Press "Enter" to skip to content

Veron DOBROSHI: Recension mbi veprën “Marshi i kërmillit” i Eqrem Bashës

Simbolika e lirisë dhe robërisë

Eqrem Basha është njëri nga shkrimtarët e veçantë të letërsisë shqipe, i cili, me teknikat e rrëfimit, tematikat dhe simbolikën e prozës së tij, sjell në letërsinë shqipe një natyrë të re shkrimi, duke e përpunuar dhe zhvilluar më shumë formën e tregimit. Nga praktika letrare e dimë që tregimi është formë më e shkurtër e prozës, të cilën e kanë lëvruar me sukses disa nga shkrimtarët e shquar të letërsisë shqipe, si: Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Migjeni, Anton Pashku, Hivzi Sulejmani, Azem Shkreli, Ridvan Dibra, Agron Tufa etj. Në mesin e këtyre prozatorëve është edhe Eqrem Basha, i cili, përveçse ka dëshmuar veten në poezi, shkëlqen edhe në gjininë e prozës. Në këtë punim analitik, si objekt trajtese do të kemi veprën me tregime të Eqrem Bashës, “Marshi i Kërmillit”. Është libër tepër interesant për shumë arsye:
Së pari, dëshmon aftësitë letrare dhe vlerat e Eqrem Bashës si prozator i suksesshëm me një teknikë të veçantë të rrëfimit, me simbole të shumta, me përshkrime specifike të hapësirave, gjendjeve, veprimeve të personazheve etj. Specifikë e kësaj vepre është trajtimi që ky autor i bën njeriut, duke u marrë veçanërisht me botën e tij të brendshme, me funksionin që ka në këtë jetë, brenda situatave të ndryshme jetësore, brenda një rrethi vicioz, ku karakteret sillen vazhdimisht duke u përpjekur t’i japin kuptim jetës, të diskutojnë rreth problemeve të ndryshme metafizike, pastaj çështja e lirisë së individit, raporti me pushtetin etj. Një veçanti tjetër e këtyre tregimeve është se autori qëllimet dhe porositë e tij i pasqyron përmes simboleve të shumta, dykuptimësive, që duket sikur janë të mbyllura me një çelës dhe kërkohet nga lexuesi që ta gjejë për të hapur dhe zbuluar kuptime të reja. Vepra përmban gjashtëmbëdhjetë tregime, duke e inkuadruar këtu edhe tregimin në hyrje me titull “Tregimi për hijen që mbështetej në dritare dhe pikën e zezë që rrokullisej para tij”. Tregimet janë kryesisht të shkurtra dhe ndahen në tri pjesë apo kapituj, ku secili kapitull ka një titull të vetin, që shërben si referencë për përmbajtjen tematike të tregimeve. Vetë titujt e tyre korrespondojnë me një simbolikë, përmes të cilave Eqrem Basha pasqyron mjeshtërisht artin e tij letrar, duke vendosur karaktere që nuk i emëron në një situatë, shpeshherë absurde, me dilema dhe paqartësi të vazhdueshme. Pavarësisht se tregimet janë të ndarë në kapituj, ato kanë një natyrë të ngjashme, sepse fryma që e përshkon secilën ka konotacione të ngjashme dhe ndërtimi strukturor është tejet i ngjashëm pavarësisht se simbolet dhe karakteret dallojnë nga njëra-tjetra, duke u modifikuar varësisht nga qëllimi i autorit për të pasqyruar situatën dhe veprimin e karaktereve të tij. Vetë kërmilli, që përdoret edhe në titullin e veprës, është një nga simbolet që paraqet ngadalësinë, ngathtësinë dhe, përmes titullit “Marshi i Kërmillit”, si dhe sintagmës që ia vendos autori në tregimin me titull “Marshi i Kërmillit drejt dritës së diellit”, paraqet njeriun e burgosur dhe të torturuar nga pushteti, por, pavarësisht kësaj, përpiqet që ta gjejë dritën e diellit. Këtu kemi dihotominë mes lirisë dhe robërisë, individi në një pushtet që e mban të burgosur. Në këtë tregim, kërmilli personifikohet me njeriun, veprimet e të cilit rezultojnë në një përhumbje dhe individi ndodhet në një situatë të rënduar, por që nuk dorëzohet dhe kërkon të gjejë dritën e diellit apo rrugën e lirisë. Përshkrimet që u bën autori veprimeve të karaktereve simbolike, në këtë rast kërmillit, janë mjeshtërore. Në një rast, kur përshkrimi është i dhënë përmes krahasimeve të vazhdueshme përfshirë edhe dhënien e detajeve, autori shprehet:

