Nizar Kaban është një nga poetët modernë më të admiruar të botës arabe. Me një stil të thjeshtë e figurativ poetik, Kabani eksploron dashurinë, erotizmin, feminizmin, fenë dhe nacionalizmin arab, si dhe politikën.
Në mëhallë një kaposh delenxhi kemi,
puplat pulave ia shkul, horr’ i pafe,
u turret, i nduk, harbon e i divorcon,
emrat e zogjve s’mban mend, i harron.
Në lagje kemi një gjel, që çirret me mëngjes,
komandant kapadai, i fryrë si thes,
na shtyp natë e ditë, na këndon e mban fjalime,
si i përjetshëm kuvendon, hidhet e përdridhet.
Se është i forti, i gjithëpushtetshmi, s’harron kurrë.
Në lagjen tonë kemi një gjel agresiv,
tamam fashist, nazist dhe aspak progresiv,
me tanke erdhi një ditë në pushtet,
lirinë varrosi, miletit i nxor’ vaj të zi.
Ndryshoi atdheun,
ndryshoi popullin,
ndryshoi gjuhën,
ndryshoi historinë,
ndryshoi datëlindjet e fëmijëve,
ndryshoi emrat e luleve.
Në lagjen tonë, në festat kombëtare,
gjeli vishet si gjeneral.
Ha…
Pi…
Shthuret në qejfe…
Hipur mbi trupat tanë…
Thyen femrat varg-ushtri.
Në mëhallën tonë jeton një kaposh,
ka çliruar gjithësinë, ka mijëra gra, por kokëbosh.
Në mëhallën tonë kemi një gjel analfabet,
udhëheq një bandë hajdutësh me dyfek.
S’di gjë tjetër veç sulmit dhe shkatërrimit.
S’di gjë tjetër veç vjedhjes e mashtrimit.
Dikur, shiste dhe rrobat e babait të tij,
linte peng unazën e martesës, krejt flori.
Për para vidhte edhe dhëmbët e artë të të vdekurve!
Talenti i vetëm i kaposhit të mëhallës tonë,
shkrepja e patllakes ndaj fjalës së lirë, që në kokë i gjëmon!
Mëhalla jonë ka një gjel fanatik e kokëkrisur,
fjalime të stërgjata mban, që s’kanë të sosur.
Nga dëgjuesit në podium i vijnë plot lavdërime.
Me qesëndi thotë me vete: “Kjo është lartmadhëria ime!
Unë jam shteti, unë jam kanuni e ligji.
Pa mua s’mbin gruri, s’bie shiu, unë jam Maliqi!”
E ç’të mirë presim ne të ngratët?
Çfarë bekimi presim nga truthatët?
Ky është një vend që Zotin s’e njeh,
prandaj udhëhiqet nga gjelat e pafe!
Në vendin tonë, një gjel vjen e një tjetër shkon,
një parti tërhiqet e një tjetër pushtetin gllabëron.
E i shtypur mbetet veç njeriu!
Kur kaposhi ynë kalon në pazarin e fshatit,
ngre lafshën, puplat fryn i krekosur.
Mbi supe i ndritin gradat e lirisë,
pulat lavde i thurin, atij, lartmadhnisë.
I thonë:
Zoti kaposh!
Zoti kaposh!
O gjeneral i harbimit
dhe hamshor i çiftimit.
O ashiku i miliona grave
a të lipset ndonjë skllave?
Masazh po të ofrojmë.
Ç’të duash ta sigurojmë!
Por, kur sulltanit, haberi i gjelit i mbërriti
“Koka atij gjeli t’i pritet”, xhelatit i bërtiti.
Me zë të bujshëm fort foli:
“Një gjel, nga djemtë e lagjes, kundër pushtetit më doli?!”
Si ka mundësi, vallë, ky gjel,
guxon e rival më del?!
Përktheu nga origjinali: Elmaz Fida
Të tjera nga ky autor:
- Zemërohu!
- Takime sekrete
- Faqe të mbyllura
- I urrej pyetjet (Poezi)
- Dy mikrotregime
- Dëshmoj se nuk ka grua tjetër si ti
- Ku ka dashuri, ka paqe (Cikël poetik)
- Poezi
- Poezi
- Unë jam nëna e të gjithëve
- Tri poezi
- Shtatori
- Nizar Kabani: Poemë e egër
- Nizar KABANI: Bota ma hedh fajin mua
- Nizar KABANI: Të premtova
- Nizar KABANI: Mes një dashurie dhe një tjetre
Be First to Comment