Romanin “Kryqi i harresës”, të autores Flutura Açka, e gjeta në aeroportin “Nënë Tereza”, mes rafteve të pakta për autorët shqiptarë, “mbytur” nga letërsia në gjuhë të huaj. I publikuar në vitin 1999, më bënte të ndihesha fajtore për vonesën e leximit dhe nuk e di nëse mund t’i shkruaj tani dy rreshta për të, pasi kanë kaluar gati 20 vjet dhe kritika apo lexuesi e ka thënë mendimin e vet, gjithsesi mendoj se të flasësh rreth emocioneve që të transmeton një vepër e çfarëdolloj gjinie qoftë, kur thotë profesori im, Y.C, do të thotë se “je goditur” prej saj.
Që nga kopertina dhe titulli krijova një ide të temës së librit.
Romani nis me dy pasagjerë të panjohur, por me rrënjët nga i njëjti vend, që takohen ndërsa prisnin rinisjen e fluturimit në një aeroport tranzit. Në këto lloj takimesh, njerëzit shpesh rrëfehen si në foltore për çka nuk do të mundeshin ta bënin me të njohur. Hyjnë deri edhe në imtësi të jetës së tyre pa turp, pa frikë, pa pengjet se si do të paragjykohen prej dëgjuesit.
Rrëfimi është i ndarë në pjesë; herë ajo vetë narratorja e më pas humbet veta, e rrjedhja bëhet normale.
Ngjarjet zhvillohen pas viteve nëntëdhjetë dhe intriga fillon me plakun Kolë Gegaj, i cili të kujton Makbethin; i tkurrur në hijen e mendimeve të zymta, peng i së shkuarës, që nuk e lë të jetojë të tashmen e nuk ka guxim ta varrosë me veten. Thirrës i gjakut, që thurr e tjerr për gjashtëdhjetë vjet tisin e helmët të një hakmarrjeje, që shumë e kishin harruar; një kryq që mban peshën e së shkuarës dhe kalvarin e së ardhmes. Buzëmbrëmje, e diel e plumbtë; peizazh i trishtë, mjegullnajë e zymtë mbi hekurudhën e vjetër, të dëmtuar, që rënkon përgjatë rrjedhjes, diku me trase të kafshuara nga koha, diku me shina të mangëta nga grabitjet, që nuk transmeton gjë tjetër veç mëdyshje, pikëpyetje, frikë, ankth.
Një krismë në një udhëkryq mbi një njeri të paarmatosur, ulur pranë një fëmije krejtësisht të dlirë; një vrasës që shfaqet dhe tregon fytyrën e krimit përballë të pafajshmëve.
Një vrasje në një udhë; viktima një shofer, i cili mbart në duar ende mollën e një fëmije shtatëvjeçar, si molla që parandiente mëkatin e botës.
“Vrasësi vari pushkën në sup me një qetësi hungëritëse, që dukej se s’kishte të bënte me natyrën e tij, si njeri i ngucur me zor ta bënte gjëmën…
Ende shpina e kërrusur e vrasësit ikte përtej, molla e përthamun dhe e flakur diku skaj kabinës dhe ata të rastësishmit aty, të tranuar…” (fq 48).
Këtu përfundon “akti i parë” i tragjedisë. Gjaku i marrë, haku i marrë, Kanuni… Pra, ngjarja e romanit vjen nga ligjet e pashkruara të maleve, Kanunit, ku “vdekja nuk dihej se nga vinte – ajo vinte dhe nga pika e diellit, edhe nga pika e burrit”.
Në roman, të gjithë personazhet dhe takimet e tyre tërhiqen, pa e kuptuar as vetë, nga disa fije të padukshme, që i shpien shumë larg në kohë dhe në hapësirë, atje në pjesën më veriore të Shqipërisë, në krismat dhe klithjet e Kanunit. Personazhe të huaj dhe shqiptarë, që kërkojnë të deshifrojnë sipas dashurisë së tyre këtë himn të vdekjes e të shpëtojnë nga kthetrat e saj të paktën jetën e një fëmije, që Kanuni kërkon ta mbajë peng.
Kanun apo moral, trillim apo virtyt, turp apo nder, mit apo nevojë…
“Ata, shqiptarët e maleve, që nga një shtysë e çuditshme vetëmbrojtjeje, si për t’u ruajtur nga armiqtë në fusha, ishin ngjitur në male, befas kishin shpikur armikun e maleve”. (fq 133).
