios (“11 minuta”), por të gjithë aty e lëvdojnë Coelhion, edhe pse romanin askush nuk e ka lexuar. Të nesërmen, në kioskën përballë hotelit janë shitur të gjitha kopjet e tij. Por, narratori ynë i ka lexuar vetëm një roman këtij shkrimtari (“Alkimisti”), pastaj është zhgënjyer nga narrativa masovike e dy-tri librave të tjerë të tij dhe ka vendosur të mos e lexojë më, edhe pse tundimi është i madh, tani që merr vesh që Anna Mennem paska qenë prototipi real i shkrimtarit brazilian.
Megjithatë, autori nuk bën kompromis me shijet dhe nuk e lexon romanin. Në qoftë se lexuesi nuk lexon në këtë histori një metaforë të ndarjes së letërsisë së vërtetë nga epidemia masovike e narrativës banale, kinse letrare, shundi i përditshëm që vlerësohet me çmime, atëherë ai e ka të vështirë të shijojë letërsinë e thellë, serioze dhe artistike.
***
Me këtë roman të parafundit – për romanin e fundit të Arbër Ahmetajt kam shkruar vjeshtën e vitit të kaluar, (teksti i përmendur nga autori publikohet si vijim i këtij shkrimi – shënim i botuesit, RL) – na përftohet një sagë kaleidoskopike, ku marrin pjesë të tria kohërat, të lidhura në një nyje-komb në grykë. Lufta këmbëngulëse me rrëfimin dhe formësimin e “statujës së brendshme”, ia ka shpërblyer bujarisht mundin Arbërit në pesë romane organike të shkëlqyeshme.

– “Procesi 3K/1988”

Arbër Ahmetaj sapo ka botuar një roman, do të thosha përpirës, me një gjuhë të kthjellët e të gjallë, plot metafora e ironi surreale. Rrëfimi është kompozuar duke mobilizuar përjetimin e ankthshëm e rebelues të një studenti në vigjilje të diktaturës, në prag të falimentit të saj dhe në fillim të përrallës demokratike, kur nis riciklimi në pushtet i po atyre njerëzve që kanë qenë foljet ndihmëse të regjimit totalitar. Narrativa përbën një sagë të “iluzioneve të hidhura” të një breznie të tërë, me fëmijërinë, adoleshencën, rininë dhe pjekurinë e personalitetit, që del nga një diktaturë gjakatare dhe hyn në një komedi të zezë të hipokrizisë mizore. Është lloji i romanit “portret artisti në rini”, ku spikat, përveç heroit të rrëfimit kinse autobiografik, personaliteti i fokusuar dhe misterioz i personazhit të traumatizuar Kosta P, një personazh-baladë, i marrë peng nga Sigurimi. Një personalitet ekscentrik, i shtrirë në të dyja kohët.
Arbër Ahmetaj ka demonstruar hijshëm administrimin mjeshtëror të historisë së heroit me historinë vetjake, si dy pole që gjenerojnë fshehtësinë, adrenalinën apo, më saktë, urinë e kushtëzuar për kureshtjen e rrëfimit. Në të dyja rastet spikat rezistenca e brendshme për të mos iu nënshtruar makinës shtypëse e rrafshuese të nivelimit të personalitetit.
Ahmetaj na mban pezull me “artin e koprracisë” së rrëfimit, fshehjes apo, më mirë, shtyrjes së faktit intrigues, duke ruajtur deri në faqet e fundit shtjellimin e plotë të enigmës. Midis poetizimit, blasfemisë dhe anatemës, romani është sa thriller politik, aq edhe elegji për kohën dhe metamorfozën që ajo bën me njeriun, brezin, idealet.
Në roman ka nota autobiografike, disa herë të theksuara; ka përshëndetje të fshehta për shumë miq të tij e ngjarje të zëshme në kapërcyell të viteve ’80. Por, kryesisht, “Procesi…” i Ahmetajt është, më së pari, një roman fiction, një produkt i imagjinatës. Romani është homazh dhe postcriptum njëherësh i asaj që ne donim, ëndërronim dhe meritonim të ishim, dhe asaj që të gjithë e kemi peng dhe e përjetojmë si “prerje në besë”.
Toni dhe intonacioni familjar e mirëbesues i rrëfimit të ngjit dhe vijon shtruar, si me “gisht ndër buzë”, për sekrete që priten të hapen, pa artifica e patetikë, aq sa fshihet/shuhet pa u ndjerë kufiri që të bën me dije se ti po lexon një vepër artistike. Thjesht të ka rrëmbyer jeta dhe ti je përpirë brenda saj. Kjo, për mua, është shenja e një pjekurie të lartë dhe tregues i një cilësie të padiskutueshme për një prozë të bukur dhe prozator të mençur.
E falënderoj autorin për këtë roman sa të dobishëm, aq edhe prekës me artin e “padhunë” që na përcjell!

***
Arbër Ahmetaj është shkrimtari që jeton prej dy dekadash jashtë Shqipërisë. Ai detyrën që i takon një shkrimtari (të shkruajë sa më mirë të mundet), e ka kryer dhe vazhdon ta kryejë bindshëm. Ç’të bëjë më shumë se kaq? Por, për mendimin tim, lexuesit, propaganduesit e librit, seleksionuesit profesionistë të vlerave letrare (ndonëse të paguar nga shteti), i kanë hyrë në hak prozës romanore të shkrimtarit Arbër Ahmetaj!

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!