Press "Enter" to skip to content

Shazim MEHMETI: E bukur dhe e frikshme, nata

E bukur dhe e frikshme nata…!
Për çfarë s’mund të na vrasë armiku, dashuria na vret!
Asgjëja dhe gjithçkaja e njëjta gjë qenkan.
Veç ajo dhe shkrimi kohën ma tejmbushin.
Zoti im, me gjithë botën jam në paqe e me veten jo!
Kokëdhembja më këshillon me veten si t’ia dal
e veten s’e ngjall dot as duke qenë i gjallë!
Liria është vejusha e fjetur mbi shtratin e dhembjes
e unë jam përsëritja, e përsëritja, e përsëritja pa fund!
Fryma e rrënimit kah kotja më shtyn, kah mendimi,
e një dromcë të dëlirë s’arrij ta kem në kokë.
Pafundsisht më ndodh në garë të jem me hiçin!
Dyfishi i vuajtjes jam,
kotja e kotë,
kapota e grisur e këtij shpirti që ngas!
Pohimin e mohoj pandaras, pandaras e pohoj mohimin!
Nuk gjej dot mënyrë, gjuhën e dritës ta këngëbelbëzoj!
Krejt ç’di për të tjerët, nga vetja i mësoj.
Dheu i ujitur jam, dheu i lumtur në gjendje pushtimi,
mbi veten shkel, mbi mëkatin e bardhë frymoj,
përngirjen e fukarenjve dhe urinë e të pasurve kundroj,
pritjen pres e mbi frymën e fundit i përunjur jam,
nuk gjej dot mënyrë ta mësoj me fund anatominë e natës,
në çdo të thjeshtë të vogël,
një përbërje të madhe gjej!
Gjej dritën në qorr dhe qorrin në dritë gjej,
hijet në dritë i shoh si lahen e s’arrijnë ta dijnë,
shpëtim qenka verbëria, shpëtim qenka shëmtia!
Oh, Zoti im,
përçartas flas, përçartas frymoj, mendoj!
E bukur dhe e frikshme nata…!
E frikshme dhe e bukur…!

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!