Press "Enter" to skip to content

Letra dashurie: Juliette Drouet për Victor Hugo

Victor Hugo dhe dashnorja e tij Juliette Drouet nisën një lidhje plot pasion në vitin 1833, pas vënies në skenë të “Lucrezia Borgia”, ku Drouet luajti rolin e princeshës vrasëse Negroni. Hugo po kalonte një periudhë të rëndë emocionale pas zbulimit të tradhëtisë së gruas, Adele. Aktorja duket se ish shpëtimtarja e duhur për shkrimtarin e ndjeshëm e melankonik.
Dashuria e tyre vazhdoi deri në vdekjen e Drouet, më 1883.

1 nëntor 1839
Mirëmëngjes, i dashuri im i vogël, i pakti burri im i dashur. Dje më the me plot bindje se kaligrafia ime ishte aq e shëmtuar dhe llomotitja që shkruaja veç një labirinth i tmerrshëm, ku ti humbet durimin dhe dashurinë, aq sa mezi guxoj të të shkruaj sot dhe do duhet veç pak të më bëjë ta lë përgjithnjë letërkëmbimin tonë.
Na duhet ta shpjegojmë këtë që po ndodh, sepse ndryshe je i pashpirt që më detyron të bëhem qesharake ditë e natë, thjesht se të dua dhe jam veç një grua e vetmuar plot trishtim. Nëse dashuria ime është pasojë e padijes dhe mendjelehtësisë, të paktën mos më detyro të hidhem vetë në shkatërrim.
Ka qenë një kohë që ti nuk e vije re shëmtinë e shkrimit tim; thjesht lexoje atë që shkruaja, i lumtur e i kënaqur. Tani ti qesh dhe kjo është e padrejtë, e ligë. Ky duket se është fati i gjithë Kuazimodove në këtë botë, shpirtërorë apo fizikë; me ta tallen: forma duket se është gjithçka e shpirti asgjë.
Edhe sikur të të thosha me shkrimin tim të shëmtuar se “Shpiti im është i bukur”, ti prapë do qeshje. Ndaj, i dashuri, burri im i vogël, duke pritur ditën që edhe unë të të bashkohem e të qesh me veten, mendoj se është mirë të pushoj së shkruari përditë. Për më tepër, ka ardhur koha që unë të përqendroj gjithë energjitë në përmirësimin dhe sigurimin e gjendjes dhe pozicionit tim. Asgjë në këtë botë nuk më largon dot nga pikësynimi, sepse për mua është një çëshje për jetë a vdekje…
Shpresoj te ndihma jote, i dashuri im. Po të kërkoj më shumë se jetën; moralisht të përjetojmë martesën e dashurisë sonë.
Lermë të vij me ty kudo ku kërcënohet dashuria ime; lejomë të jem gruaja jote e mendjes dhe zemrës, nëse nuk mundem e jotja të jem ligjërisht. Nëse sheh se keq po shprehem, mos u tall, por kupto se kam të drejtë të shkruaj ato që edhe ti ke ndjerë, të këmbëngul të mbroj veten kundër gjithë atyre grave që të përkulen me preteksin se duan të të shërbejnë. Por do vijë dhe rradha ime, sepse të dua dhe jam xheloze.
J.

Pak më vonë atë ditë:

Ti je mirë, i adhuruari im, ndërsa unë e pafat. Megjithatë të dua, kurse ti veç lejon të të duan; kjo të lejon të jesh kaq i qetë e mua më bën të hidhur. Zemra më është rënduar sonte nga xhelozia dhe asgjë përveç prezencës tënde nuk do më qetësojë dot. Brenda shpirtit kam gjithë furtunën e zjarrin e ferrit. Do desha të më qepnin te astari i xhaketës tënde sonte. Më duket sikur do të përballem me rreziqe të mëdha, që mund t’i zmbraps vetëm po të ndenja pranë. Nëse frika ime është e vërtetë, me siguri nuk do mund të bëj asgjë të shmang shkatërrimin, sepse ti nuk do mund të rrish me mua gjithë mbrëmjen. Përgëzimet dhe komplimentet që do marrësh do të të largojnë prej meje. Nuk e mohoj dot që jam e trishtuar dhe do desha më shumë të isha me ty në Fontainebleau, në “Hotel de France”, sesa në lozhen C, edhe sikur të luhej “Marion de Lorme”.
Puthmë, burri im i vogël. Dukeshe shumë bukur në pallton e re, por nuk më the se shkove të rrobaqepësi. Do barazohem me ty, duke thirrur për vizitë fustanbërësin tim.
Nuk të lëshoj pe aspak kur vjen puna për hijeshi dhe sqimë…
Juliette

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!