Personazhet janë një amalgamë ndjenjash; ata i frigohen këtij labirinthi, që si një vampir kërkon ende gjak. Pas tragjedisë ata shfaqen të vrazhdë, të trembur, të përhumbur, të trishtë, si vetë vdekja që u ra mbi krye, që iu servir prej plakut-Makbeth.
Gjakmarrja e trashëguar mes dy familjeve, Gegajve dhe Prejkalave, të cilat duhej të përjetonin të njëjtin kalvar, tragjedi e të sakrifikonin paqen dhe dashuritë e tyre. Një vrasje me dëshmitar një fëmijë!
Rrëfimi pështillet rreth një plumbi, i cili kërkon sipas ligjit kanunor plumb, por epoka sot kërkon t’i largohet këtij miti. Nga një falje varen shumë jetë, varet e ardhmja, por fatkeqësisht e shkuara nuk i jep dot zgjidhje së nesërmes.
Romanit, në dukje, i mungojnë dialogët, por personazhet komunikojnë gjithmonë në heshtjen e tyre.
Duket sikur përkohësisht, historia e kryqit të harruar gjen zgjidhje nga Gjergji dhe Anja, “të jashtmit”. Zgjedhje e përkohshme… E përhershme…
Autorja ka përdorur një gjuhë të larmishme; ka shkundur nga pluhuri fjalë e shprehje, të cilat duket se i kishim humbur; një rigjenerim, ndërthurje me frymën epike, si në shembujt e marrë herë-herë nga nenet e Kanunit.
Mënyra e të shprehurit të tërheq drejt atyre hapësirave ku personazhet kërkojnë lirinë, ç’prangosjen nga ligjet e pashkruara… Ndihet familjarizimi me historinë dhe kulturën e zonës, në të cilën zë vend tragjedia e përshkruar me të gjitha traumat e saj.
Hyrja dhe dalja në kohë e hapësirë, bën që përmasat e ngjarjeve, gjykimit, hamendjeve të ndryshojnë. Personazhet udhëtojnë nga njëri vend në tjetrin, nga njëra krahinë në tjetrën. Peizazhe që herë të frymëzojnë e herë të trembin; peizazhe të pikturuara vrazhdë, të lodhshëm, të varfër, të vërtetë.
“Relievi ku po shkelte, ishte tatuazh i tij; as ajo dhe askush tjetër nuk do të mund t’ia shkulte.”
Mendoj se ky roman lexohet në çdo epokë, në çdo vend, në çdo aeroport dhe në çdo gjuhë, sepse na sjell si në një tablo dobësinë dhe fisnikërinë e alpeve tona, që fshehin mite e gojëdhëna, kanune dhe ngujime. Do t’ia rekomandoja çdokujt që nuk e ka lexuar ende këtë libër për vlerat historike, stilin dhe sinqeritetin me të cilat serviret drama më e rëndë e një populli, që ende ka kulla me njerëz të ngujuar.
Paris 2019
Të tjera nga ky autor:
- Intervistë me shkrimtaren Flutura Açka
- Flutura AÇKA: Biri (fragment)
- Flutura AÇKA: Cikël poetik 2 (Roja i dritës)
- Flutura AÇKA: Cikël poetik (Roja i dritës)
- “Kryqi i harresës” dhe fataliteti i kanunit
- Lotusi
- Mimoza KUCHLY: Cikël poetik
- “Don Kishoti i Mançes”, një vepër e mallkuar?
- Mimoza KUCHLY: Magjia e bukës
- Mimoza KUCHLY: Përsiatje mbi librin “Dëfrim heshtnaje” të Valentina Saraçinit
- Sully PRUDHOMME: Poezi
- Intervistë me Albert Kohen
- Kujtimet e Jozef Leopold Hygo për lindjen e të birit, Viktorit
- Letra dashurie: Letërkëmbimet e para të Victor Hugo me Juliette Drouet
- Mimoza KUCHLY: Ai, baleti dhe unë
- Mimoza Kuchly: Balerina pariziane
- Letra e fundit erotike e Bonapartit për Jozefinën
- Letërkëmbimi i dashurisë së George Sand dhe Alfred de Musset
- Mimoza Kuchly: Copëza poetike
Be First to Comment