Press "Enter" to skip to content

Arbër AHMETAJ: Reflektim mbi librin me poezi “Dëshirat e mia perëndojnë çdo mbrëmje”, të autores Brikena Qama

Më ra në dorë një libër i bukur me poezi, “Dëshirat e mia perëndojnë çdo mbrëmje”, i autores Brikena Qama, botuar nga “Adonis”, 2018.

Dua të them disa fjalë për këtë libër, duke iu referuar edhe një paraqitjeje që autorja bëri në Lozanë të Zvicrës. Teksa lexoja poezitë e saj, kuptova që do më duhej më shumë kohë për të folur shkurt. Poezitë janë të shkurtra. Lexuesi nuk ka dëshirë të kalojë te faqja tjetër pa e shijuar deri në fund forcën e imagjinatës, metaforën e përdorur dhe mendimin, kryesisht mendimin e përqendruar në pak fjalë. Të rrish më gjatë me një poezi, në shoqërinë e hijeshisë së saj: ja ky është thelbi i këtij libri! Sepse koha e shkurtër e leximit të tri-katër vargjeve shumëzohet me kohën e reflektimit mbi to, me kohën që poezia i merr trurit të lexuesit për të vijëzuar në imazhe fuqinë e fjalëve. Të lexojmë bashkë poezinë “Ninullë”:

Koha shëron plagë/çfarë humbje kohe!

Shumë është thënë me këto dy vargje. Historia e një jete njerëzore. Jeta rrjedh duke humbur kohë për të shëruar plagë. Karakteri universal i këtij teksti e afron me aforizmat filozofike. Thjeshtësia e formulimit me poezinë. Poetja tregohet e kursyer. Poezisë së saj i mungojnë metaforat e sofistikuara, por ajo është emocion; fjalët e pakta që përdor, janë zgjedhur me kujdes që emocioni të lëvizë nga faqja e librit në topografinë e trurit dhe të shpirtit të lexuesit.

Në vetvete, poezitë e përmbledhjes janë thellësisht të identifikueshme si poezitë e një gruaje. Kjo vërehet tek aftësia përthithëse e përtëritëse, te përkushtimi e deri te vetëmohimi, për hir të dashurisë, tipare që nuk gjenden pa mikroskop në poetikën e burrave, pavarësisht larmisë e hijeshisë së përshkrimit e fuqisë metaforike. Poezia e parë është identifikuese për këtë përmasë:

Më duaj/mua që bëhem dita-ditës baltë/e pres rrënjët e tua të bëhen deje/në mua.

Kjo osmozë e përunjtë, ky identifikim me dheun, në pritje të rrënjëve, nuk bën shumë zhurmë si varg, por ka një shkëlqim njerëzor të pashoq, pasi nxjerr në pah, pa e përmendur fare, një horizont që mungon nëpër qiejt e burrave qofshin ose jo poetë. Që në dashuri, ashtu si edhe në librin e shenjtë, e para ishte fjala, na bind një poezi plot sharm e emocion, që s’rri dot pa e ndarë me ju. Në vargjet e mëposhtme, erotizmi dhe dashuria jepen me gjithë magjinë e tyre, përmes Fjalës dhe Frymës:

O fjalë e ëmbël,
që ma mbush trupin mornica,
më shumë se një përqafim i munguar n’kohë,
më shumë se prekjet epshore.
Frymë e nxehtë rrëzës së veshit,
pëshpërit ato që dua të dëgjoj pambarim,
lugë boshe,
që më mbush stomakun me flutura shumëngjyrëshe.

Po le të lexojmë edhe një tjetër e ndoshta do të jetë e mjaftueshme për të zgjuar kërshërinë tuaj për ta lexuar këtë poete shqiptare, që jeton në atdheun e filozofisë e të poemave homerike.

Aksident në rrugë

Kur e pashë në asfalt,
me currilën e kuqe cep buzës,
ndjeva keqardhje për hënën,
asnjë re të fshihej nuk kish.

As ofshamë, as britmë, as përshkrim i dhunshëm: një curril i kuq në buzë dhe një dhimbje kozmike. Hëna merrte pjesë në këtë dramë dhe autores i dhimbset edhe ajo.

Të lexova me shumë kënaqësi Brikena!

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento