Një nga lexueset e revistës dhe poete e re pyet: “Si shkruhet soneti? Në mënyrë të lirë apo mund të krijosh një numër sonetesh, që kanë të njëjtën temë apo histori? Shkruhet vetëm për dashurinë? A ka autore femra që shkruajnë sonete? Sepse, deri më tash, kam dëgjuar vetëm autorë meshkuj.”.
Poetet janë aq të zonjat sa edhe poetët, në mos më të ndjeshme e plot gjak. Thuajse të gjitha poetet e rëndësishme kanë shkruar sonete. Megjithatë, në një shoqëri të dominuar nga patriarkalizmi, diskriminimi i krijueseve është i njëjtë si në çdo fushë tjetër të jetës.
Soneti është thjesht një poemë lirike e shkurtër, me 14 vargje 10-rrokëshe. Emërtimi vjen nga italishtja “sonneto”, që do të thotë: këngë e vogël/e shkurtër.
(Në letërsinë shqipe na është mësuar të diskriminojmë mes vjershave, poezive dhe poemave. Duke dhënë idenë se njëra është më e rëndësishme se tjetra, të tria janë poema, ndaj dhe unë përdor një emërtim të vetëm: poemë.)
Sonetet janë një nga format më të sofistikuara të poezisë dhe, të gjithë ata që kanë pretenduar të jenë poetë, kanë shkruar të tilla, me sukses, herë-herë, të diskutueshëm. Në poezinë shqipe ka pasur disa tentativa serioze për të shkruar sonete, por nuk kanë mundur të bëhen pjesë e diskutimit letrar. Shpesh kjo për arsye të mos respektimit të metrikës apo neglizhimit të elementeve strukturore, që përbëjnë sonetin.
Struktura
Përveç 14 vargjeve 10-rrokëshe, soneti ka një strukturë të komplikuar, por që lejon edhe hapësirë krijuese. Elemente të tjera janë rima, kthimi (volta) dhe ritmi. Pa dashur të hyj në detajime teorike të qindra variacioneve të soneteve, ky është shembulli më i thjeshtë:
14 vargje. Soneti shekspirian përbëhet nga një oktavë (tetë vargje) dhe një sekstet (gjashtë vargje), ku kthimi apo thyerja ndodh në vargun e nëntë. Me thyerje mund të nënkuptojmë ndryshimin e natyrës së gjuhës ose kalimin nga pyetjet te përgjigjia. Mundësitë janë të pafundme.
Një formë e lehtë për t’u shkruar dhe më e përshtatshme për poezinë shqipe është me tri kuatrina (katër-vargësh) dhe një koplet (dy-vargësh), ku rima godet në: ABAB CDCD EFEF GG ose variacione të ndryshme, si: ABAB CDCD ABAB CC/DD. E rëndësishme është që struktura e zgjedhur të ruhet për të nxjerrë në pah jo vetëm bukurinë e mendimit, por edhe estetikën dhe tingëllimin muzikor të poezisë.
10 rrokje. Sonetet shekspiriane janë zakonisht 10-rrokëshe, me ndonjë neglizhim, herë pas here, por ka poetë që kanë shkruar 11 dhe 12-rrokësh. Duhet theksuar se 10 apo 11 rrokje është masa ideale për një sonet. 10-rrokëshi është i rrumbullakosur, me ritëm të mbyllur, kurse 11-rrokëshi lejon një “kondratempo” në mbyllje të vargut e shpesh përdoret për të theksuar pasigurinë.
Ritmi. Ritmi është ai që e bën një poezi të këndueshme, që ndihmon lexuesin jo vetëm të mbajë mend lehtë vargjet, por edhe të ngulisë në mendje mesazhin. Çdo varg i bukur ka rimë e ritëm, por jo çdo rimë e ritëm janë të bukur. Me pak fjalë, ritmi është amplituda e ulje-ngritjeve mes zanoreve të theksuara dhe të patheksuara. Megjithatë, skllavërimi matematikor i vargut nuk është estetik. Poeti duhet të gjejë një balancë mes strukturës së zgjedhur dhe shmangieve të saj.
- 10-rrokësh: ta-TA ta-TA ta-Ta ta-TA ta-TA
- 11-rrokësh: ta-TA ta-TA ta-TA ta-TA ta-TA-ta
Temat. Janë pa fund, megjithatë sonetet më të bukura janë shkruar për dashurinë, luftën dhe sakrificat. Zgjedhja e poetit është personale, por sonetet, zakonisht, shtrojnë pyetje e japin përgjigje; tregojnë diçka e më pas bëjnë një pyetje; bërballin dy realitete apo ndjenja.
Gjuha. Soneti nuk e pranon lehtë abstrakten. Vargje me “shëmbëllime shpirtrash kapluar” apo të ngjashme nuk arrijnë të krijojnë një imazh në mendjen e lexuesit, ndaj është mirë që mjetet retorike të përdoren mbi baza imazhesh a shëmbëllimesh reale apo magjike, por të shpjegueshme qartësisht edhe me fjalë të tjera. Soneti mund të jetë i gjithi një metaforë e fuqishme, por pyetja retorike, krahasimi dhe personifikimi janë ato që do të të bëjnë të shkruash diçka të mrekullueshme, të paharrueshme.
Të tjera nga ky autor:
- Dëshirore shqiptare
- Errësirë
- Dans ma rue vit un vieil homme
- Pellgjet
- Në krahët e tu të vdes
- Wild cherries
- Varret e mia
- Në rrugën time jeton një plak
- Në një gjithësi tjetër
- Letra dashurie: Juliette Drouet për Victor Hugo
- Kur më qesh im atë
- Nëse ty
- Jacket in the summer
- The gentleman’s pleasure
- Xhaketë mes beharit
- Pulë e pjekur dhe byrek
- Te Mimoza Kuchly rrëfen jo vetëm gruaja
- Kënaqësia e Halimit
- Ca kupa verë me Perëndinë
- Përhumbur
Be First to Comment