Press "Enter" to skip to content

Kujtimet e Jozef Leopold Hygo për lindjen e të birit, Viktorit

26 shkurt 1802

Prisnim që të vinte në jetë Viktoria, por ja ku na erdhi Viktori. Në pamje të parë, mund të them se edhe ai vetë e kuptoi që nuk po prisnim atë. Dukej mëdyshas: të dilte apo jo. Nuk kishte asgjë të përbashkët me fytyrat e bukura të vëllezërve të tij; ishte i vogël dhe shëndetlig, sa që edhe mamia tha se nuk do ta kishte të gjatë.
E kam dëgjuar disa herë nënën e tij të rrëfehet për lindjen. Ajo thoshte se nuk ishte më i madh se një thikë. Pasi e mbështollën, e vendosën në një kolltuk; ai zuri aq pak vend, sa mund të shtoheshin edhe nja dymbëdhjetë të tjerë si ai.
Thirrëm vëllezërit që t’ua prezantonim. Viktori ishte aq i ligsht, sa nuk kishte asgjë të përbashkët me Eugenin 18-muajsh, i cili sapo kishte filluar të fliste dhe, kur e pa, bërtiti: “Ua, bishtaku!”.
I agonuari nuk vdiq. Vetëm qumështi i pastër, kujdesi, urimet dhe dashuria e mëkëmbën dyfish “fëmijën e një nëne kokëforte”.
Kur e kuptoi se nuk na kishte mbetur hatri që ai nuk lindi ‘Viktoria’ dhe, në vend që ta falnim, kujdeseshim për të, vendosi të qëndrojë. Pas gjashtë javësh të profecisë së lindjes, ai mori rrugën paqësisht nga Benzonson në Marsejë.

Përktheu nga origjinali: Mimoza Kuchly

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

Komento

error: Content is protected !!