“Kërmilli i shndritshëm, i mbështjellë me jargë, kishte bërë një copë rrugë. Kishte kapërcyer tehun mes dyshemesë dhe rrëzës së nxirë të murit, atë pjesë ku gjurmët e shputave të këmbëve ishin më të dendura dhe më të theksuara. Dhe ishte pika e vetme e ndritshme në atë errësi. Guacka e tij dukej se ngrihej si kullë Babiloni mbi atë prag të kalbur, në të cilin rridhnin të gjitha ujërat e këllinjura, djersët e murit, dhe ku shkundeshin qimet e mykut. Dukej si një xixëllonjë, si një krim fosforeshent me kubenë e rrumbullaktë që bënte capin e vet të ngadalshëm pa ia vënë veshin botës përreth”.

Ky dhe shumë përshkrime të tjera të ngjashme dëshmojnë se Eqrem Basha është mjeshtër në përpilimin e saktë të fjalëve, dhënies së detajeve dhe krahasimeve adekuate të figurave të tij simbolike, që i emërton me emra të ndryshëm, në këtë rast atributet e njeriut ia jep kërmillit.
Autori paraqet tablonë e një pushteti që sundon përmes dhunës, duke mohuar lirinë e individit në shoqëri. Veçanti këtu dhe në tregimet tjera të kësaj vepre është se autori nuk jep emra konkretë të vendeve, por flet për kulturën, traditën, bestytnitë, ndërsa karakteret e tregimeve të tij në shumicën e rasteve janë anonime. Në rastet kur karaktereve u jep emra, ai i titullon me emra objektesh, fenomenesh, sëmundjesh dhe emra të tjerë të çuditshëm e rrallë herë me emra personazhesh të mirëfilltë. Në shumicën e rasteve, karakteret e tij emërtohen me përemra, si: unë, ai apo me atribute të tjera si: i pari, i dyti, i trashi, i holli etj.
Eqrem Basha preferon që karakteret t’i ndërtojë në bazë të simboleve dhe këtë e bën me sukses. Disa nga simbolet më përfaqësuese në këtë vepër janë: kërmilli, sorra, urithi, hijet, mjegulla, shiu etj. Përmes mjegullës, autori paraqet gjendjen e shoqërisë dhe ndikimet që ka ajo në jetën e njeriut, duke shkaktuar pasoja të rënda. Sipas Sabri Hamitit, “Eqrem Basha merret me psikën dhe mendjen e njeriut bashkëkohor, me gjendjen e mjegulluar mendore të këtij njeriu, të cilin shpesh e mund pafuqia t’i dallojë mirë ngjarjet dhe fenomenet që e rrethojnë. Mendja e këtij njeriu sillet në analogji dhe gati sa s’barazohet me fenomenin e mjegullës. Ai është një njeri mjegull, jeton në një ambient mjegull dhe emrin mund ta ketë mjegull. Një mendje të tillë të njeriut, e cila është shkapërderdhur dhe e paidentifikuar në mesin e zhurmave të mekanizmave të jetës bashkëkohore e i afrohet mjegullës, e ndeshim gati në të gjitha tregimet e këtij autori” . Shiu paraqet atmosferën e zymtë, ku nuk sundon drita e diellit, por vetëm plogështia dhe situatat e brishta. Përmes figurës së sorrës, në tregimin “Fara e zezë”, paraqitet armiku, raporti me pushtetin dhe urrejtja e madhe ndaj tij. Këtë figurë, autori e paraqet si kobndjellëse, që sjell vetëm fatkeqësi. Në një rast, autori shprehet kështu:

“Sorra, më tha ai i preokupuar, është shpend i keq, është lajmëtar i zisë, ka ardhur nga ferri dhe sjell mort e pikëllim, përhap gjamë e vdekje. Sorra është shpend i ndytë, që jeton mbi coftira, mbi plehra e mbeturina, është shpend i mallkuar, që të rrënon shtëpinë nga themeli dhe të prish me mace e me mi, me gjithë çka ke”.

