Press "Enter" to skip to content

Tasos LIVADHITIS: Erotike

Po, e dashura ime. Shumë kohë para
se të të takoja, të prisja. Gjithmonë të prisja.
Që kur isha fëmijë dhe mëma më shihte të trishtuar,
përkulej dhe më pyeste: çfarë ke bir?
Nuk flisja. Vetëm vështroja pas supeve të saj,
një botë të zbrazët nga ty.
Kur endesha me lapsin ndër duar,
ishte që t’mësoja të të shkruaja këngë.
Kur mbështetesha mbi xhamin e shiut,
ishte, se ti ende vonoje.
Kur natën kundroja yjet,
ishte, sepse më mungonin sytë e tu,
por kur binte dera dhe e hapja, nuk shfaqej askush.
Diku nëpër botë, rrihte zemra jote.
Kështu jetova. Gjithnjë.
Dhe kur u takuam për herë të parë –
të kujtohet? – ma dhe dorën kaq ëmbëlsisht,
si të njiheshim prej vitesh.
Sigurisht, që më njihje.
Pasi shumë kohë para se të hyje në jetën time,
kishe jetuar kaq shumë brenda ëndrrave të mia,
e dashura ime.
Do desha të puthja duart e babait tënd,
gjunjët e nënës që të lindi për mua,
të puth gjithë karriget, që i çike me fustan teksa kaloje,
të fsheh si hajmali në gjoks, një copëz të vogël nga çarçafi ku fjete.
Do mundesha madje t’i buzëqeshja edhe atij,
që të ka parë lakuriq para meje,
t’i buzëqesh, që iu dhurua një lumturi e pafundme.
Sepse unë, e dashur,
të detyrohem diçka më të madhe se dashuria,
të detyrohem këngën e shpresën,
lotët e sërish shpresën.
Çasti më i vogël që jetova me ty, ishte gjithë jeta ime.

Përktheu nga origjinali: Eleana Zhako

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!