Press "Enter" to skip to content

Marko DENEVI: Tregim policor

Për të shkuar te dyqani ku punonte si shitës, një i ri kalonte përditë përpara një shtëpie, në ballkonin e së cilës një grua e bukur lexonte një libër. Kjo grua kurrë nuk ia kishte hedhur sytë djaloshit. Një herë ai dëgjoi nja dy klientë që po flisnin për gruan. Thoshin se ajo jetonte vetëm, se qenkësh shumë e pasur dhe se, veç një sasie të madhe paresh, paskësh edhe shumë gurë të çmuar dhe stoli prej ari e argjendi, që i mbante në shtëpi. Një natë djaloshi, i pajisur me një çelës-levë dhe një dritë dore të maskuar, futet fshehtas në shtëpinë e gruas. Ajo e ndjeu dhe nisi të bërtasë. Atëherë, djaloshi, i ndodhur në një situatë të vështirë, s’pati rrugë tjetër veç ta vriste. Pastaj, i tmerruar, ia mbathi pa vjedhur dot asgjë, por i sigurt se policia nuk do ta zbulonte dot autorin e krimit.
Të nesërmen, kur po hynte në dyqan, policia e arrestoi. I hutuar nga aftësia dhe shpejtësia e policisë, djaloshi tregoi gjithçka.
Më vonë mori vesh se gruaja e bukur mbante një ditar intim, ku paskësh shkruar se shitësi i ri i dyqanit, një djalosh i këndshëm me sy të blertë, ishte dashnori i saj dhe pikërisht atë natë ajo e priste që t’i vinte në shtëpi.

Përktheu në shqip: Bajram Karabolli

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento