Press "Enter" to skip to content

Luan RAMA: Duke lexuar Prevert

Lexoja vargje të Prevert;
nisa të dremis,
tri shkrepëse të ndezura, një nga një nëpër natë
dhe unë mërmërisja vargjet e tij:
«Shkrepësja e parë për të parë fytyrën tënde,
e dyta për të të parë sytë,
e fundit për të të parë gojën…»
Ah, kjo flakë e bukur shkrepëseje,
që shndrit nëpër natë,
duke kërkuar të zgjojë botën e tij të dashur.
Dhe ashtu përgjumur pashë ëndërr,
ishte natë e vonë,
balerinat e “Moulin Rouge” kërcenin ende aty pranë,
kabaretë me prostituta gëlonin në dehje,
ndërsa unë trokisja në “Cité Vernon”,
dy hapa më tej.
Prevert më hapi portën, si gjithnjë me cigare në gojë,
– Përse kaq vonë?
– Veç një shkrepëse dua,
të shoh një shpirt,
të ndez qiellin,
një shkrepëse nga ato të vargjeve të tua.
– Vetëm një?
– Po. Ajo do më shndërrohet në urë zjarri,
nata është e errët dhe e ftohtë,
shkoj të shoh të dashurën time.
– Atëherë nxito,- më tha Prevert,
dhe urën mbaje ndezur gjer në ag.
Nga kodra e Montmartres zbrita i mrekulluar drejt Senës,
me urën që më digjej në dorë,
për të parë sytë e të dashurës time,
duar të djegura, prushe nëpër natë.
Ah, ç’flakë e bukur!- i thashë një statuje të vetmuar,
që bën të të shndrisë syri e shpirti,
që zgjon të dashuruarit,
mermerët gjithashtu,
mermerë që nisin e pulsojnë.
Një fije shkrepëse nga Prevert,
mjafton për të ndritur natën e errët…

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento