Press "Enter" to skip to content

Denata NDRECA: Poezi

0Shares

Tavolina në mes

Tek puth ngadalë të ëmblin kujtim,
lotët rrëshqasin në terrin e butë.
Do iki dhe unë, s’do kthehem sërish,
të të shoh ty të shndërruar në gur.

Dhoma do mbesë ajo që ka qenë,
dy krevate tek, me tavolinë në mes.
Do iki dhe unë,
s’do kthehem sërish,
që çarçafët t’i shkund e t’i prish.

Me vapën e gushtit do të ikin ditët,
e bashkë me to do iki dhe unë.

E hidhur mbet shija e kujtimeve,
ndërmjet krevateve tek
që s’do bashkohen më kurrë…

Vetëm

Nga unë
mërguan të gjitha.
Edhe gjumi,
edhe lumturia.

Nga unë
do mërgosh edhe ti,
që prej teje
të mërgojë mërzia….

Loja

Sa herë të pyes
e nuk më përgjigjesh.
Sa herë më përgjigjesh
pa të pyetur kurrë.

Sa herë afrohem
ti largohesh,
e kur largohem,
ti kthehesh tek unë….

 

Heshtja

Unë hesht
në heshtjen tënde,
ti hesht
në heshtjen time.

Të dy heshtim.

E heshtja
hesht
në heshtjen tonë….

 

Pak fjalë mbi autoren

Denata Ndreca ka lindur në Shkodër, më 1976-n, por prej njëzetë vjetësh jeton në Itali. Është poete, gazetare dhe përkthyese. Ka botuar në Shqipëri vëllimin poetik “Rreth meje”; në Romë “Një far në mjegull”; në Firence “Pa frikë” dhe “Kohë e mohueme”, si dhe librat për fëmijë “Karroca magjike” dhe “Jam unë”. Veprat e saj janë vlerësuar me tituj e çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Disa prej tyre janë përkthyer nga italishtja në shqip, frëngjisht, tailandese, spanjisht dhe anglisht. Dy librat e saj për fëmijë janë pjesë e programit shkollor në dy qytete në Tailandë. Është përfshirë në disa antologji të poetëve bashkëkohorë italianë dhe është pjesë e “Pergola Arte Firenze”. 

Të tjera nga ky autor:

0Shares

Be First to Comment

Komento