Press "Enter" to skip to content

Agron TUFA: Cikël poetik

Hamleti (i riu)

Ndërgjegjja e ashpër e tokës topitet.
Shpërprush ndër ethe mijëra sy yjësia.
Një zë vjen së largu e zgripeve mbytet:
Këndon Ofelia? Vajton Ofelia?

Sharroj pagjumësie. Mesnatës mbaj vesh:
Fërfëllon barërash, fshan në gjethnajë –
Ky zë që s’të lë sfilie të flesh,
është këngë apo vaj?

Kur ndaj agsholi dal nga kështjella
dhe kalit i grah me galop,
shkrehur shoh shelgjet vajesh të thella,
yllësia shpërtheu në lot.

I pabesë, tinëzar shket lumi përposh,
me shtëllunga avujsh përmbi:
“Ti Ofelinë më s’do ta dëgjosh,
s’do kesh më në Botë Ofeli!”.

Kalin e ngava teposhtë flauri,
mes shelgjesh të qullur në vesë…
s’më duhej më Bota pa Ofeli,
ndaj lypa një vend që të vdes.

Vendi s’u gjet atë ditë. As më pas.
Të vdisja më s’kish interes.
Tanimë jam plak. Kujtohem të flas:
Hamlet më thonë – princi danez.

Lilitë

Dromcat e territ shkoqen e bien –
Tespihe të zeza për truall.
Ti rishmi ua shkon kokrrave fijen
dhe terrin e mbledh përkundruall.
Ç’engjëll besëlashtë ta kallëzoi gjestin,
gjithë hir të më bësh reveransë?
Fisnik dro kam qenë, që gjestet më prekin,
a ndoshta poet në Provansë?

Ndjej terrin tinëzar të mbushë çdo enë,
pa prekur mesdita, as mbrëmja.
E ngre dhe e kthej gurmazit si venë,
terrin me shtamba të rënda.
Me bie në kokë kjo venë e trashë
de shapin e shpirtit m’a trand.
Në rrashtë pëlcet me dijen e lashtë,
që ruajti kaq vjet kontrabandë.

Këputet e bie çikrik qetësia,
pusesh që plasin – shkundull.
Në rrathë shpërhapen ëndjet e mia –
Dyndet kujtesa e turbullt:
Dallëndyshja që nisa ra e përgjakur,
një valë të terrtë e pluskon…
Dhe bef për një timtë sytë m’i përflaku,
profili yt si grifon.

Ja kopshtet… rimbushen rishmi statuja,
me shpurë e skllevër t’kalosh…
Ku shpata të bjerë, kur zjarri, rrëmuja,
tempujt t’i vënë përposh –
Tjetër perandori do të kesh ndërruar,
në tjetër kohë e shkëlqim –
Dhe rishmi në sytë e tu t’yllësuar,
bie viktimë fati im.

S’do mundem ta shpreh me fjalë vdekatarësh,
grimëkohën kur syri yt,
më kallet si ethe margaritarësh
dhe shapin e shpirtit trondit.
Ti flegrat m’i mbush athtësira disfatash –
pikëllime e pezme pamort:
Jo dashurinë – vrigëllima shpatash,
vjen e më shtie për short.

S’do mundem t’i shmangem misterit shtangues,
që më ngallmon kjo seancë:
Ti vjen dhe skenarin paracaktues,
shpalos me këtë reveransë.
Përvoja të lashta hidhërimi të ri,
rishmi na shtyjnë në rol:
Të shpik, pra më duhet, një histori,
vetveten ta kem nën kontroll.

Pengu

“I tmerrshëm! Pikon dhe shkrihet në dëgjimin e vet!”
Boris Pasternak “kopshti”

Me çapet e shiut rrëzohet përtokë,
një hije që shket n’errësirë.
Kjo degë në kopsht e rrok a s’e rrok,
ç’ia shtiu atë drithëtirë?

Me barrën që mbajti tundet sikur
një “po” dhe një “jo” të kumtojë.
Po barra e Hijes rëndon si një gur
dhe fshihet pas shirash të pushojë.

Me çapet e shiut e ndjej si ofshan,
ky peng i një Shpirti pamort…
Nga cila kohë, cila rrënojë
dhe cilin ka zgjedhur t’ia thotë?

Po shiu ahtin e Bujtësit e fsheh,
gjethnajës me fruta-purpur…
Mos kopshtin ndërgjegjja e ngjeth ende,
e krimit që ndodhi dikur?

Mos ndoshta ky Shpirt kurrë s’do ikë,
mos ndoshta shirash pafund,
pezmin e vet e zbraz pikë-pikë,
ndërgjegjen e kopshtit të mundë?

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!