Press "Enter" to skip to content

Luan RAMA: Vetëm sonte mos fli!

Mos fli, e dashur, vetëm sonte mos fli,
nesër shkoj dhe dua ta jetojmë çdo çast,
si ditët e netët që përjetuam bashkë,
në rrugëtim, në ditë shiu dhe stuhie,
me dëshirën e madhe mbi sy,
me gjinjtë e tu të lagur,
vështromë, puthmë dhe dehu me mua,
pastaj klith, që gjumin ta largosh nga qerpikët e tu
dhe natën ta zgjatësh,
yjet në qiell t’i mbash sa më gjatë,
zgjati duart dhe foli me zërin tënd të ëmbël,
që dritë shpirti t’u japësh ende
e asnjë nga ato të mos shuhet,
po munde tregoju një përrallë,
atë të bijës së hënës,
apo vajzës që iu premtua diellit,
Arusha e Madhe dhe Kashta e Kumtrit do të dëgjojnë,
se dhe vetë ato janë pjella të dashurisë hyjnore,
pra, ndali të gjitha orët, edhe ato të galaksisë,
puthmë dhe dehmë me buzët e tua,
që dehja jote të më zërë e të kërcej një “sirtaqi”
të më dehë si një verë e rëndë, musht Dionisi,
që nesër të mos e kuptoj se po iki nga pragu yt
dhe hapin të mos e ndjej plumb të rëndë,
në marshin e largimit, në jerm,
dehmë me frymën dhe lëngun e gojës tënde,
sepse ajo më ka bërë të lumtur,
t’i harroj të gjitha plagët e kësaj jete,
se ajo gojë më ka treguar mitin më të vjetër të botës,
atë të dashurisë,
puthmi sytë përsëri, vetëm sonte mos fli,
dhe natën mbaje mbi gjinjtë e tu të bukur,
larë në dritë hëne,
gjinj që dihasin me këngët tona të hershme, që s’i kemi harruar,
asgjë s’mund të harrohet nga streha e diellit tonë,
puthmë përsëri, gjakose buzën time,
se nesër do shkoj që në ag,
e di që bota do më rrëmbejë dhe do më hedhë në rrugën e madhe,
stuhitë do më çojnë tepër larg
dhe nuk di se ç’hyjni do të më sjellë sërish tek ti,
ndoshta vetë të çmendurat Eumenide,
pra, puthmë e dashur sërish,
puthma gjoksin që mban zinë e ndarjes,
sytë e njomësht puthmi dhe prehu aty,
vetëm sonte mos fli!…

 

(Shkëputur nga libri: “Poezi dashurie në kohë të vonë.) 

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento