Press "Enter" to skip to content

Ornela MUSABELLIU: Mall

Mos i harro ditët,
kur plagët e kohës arnuam bashkë,
me rrëshirën e dashurisë.
Të shumtë ishin hapat që tërhoqëm zvarrë;
herë unë të tuat,
herë ti të miat,
mbi trotuaret e pluhurta të qytetit me beton,
ku mbrëmjeve dielli perëndon i veshur me tis mërzie.
E megjithatë, në supet e njëra-tjetrës
qamë e u ndiem të lumtura,
se në zemër na pikonte dashuria.
Ajo më e pastra,
si frymëmarrja e thellë,
në agun e një dite buzë detit,
ku mbretëron bluja dhe aroma e luleviles,
që kacavirret mureve të shtëpive me gur e gëlqere,
bash në këmbët e Qeparoit plak.
Ah, sa mall kam tani
të fluturoj drejt teje
e të nanurisemi ëndrrave,
gjithnjë mbështetur supeve,
ndërsa këmbët zhytur në ujë…
E le të na marrë rrjedha;
ne dimë ta gjejmë prapë
prehrin e dashurisë,
si miket e zemrës dinë.
Të dua!

Be First to Comment

    Leave a Reply