Në një nga tregimet e tjera, Basha vendos epideminë në formën e një pushteti që ka helmuar gjithë popullin dhe kjo rezulton me viktima të shumta. Pastaj shkon edhe në situata më të thella, duke e vendosur realitetin e brishtë në një shoqëri ku individi dënohet edhe për një gjest sado të vogël, si: të qeshurit, të bërit shaka etj. Policia e ndjek kudo dhe kontrolli është i vazhdueshëm. Këto janë elemente që, si pikë referemi, kanë jetën në totalitaritet, ku pushteti sundon me të gjitha ligjet e veta ndaj një populli. Në një rast, autori përmend vëllanë e madh, figurë që aludon me Stalinin dhe sistemin komunist. Në tregimet e Eqrem Bashës, personazhet shpeshherë gjenden në situata të paqarta, plot dilema dhe ndeshen me paqartësi. Kemi situata paradoksale, që shkojnë gjer në absurditet të skajshëm, por që gjithnjë në plan të parë ka personazhin, i cili jeton në një hapësirë të mjegulluar dhe nuk është i aftë t’i shohë qartë dukuritë dhe ngjarjet që e rrethojnë. Kjo duket veçanërisht në kapitullin e fundit me tregime, që titullohet “Klinika e ëndrrave”, ku me tregimet, si: “Mëngjesi në klinikën e syve”, “Spitali” apo “Marramendja”, me anë të personazheve të çuditshëm, me emërtime po aq të çuditshme dhe absurde, pasqyrohen botëkuptimet dhe ato paqartësi që e pengojnë individin të shohë qartë dhe të përballet me ngjarjet dhe dukuritë. Nuk është aspak e pakuptimtë nëse themi që karakteret e tregimeve të kësaj vepre kanë një ngjashmëri me karakterin e Jozef K., në romanin “Procesi” të Franc Kafkës. Edhe aty kemi individin që përballet me pushtetin, duke u gjendur në situata të paqarta, duke kërkuar kuptimet, ku dominojnë dilemat dhe dënimi nga pushteti totalitar. Por, Eqrem Basha dëshmon që është një krijues serioz dhe i talentuar për faktin se futet thellë në personazhin e individit, duke gërmuar thellë në skutat më të errëta, duke u përpjekur të nxjerrë rezultate të ndryshme në tregimet e tij të shkurtra, por me vlerë të madhe artistike. Tregimet i karakterizon një përshkrim i dendur i hapësirave, kryesisht të brendshme, dialogët, pyetjet dhe përgjigjet e shpeshta të narratorit, që kanë një karakter të pyetjeve retorike, loja narrative që shpesh herë ndërron pozicion, në disa tregime kemi narratorin që rrëfen në vetën e parë, por në tregime të tjera ai rrëfen edhe në vetën e tretë. Qëllimisht, autori krijon fshehtësi në hapësira të turbullta, nuk rrëfen thjesht, por thjeshtësitë i bën interesante me situata të përditshme të shoqërisë njerëzore, duke gërshetuar politikën, metafizikën, filozofinë, ekzistencën etj. Tregimet i karakterizon atmosfera e zymtë ku dominon shiu, errësira, mjegulla, vetëtima dhe gjitha këto janë simbolikë e një rrethane të vështirë jetësore, një veçanti e Eqrem Bashës, që e bën këtë shkrimtar të jetë me plot meritë në mesin e shkrimtarëve të shquar të letërsisë shqipe.

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

Be First to Comment

    Komento